Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes, pas takimit me simpatizantët e PS-së në Vlorë, u shpreh optimist për përkrahjen e gjerë që gëzon në bazë. Presionet ndaj përkrahësve të lëvizjes dhe akuzat për lidershipin e PS-së se po përçan partinë.
Themeluesi dhe drejtuesi i Lëvizjes ZGJIDHJA, Koço Kokëdhima, pas takimit me simpatizantët e PS-së në Vlorë, u shpreh në një konferencë shtypi për gazetarët se lëvizja e drejtuar prej tij bazohet tek anëtarët e PS-së dhe gjithe qytetarëve që i bashkohen kësaj lëvizje dhe se anëtarësimet pritet që të përmbyllen brenda marsit. Sipas Kokëdhimës, “ZGJIDHJA” ka për qëllim që t’u japë qytetarëve të drejtën për të zgjedhur dhe vendosur dhe jo kryetarët, si deri më sot, ku drejtuesit janë zgjedhur dhe deleguar nga kryetari dhe jo nga baza e anëtarësisë. “ZGJIDHJA”-thkesoi Kokëdhima- sot gëzon mbështetjen e gjerë të anëtarëve të thjeshtë të PS-së. Kokëdhima është ndalur edhe te presionet mbi simpatizantët e Zgjidhjes, presione të cilat sipas tij kanë sjellë përcarje brenda PS-së, përcarje e iniciuar nga vetë lidershipi i PS-së. Kokëdhima konfirmoi se levizja “ZGJIDHJA” do të vijojë të jetë pranë qytetarëve dhe anëtarëve të PS-së, duke afruar alternativën e saj që është pranë dhe me qytetarët.
Gazetari: Sot në Vlorë keni zhvilluar një takim me përkrahësit dhe mbështetësit tuaj, pra cila ka qenë axhenda e ditës së sotme?
Kokëdhima: Kam bërë disa takime në këtë vizitë në Vlorë, për të përshpejtuar punët sipas axhendës së lëvizjes sonë, sipas axhendës së Zgjidhjes. Kështu që vij gjithmonë me shumë kënaqësi në këtë qytet. Aktualisht, prioritare për Zgjidhjen janë anëtarësimet në lëvizje. Është një fushatë shumë intensive për të anëtarësuar mbështetësit në lëvizjen ZGJIDHJA dhe për të ndërtuar hartën e plotë të strukturave të saj, që shpresojmë të jetë e mbyllur në fund të muajit mars, përpara se të shkojmë në Konferencën Kombëtare të Zgjidhjes. Dhe këtu isha në këtë takim për të përshpejtuar pikërisht punët për anëtarësimet në Zgjidhje, në qarkun e Vlorës dhe në rajonin e jugut që përfshin qarqet Fier, Vlorë dhe Gjirokastër.
Gazetari: Anëtarët që të vijnë pranë Zgjidhjes, duhet të jetë përfaqësues të Partisë Socialiste apo anëtarë të Partisë Socialiste që kanë qenë deri tashmë, apo synoni që pjesë e Zgjidhjes të jenë edhe përfaqësues të tjerë apo anëtarë të forcave të tjera politike?
Kokëdhima: ZGJIDHJA bazohet te anëtarët e Partisë Socialiste dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë, të cilët i bashkohen platformës dhe ideve të saj. Dhe në qarkun e Vlorës sigurisht që ka një pjesë shumë të madhe të anëtarësisë së Partisë Socialiste që aderojnë te ZGJIDHJA, sepse ZGJIDHJA në të vërtetë ka lindur si nevojë e bazës së Partisë Socialiste, për t’u dëgjuar nga partia e udhëheqjes, kjo partia e bazës.
Gazetarja: Lëvizja juaj “ZGJIDHJA” kujt ngërç kërkon që t’i japë zgjidhje në politikë?
Kokëdhima: ZGJIDHJA i ka shpallur tezat dhe kartat e saj kryesore. Ajo dëshiron që të rivendosë të drejtat e mohuara të qytetarit shqiptar në sistemin politik në Shqipëri. Dëshiron që të kthejë rolin e aktorit kryesor në demokraci, të popullit, i cili normalisht në çdo demokraci normale do të duhej që ta ushtronte këtë rol përmes ushtrimit të vullnetit të drejtpërdrejt me votë. Gjë që në Shqipëri nuk ekziston. Populli shqiptar në Shqipëri nuk ka asnjë të drejtë që të zgjedhë përfaqësuesit e vet, që të votojë referendume, ligje, vendime të mëdha, vizione e kështu me radhë. Dhe rivendosja e këtyre të drejtave është një nga çështjet dhe objektivat themelorë të “Zgjidhjes”. Çështja tjetër është që popullit t’i rikthehen të drejtat e grabitura, të drejtat e uzurpuara nga kryetarët, të cilët zgjedhin në emër të popullit të pëlqyerit dhe të parapëlqyerit e tyre. Kështu populli nuk mund të zgjedhë dot asnjë kandidat për deputet, asnjë kandidat për kryetar bashkie, asnjë kandidat për këshilltar, e kështu me radhë. Vijnë të gjithë dhe i caktojnë kryetarët. Edhe për Partinë Socialiste, socialistët e bazës nuk mund të zgjedhin dot asnjë përfaqësues, i zgjedh kryetari për ta që të gjithë. Edhe ky organizim aktualisht tani, është një organizim i bërë, i urdhëruar, i imponuar nga lart me të deleguar që i cakton Tirana dhe që nuk bazohet te përfaqësuesit që ka zgjedhur Partia Socialiste në Vlorë.
Gazetari: Lëvizja juaj mund të kundërshtohet ashpër nga Partia Socialiste dhe ndoshta ata të cilët do të kërkojnë të anëtarësohen te ZGJIDHJA juaj, do të largohen nga puna që mbajnë aktualisht apo do të thuhet që lëvizja po i vjen kundër Partisë Socialiste për ta rrëzuar pushtetin?
Kokëdhima: ZGJIDHJA gëzon mbështetjen e gjerë të anëtarësisë së thjesht të partisë. E kam shpjeguar shumë herë se kemi dy Parti Socialiste, siç kemi dy Parti Demokratike. Kemi Partinë Socialiste të udhëheqjes, kemi dhe Partinë Socialiste të bazës. ZGJIDHJA mishëron të drejtat e mohuara të bazës socialiste dhe qytetarëve të Shqipërisë. Dhe nga kjo pikëpamje është shumicë në Partinë Socialiste.
Gazetari: Thatë që keni nisur anëtarësimet. Si po bëhen DHE KUSH janë ata që po anëtarësohen dhe mos po kërkoni që të krijoni një tjetër parti politike?
Kokëdhima: Në Vlorë sigurisht që janë goditur rëndë të gjitha institucionet e reformës së Partisë Socialiste. Këta e kanë reduktuar partinë, e kanë cenuar thelbësisht të gjithë trupën e zgjedhur nga baza e partisë dhe padyshim që një pjesë e madhe e anëtarësisë këtu është e zhgënjyer me këtë gjendje të demokracisë së brendshme dhe me këtë nivel drejtimi të Partisë Socialiste. Ne kemi këtu anëtarësime masivisht. Mund të them që më shumë se gjysma e anëtarësisë së Partisë Socialiste të Vlorës, është në proces regjistrimi në radhët e Zgjidhjes. ZGJIDHJA synon ta reformojë Partinë Socialiste, ta bëjë një parti të qytetarëve, një parti të anëtarëve të thjesht të bazës socialiste.
Gazetari: Pra jo një parti e re, por një lëvizje brenda Partisë Socialiste?
Kokëdhima: Sigurisht. E kam shpjeguar disa herë që është një lëvizje politike, e cila mobilizon energjinë nga brenda Partisë Socialiste dhe nga jashtë. Sepse kërkon t’i imponojë reforma të mëdha sistemit politik, të cilat kërkojnë një energji të madhe të popullit.
Gazetari: Lëvizja juaj mos ndoshta është një formë për të treguar forcën ndaj kreut të Partisë Socialiste, po ashtu edhe drejtuesve të Partisë Socialiste, se në thonjëza “ju nuk mund të bëni pa mua”?
Kokëdhima: Kreu i Partisë Socialiste dhe krerët e partive të tjera nuk kanë shumë diferencë. Në këtë çështje ata kanë folur si shërbëtorë, por në fakt janë sjellë si sundimtarë me këtë popull dhe me këtë parti. Dhe ZGJIDHJA do t’u imponohet me forcë edhe kryetarit të Partisë Socialiste edhe kryetarëve të partive të tjera. Gjithë drejtuesve të Partisë Socialiste, me vullnetin e popullit dhe të anëtarësisë së gjerë të socialistëve dhe qytetarëve të Shqipërisë.
Gazetari: Z.Rama nuk ka folur për ju, edhe kur është pyetur.
Kokëdhima: Zoti Rama ka shumë të drejtë që i shmanget të gjithë problematikës që ngre ZGJIDHJA. Sepse nuk mund të ballafaqohet me këtë problematikë. Siç nuk mund të ballafaqohen dot të gjithë kryetarët e partive. Një grusht kryetarësh të partive në Shqipëri, qeverisin Shqipërinë dhe kanë përjashtuar nga e drejta për të marrë në qeverisjen e vendit një popull. Kështu që, ky diskurs që ne shtrojmë, është në fakt në themel ballafaqimi mes këtij grushti kryetarësh dhe qytetarëve të vendit. Ata duan t’i ikin këtij diskutimi se duan që ta lënë në fuqi status quonë. Duan që të mos i lëshojnë këto të drejta, të cilat nuk u takojnë atyre, por janë të drejtat që i takojnë popullit dhe qytetarëve. Nuk mund t’i ikin përgjithmonë këtij debati. Me këtë debat do të ndeshen përpara edhe Rama e të gjithë drejtuesit e tjerë. Nuk i ikin dot, siç nuk mund të vazhdojnë shqiptarët të arratisen nga shtëpia e tyre, nga atdheu i tyre, nga toka e tyre. Një jetë të gjithë nuk mund të vazhdojnë duke u arratisur. Do të ndalen një ditë e do të thonë: Po, nuk do të arratisemi më nga kjo shtëpi, po do të qëndrojmë këtu e do ta rregullojmë. Dhe këta nuk i ikin dot këtij ballafaqimi. Ajo që ndodh sot ne Tiranë, ajo krizë dhe ajo përplasje që ndodh sot në Tiranë, është në përplasje e paralajmëruar nga ZGJIDHJA. Ka lidhje pikërisht me çështjen e parë programore të lëvizjes sonë, që është çështja e pastrimit të zgjedhjeve nga vjedhja, manipulimi, tjetërsimi i votave dhe i vullnetit të popullit. Kështu që në këtë mënyrë, të gjitha këto çështje do t’i gjej përpara Rama dhe politika e Shqipërisë.
Gazetari: Pra ju jeni pro protestës së opozitës?
Kokëdhima: Ne nuk e paragjykojmë protestën e opozitës për sa kohë ajo protestë mbetet paqësore. Prandaj edhe i kemi bërë thirrje Bashës që ta largojë retorikën e dhunës nga fjalimet e tij politike. Ashtu siç e kemi ftuar atë që të vazhdojë veprimtarinë dhe debatin politik në Parlament. Shqetësimi i çdo partie politike dhe i çdo qytetari të Shqipërisë për zgjedhjet, është një shqetësim real dhe i bazuar. Shqipëria nuk bën zgjedhje të lira, të ndershme dhe të barabarta. Dhe zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të jenë të lira, të ndershme dhe të barabarta. Do të jenë zgjedhje të molepsura dhe zgjedhje të ndotura, siç kanë zgjedhjet e tjera në Shqipëri. Në qoftë se ne sot nuk kemi një shtet të së drejtës në Shqipëri dhe një shtet ligjor, nuk e kemi këtë shtet për arsye se nuk bëjmë zgjedhje të ndershme, të drejta dhe të lira.
Gazetari: Ju do të ishit dakord me ngritjen e një qeverie teknike për zgjedhjet e 18 qershorit?
Kokëdhima: Unë them kështu që ka ardhur koha dhe momenti që drejtuesit e lartë të politikës së Shqipërisë, kryesisht dy partitë e mëdha, të kuptojnë që nuk përfitojnë dot më duke vjedhur vota në Shqipëri. Partia Demokratike e mbolli kulturën e vjedhjes së zgjedhjeve në Shqipëri në vitet ’94-’96. Ndërsa Partia Socialiste nuk u distancua prerazi nga kjo kulturë. Dhe të dy palët e rafinuan një sistem të manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri që vazhdon edhe sot. E kanë defaktorizuar popullin duke manipuluar zgjedhjet. E kanë lodhur këtë popull, ja kanë vrarë nervin, ja kanë vrarë aftësinë për të reaguar, e kanë nënshtruar, e kanë shkelur, e kanë përbuzur dhe e kanë vjedhur. E sot Shqipëria ndodhet në një situatë që, në qoftë se vazhdon të neglizhojë nevojën e një reforme për të pastruar thelbësisht dhe përfundimisht zgjedhjet, rrezikon të shkojë në një krizë ndoshta në krizën më të rëndë pas ’97-s. Ne duhet të bëjmë patjetër pastrimin e zgjedhjeve. E në këtë çështje dua të ftoj edhe njëherë edhe qeverinë, edhe opozitën, që të mos bëjnë më lojëra. Të mos vazhdojnë me lojërat e tyre të pandershme ndaj popullit tonë dhe ndaj zgjedhjeve. Reforma zgjedhore duhet të bëhet e plotë. Nuk nevojiten vetëm votim dhe numërim elektronik në kuti në qendrat e votimit, por nevojiten votim elektronik dhe numërim elektronik në qendrat e votimit dhe zëvendësimin e administratës zgjedhore dypartiake, me një administratë zgjedhore të paanshme, me një administratë zgjedhore shtetërore. Duhet të marrë fund kjo histori, kur dy partitë e mëdha numërojnë dhe vjedhin votat e partive të vogla dhe partive konkurrente të tyre.
Tensionet në bazë
Kokëdhima: Përgjegjësitë e përçarjes i ka lidershipi i PS-së
Gazetarja: Para pak ditësh në inaugurimin e fillimit të punimeve për lumin e Vlorës, është thënë se “ju keni qenë pjesë e asaj që keni penguar fillimin e këtij projekti”. Si e shikoni fillimin e punimeve për rrugën e lumit të Vlorës?
Kokëdhima: Sigurisht që jam i informuar për këtë rast dhe për këtë takim, kur në prezencë të Ramës një bejtexhi i rilindjes ka deklaruar se “rruga e lumit të Vlorës do të bëhej më shpejt, por e ka penguar Kokëdhima”. Përgjigja ime është shumë e qartë dhe e drejtpërdrejtë për këtë bejtexhiun që Rilindja e nxorri nga varreza politike e tranzicionit abuziv dhe e ricikloi në Asamblenë Kombëtare me qëllim që të argëtojë popullin socialist me bejtet e tij tani në prag të fushatës së zgjedhjeve të qershorit. Unë kam bërë një punë shumë të madhe në 30 muajt e mi si deputet. 15 herë i vizitova fshatrat e Labërisë. Punova me një përkushtim të pashembullt që t’i bashkonim fshatrat e Labërisë me Himarën. Dhe e bëmë këtë gjë. Ju premtova atyre njerëzve që do t’i ndërtonim rrugët e të gjitha fshatrave dhe filluam me segmentin Kudhës-Kuç. Zgjidhëm financimin dhe ndërtimin e ujësjellësit Kallarat-Vranisht-Tërbaç. Besoj se ajo vepër tani është në përfundim. Filluam projektet për ta lidhur lumin edhe me Progonatin, edhe me Golëmin. Dhe nisem vizatimet. E vumë në rrugën e zgjidhjes rindërtimin e muzeut të krahinës së Labërisë, në shtëpinë e Hysni Kapos. Dëgjova shtruar të gjitha problemet e banorëve të asaj zone dhe zgjidhëm shumë çështje të atyre njerëzve. Unë i shpejtova me vite punët e asaj krahine, e cila ishte lënë e braktisur dhe e harruar nga birbot dhe horrat e politikës.
Gazetari: Ka presion ndaj mbështetësve tuaj këtu në Vlorë?
Kokëdhima: Ju jeni në dijeni të plotë për këtë çështje, që presionet, shantazhet, qasjet donkishoteske për të luftuar idetë, për të luftuar platformën e Zgjidhjes në fakt e kanë çuar në përçarje Partinë Socialiste në Vlorë. Dhe të gjitha përgjegjësitë e kësaj përçarjeje i ka lidershipi. I kanë ata që drejtojnë këtu. Dhe me këto përçarje e kanë dëmtuar thelbësisht Partinë Socialiste. ZGJIDHJA dëshiron t’i kapërcejë këto histori dhe ta bashkojë Partinë Socialiste me qytetarët e vendit, në një politikë të re, dhe në një rrugë të tillë të shëndetshme të kapërcimit të plagëve të sistemit politik të kalbur që është në fuqi në Shqipëri gjatë gjithë këtij tranzicioni. Gjithë ky tranzicion ka vërtetuar zhgënjim në çdo palë zgjedhje nga viti 1990, kur qytetarët aspironin një Shqipëri demokratike, sovrane, të lirë, të shanseve të barabarta për të jetuar një jetë të lumtur për njerëzit etj. E deri më sot, në çdo 4 vjet vërtetohet zhgënjim nga çdo qeveri që vjen në pushtet. Pse ndodh kjo? Pse ndodh që politika zhgënjen sistematikisht popullin? E gënjejnë popullin tonë politikanët. I kanë marrë rolin dhe kompetencat në demokraci, kanë marrë praktikisht atë pushtet dhe atë rol që duhet ta ushtrojnë qytetarët dhe ata nuk mund ta ushtrojnë atë rol. Nuk mund të luajnë rolin e popullit në demokraci. E duhet të jemi shumë të qartë që të gjithë, që pa rindërtuar dhe pa demokratizuar si partitë politike edhe sistemin politik, Shqipëria nuk mund ta kapërcejë këtë tranzicion të gjatë dhe të dhimbshëm. Për të dalë nga ky tranzicion na duhet pikërisht një reformë e thellë e sistemit politik, që demokratizon partitë, që demokratizon qeverisjen dhe që i jep të drejtën popullit të marrë në duar fatet e veta dhe të mbrohet nga këto qeveri dhe nga këta lidera që i shkelin të drejtat e këtij populli.