KOLORITI I FSHATIT DHE FILOZOFIA E EKZISTENCËS

Kulture

Nga Miho Gjini

(Ne kater libra te Delina Krekës)

Është një veçori stili e koloriti të vecantë krijimtaria e një vargu poetësh e prozatorësh që vijnë nga fshati me veprat e tyre letrare, duke sjellë bashkë me to atmosferën liriko-romantike të vendit ku kanë lindur, për të mos e harruar kurrë , deri në frymën e fundit. Te tillë ishin dhe mbetën Mitrush Kuteli, Dritëro Agolli, Jakov Xoxa, Naun Prifti, Sotir Andoni, Teodor Laço e të tjerë, në të djeshmen e jetës së tyre. Dhe nuk habitemi sesi, në veprat që ata kanë shkruar me një dashuri sublime, ka hyrë vlaga e dheut, fëshfërima e gjetheve të pemëve, flladi që vjen nga pylli, mali, fusha, përroi, lumi, apo liqeni, nga cicërima e zogjve dhe blegërima e bagëtive, si një tabllo e gjallë piktorike që të rrëmben me magjinë e natyrës. I lexon ata dhe gjithçka bëhet pjesë e jotja, e pashlyer dhe e ndezur prrush e flakë. Sikunder ishin të madhërishme e të një stili lapidar edhe veprat e shkrimtarëve Rus: të Tolstoit, Çehovit, Paustovskit e Shollohovit, shëmbëlltyra të një krijimi epokal.

Edhe pse, përpos natyrës fshatarake të një niveli të prapambetur në vendin tonë te djeshm, për fat të keq, penetroi në shumicën e veprave që u krijuan në atë kohë, fryma e “Realizmit Socialist”, deformimi i reales, zbukurimi i saj, slogani politiko-ideologjik dogmatik, përsëri pati ndër to përshkrime, subjekte e karaktere të spikatura, sidomos një kolorit të ndezur, atmosferë lirike, që i bëjnë shumicën e tyre të lexohen me endje edhe sot e kësaj dite. Ndërsa në realitetin e sotëm vihet re një “rrëmbim pa fre” të poetëve e prozatorëve nga jeta e zhurmshme e qytetit, si edhe nga ato tema, subjekte e pasazhe me tematikën moderne bashkëkohore, enkas për të thyer, rrëzuar e shkulur mentalitetet e vjetra të së djeshmes. Sidomos ndër poetet e reja tonat, ndjehet një çlirim total i vetëdijes krijuese, e lirise së shprehjes e të kapërcimit të dogmave kufizuese të moralit.

Duke u ndalur në të katër librat e autores Delina Kreka, poete e prozatore njëherësh, e cila jeton, punon e krijon në fshat, do të konstatonim pikërisht dobinë e gjithanshme të këtij proçesi, si risi në një laborator krijues vetiak në gjirin ushqyes të natyrës. Nuk ia kemi dëgjuar kurrë zërin asaj, as nëpër gazeta e as nëpër fejzbuqe! Edhe në tubimin e mrekullueshm të “Netëve të Poezisë Korçare” ajo rrinte e ndrojtur e degjonte poetet e tjera, nën blirët kundërmonjëse të Bulevardit të Korçës (kur mes nesh kishim edhe poetë kalibri si Xhevahir Spahiu, Skënder Rusi e Demir Gjergji). Shkruante vjersha e i mbante për vete atje, matanë Voskopojës fantastike dhe vetëm pas tri vjetësh do të debutonte me tri libra njëherësh, që hapin “siparin e skenës fshatrake”, me plot jetë, te cilat përcjellin ngrohtësi për lexuesin e tërhoqën vëmendjen tonë, paksa më përtej së zakonshmes e të normalitetit.

“Kristale mbi petale!”

Hapi i parë. Janë vjershat e para të vajzërisë, të shkruara në moshën 17 vjeçare, të cilat ngjajnë vërtet si kristale të sapo rëna nga vesa, mbi petale luleshqerrash në “kopshtin e saj të erotikës”, pas një akumulimi të gjatë leximi e frymëzimi, ku “etja poetike” nisi të “buis” nga ngrohtësia e pranverës. Në erotikën e saj të ndrojtur është një zemër që ka filluar të rrahë e të ndjejë ndryshimin e moshës, përball syve të të riut të parë që e vështron me ngulm. Dhe që e bën vajzën të turpërohet natyrshëm e t’i ndizen endërrimet. Mirëpo ajo jeton tashmë, e pastërt në mesin e natyrës e rritet midis pemëve, afer një pylli, jo shumë larg një liqeni, ujëvarave që zbresin nga Mali i Thatë, përrenjve, vjollcave që mbijnë mes gurishteve e të çarave të shkëmbinjve prej erërave e flladeve të ngrohta të pranverës, flokëve të dëborës në të dalë të dimrit, pikave të shiut që i “puthin gjoksin”. Po poetja vë re se ç’ka një trishtim nën “qiellin gri” të kohës, kur shkruan se: “kilometrat e dhimbjes, askush s’do t’i masë tek unë(!)” dhe e vështron realitetin ekzistues me një sy tjetër. Ka një pikëllim të parakohshëm në shpirt që e shpreh në këto “udhëkryqe të jetës” që asaj i ngjajnë si “skenare filmi”. Naiviteti i adoleshencës dhe paralelisht pjekuria e moshës janë evidente në këto vite të jetës. Ndjehet e lodhur para kohe e hedh në letër fraza të tilla: “Brenda meje tri ndjenja./Trishtim. Brengë dhe lot…”. Veç ama, do të nisë të ndjejë gëzim kur i vijnë në pullazin e shtëpisë dallëndyshet e para, duke cicëritur e ndërtuar folet e tyre. “Poezia e Delinës,-shkruan redaktori i saj i pare, poeti Demir Gjergji,-eshte një rrëkezë e kthjellët dhe që bën muzikë, ndërsa rrjedh fshehurazi poshtë barit të njomë, për të udhëtuar drejt detit të jetës”.

“Kur heshtja mbart dhimbjen”

Hapi i dytë, tri vjet më vonë. Poetja mblodhi të gjitha shqetësimet e moshës në këtë libër, si “trokthin e një kali” që i avitet: dhimbjen e dashurisë së sapo lindur, trishtimin e vetmisë, heshtjen e thellë pranë humbëtirës së pyllit në afërsi të fshatit…,”fshehur dritës nëpër yje”. Bukur,apo jo?! Por ajo do të filloëj të shkruajë tani pakës më ndryshe: “Unë do ndrit, edhe po s’më pe./Do gëloj,si bar i ri./Nëpër dritë do end, /Misteret që kërkove ti!”. Dhe është mosha e pjekur e një gruaje tashmë që e bën të dalë mbi ndrojën, heshtjen, frikën, përmbi dhimbjen e të nisë ta shohë veten si ajo bleta, e cila “nxitimthi për ty,/mjalt do mbledh sërish”. Dhe ajo flet për fatin, për ëndrrat, për jetën dhe shpreson të gjejë “botën e vogël (në) botën e madhe”. Dhe, në poezinë e shkurtër “Akt dashurie” ajo do të flasë për “verën e vjetër, plakur në but…/E ndezura gjak perëndie!”, si një gëzim e eliksir jete të bekuar prej Zotit, me “gjakun e vet”. Mirëpo dilema e jetës do t’i coptojë shpirtin, duke bërë pyetje të panumërta në shumicën e poezive të saj. pa dhënë më tej asnjë pë rgjigje të saktë,-gjë që do të përgjigjet artistikisht t’i japi në librin e saj të katërt “Shtigjet e Heshtjes”, Veçse i duhet të ndalet e të frymojë midis këtyre tri librave me poezi, me një tjatër libër, me tregime, që do të jetë , po ashtu, një sprovë suksesi. Po gjithsesi, edhe në këtë libër në poezi, do të na mbetet në shpirt, vlaga e atmosfera e viseve të saj të largëta të peizasheve të thella, që nga Lekaj, Lozhani e deri në Gorë-Opar, në thellësi të maleve të “ngarkuara me dimër”.

“Fustani mbi liqen”

Dhe befas, poetia e fshatit, del me një libër në proze, ku flet për dashuri të çartura në pyllin me ahishte përbri liqenit, me rrëfime të dhimbshme të njerzëve përreth saj, ku do të derdhen subjekte dramash e tragjedish të një jete mes malesh, që do të na rrënqethin jo pak. E s’kemi si mos të habitemi që, kjo grua e fortë, nënë e dy vajzave, përpos jetës së vështirë të atyre banorëve të viseve të ashpëra e shumë pak të shkelura nga këmba e njeriut, me halle e probleme të mbijetesës, gjen kohë që të shkruajë, bile të shkruajë një prozë të bukur, konkrete e të thjeshtë, plot vërtetësi jete të rrjedhshme, si burimet e kthjellta të maleve kur shkrin dëbora. Ngarkuar edhe me mbresat që i janë fiksuar në shpirt, prej rrugëtimeve që ka bërë e bën, buzë liqeneve të Ohrit e të Prespës, të cilat ajo i “pikon” aq bukur kur i shkruan këto rrëfime magjepsëse. Me një frymëmarrje që e ndjejmë në çdo rresht të një proze të shkurtër. Disa nga këto krijime fillestare, do të thoshnja, janë a s’janë tregime të mirëfillta, as skica letrare, po esse të meditacionit të lirë, shfrime të shpirtit e të brengës, përshkrime të ndjera, asocacione befasuese, tok me ca lirika proze në poezi që të ngjitin në shpirt, si tek “ Pema me gjethet”, “ Posta qiellore” e “Ëndrrat e ëngjëjve”. Por do të hasësh aty edhe dy tregime brilante, plot jetë, si “Tërkuza e lidhur pisk” e “ Fustani mbi liqen”, që të tronditin me ca historira të jetuara dashnorësh të zjarrtë, kaçakësh të njëhershëm, ku romantika e jetës baritore “pushton edhe qiejt!”. Sidomos me atë rrëmbim që i bëhet nuses së tjetrit, kur zjarri i dashurisë, kapërcen çdo llogjikë e rrethanë reziku.

“Shtigje të fshehura”

Është libri i saj i katërt. Këto “Shtigje”, Ajo, Delina Kreka, i krijon dhe i “qëndisë” për “të pathënat e botës” së saj të brendshme, që rrinë thellësive të skutave të shpirtit, atje ku jeta është si një “galeri që nxjerr dashuri,/po aq sa toka ka/fshehtësi…” dhe shpirti i saj i dashuruar do të gjëndet midis luleve, pemëve e grykave të maleve, përbrenda ëndrrave dhe realitetit.
Pra, në këto “Shtigje të fshehura”, Poetja do të endet me vargjet e saj përmes tri motiveve: ëndërrimeve, reales së përditëshme dhe të natyrës që e rrethon.

Nëpër ëndërrim ajo sikur bisedon me “hijen e saj”, për të zbuluar “plagët e errëta e të rënda”. Mirëpo i shfaqen në përfytirim pulëbardhat tek “bëjnë koreografi” mbi valët e qeta të një liqeni e i ngjajnë si melodi të qeta shpirti. Sepse ajo, poetja, është e mbingarkuar me halle që i prishin gjumin. Dhe i duket sikur, “Nga e qara e foshnjës/çahet toka, përpara/lumenj/E gur, e thelbi i saj/dhëmb e qan…”. Dhe do të kuptojë nëpër vegimet që i shfaqen befas, se “Argatët e së keqes,/pa kuptuar, luftuan/kundra vetes…”. Por, “ ne s’mund të zëmërohemi me yjet,-shprehet ajo në një poezi tjetër, kur zgjatemi t’i kapim duke u vrarë!”. Se, edhe nëpër ëndërrime, jeta do t’i shfaqet me “udhëkryqe të shumta, si një rrugëtim i gjatë për të gjithë të vuajturit, të pastrehët e lypësit. (“Ngrihem llahtar/Nga gjumi në këmbë/e trembur, e vuajtur,/Me shpirtin ndër dhëmbe.”. Filozofia e ekzistencës reale, është shkallmuar kështu që nga themelet e saj!

Por ajo do të ketë menjëhere një zgjim po kaq emocionues, për të ardhmen në jetën reale, përmes një tufe poezish reale, lëndore e impresionuese, të cilat konvergojnë gjendjen, kur poetja do të thurrë nje poezi provokative që do të marrë përsipër vdekjen,enkas për të ditur reagimin e njerëzve që ka përreth (“Po sikur?!). Apo, sikur të ishte sonambul, në përgjumje, me ndjenjat e një “murgeshe që i shohin shpirtrat, kur ikin e vijnë…”. Brenda meje e brenda teje,-thotë ajo, në një tjetër poezi, “dëshirat vuajnë/bëjnë kryengritje/përplasen flatrat…”. Dhe, për të, “Dashuria ështe vetëm një pikë e dobët që s’fshihet e duket,/ e me pas qielli, përmasa e fundi s’dihet…”. E, më në fund, dashuria, do të jetë një “rrugë pa kthim”, ku do të nisë “tufën e patave të egra” të “shuajë mallin, ndërkohë që pret edhe ajo, si Penellopa, të dëgjojë trokthin e “kalit të Odiseut” në atë kthim të përmallur.

Motivi i tretë, natyra, duket sikur i përfshin që të dyja të tjerat, ëndërrimin dhe dshurinë reale për jetën. Natyra “pikon” mjaltin e vet në shpirtin e poetes dhe ngjan sikur hyjnë nëpër fletët e librave të saj flladi i freskisë së pyllit, si “fjalë ninulle” këngëzimi, si pëshpërime fëshfëritëse qetësie e lumturie të pafundme heshtjeje, duke lënur pas jehonën e largët.. Atë e dehin shpërthimet e petaleve të luleve të dimrit mbi dhe e veçmas ato lule që i “bëjnë naze” erës së ftohtë nën qiellin gri, rrëzë të çarave të gurëve e shkëmbinjve të veshur nga ngricat e bardha. Atë do ta ngazëllejë edhe “strehëza e shiut”, kur i gjithë shiu “bie litar” mbi gjoksin e saj, kur shpërthimi i jetës ka bërë të vetën….E nuk pyet as për tërmetin e as për zëmërimin e dallgëve të detit…”Kur ti më thërret,-shkruan ajo/Ti do të ndjehesh skllav (apo një mbret),,/në ato përqafime kur ti më thërret.”

Në këto “rrahje zëmre” atje, mes malesh, pyjesh e ujëvarash, edhe metaforat e poezisë vijne vetiu, si një mbishtresë e lëndës poetke, kur zjarri i dashurisë del prej “kraterit të vullkanit”. Kështu, erotika e saj është si e “pikuar me rreze hëne” e ajo mbetet një “lot i pa tharë”, kur zemra është kthyer në “vullkan e zjarr”….Dhe ajo pret!…”Pres natën të vijë/yjet të shoh…” që ”Në cepin e buzës/të kap cepin e syrit”. Dhe pastaj, ”atë zjarr, pa dashur/e ndez ti në sy/Unë të tërhoqa zvarrë/Të digjemi të dy”. Me zjarrin që nuk e shuan dot as njeri e as tjetri…

Këto vargje poetike të ndjera, të thëna nga një poete fshati, larg qyteteve e “qytetërimeve”, pa asnje tepëri a maniera moderniste, fare thjesht e me një vërtetësi, përbrenda natyrësisë, meritojnë vëmendjen tonë, krahas poetëve e shkrimtarëve të zëshëm, qe mbushin ngaherë faqet e gazetave e kohët e promovimeve nëpër mjedise e salla luksoze të mëdha, kur, jo pak herë, askush nga të pranishmit s’ka lexuar asnjë rresht prej librit “të bujshëm”që reklamohet prej botuesit apo të autorit që kapërdiset në konturet “e dafinave” që ndofta kanë mbritur deri aty, prej maleve të Gorë Oparit…