NGA PROF. DR. ARBEN MALAJ /
“Politikanët dhe pelenat duhet ndërruar shpesh dhe për të njëjtën arsye, sepse bëhen shpesh pis”. Mark Twain
Në skenën politike shqiptare, një fenomen shqetësues që po bëhet gjithnjë e më shumë kritikë, është kriza e thellë e integritetit të munguar apo të deformuar edhe te brezi i politikanëve/liderëve të rinj. Kjo mungesë e vlerave thelbësore, e shoqëruar shpesh me ambicie makiaveliste dhe babëzi për pushtet, minon demokracinë e brendshme të partive politike, të demokracisë akoma hibride në vendin tonë, minon themelet e institucioneve publike dhe politike, ushqen një klimë politike të paqëndrueshme sociale dhe politike. Ky deficit integriteti nuk është thjesht një mungesë etike individuale, por një “sëmundje” që po infekton vetëdijen e politikanëve të rinj. Integriteti i munguar apo i deformuar i liderëve të rinj, integriteti i cenuar apo i vetëshitur për hir të një karriere të shpejtë, në aspektin personal është një faktor që e ka përcaktuar rënien e liderëve makiavelistë, duke e paracaktuar fatin e tyre politik, sado vezullues të duket ai në vitet para të shkëlqimit të rremë. Por, mungesa e integritetit të lartë ka pasoja edhe për partitë politike, ku këta liderë parafabrikate lulëzojnë, zaptojnë strukturat drejtuese të forcave politike dhe me bërryla të gjakosur nuk lodhen të spostojnë këdo që i pengon sado pak në ambiciet e tyre për karrierë të lartë, pushtet dhe pasurim të shpejtë.
Mallkimi i gjysheve me fëmijët e porsalindur në mes të dimrit, është mallkim zemre të lënduar dhe ai mallkim të zë. Shkatërrimi i Teatrit Kombëtar, si një pjesë jetike e kulturës sonë kombëtare, ndërsa mbrohet vila e ish-diktatorit. Shkatërrimi nga Policitë Bashkiake duke ua shkelur me këmbë fermerëve të varfër perimet që shesin për të blerë ilaçe për nipërit dhe mbesat e tyre deri në mbijetesë, është mallkim që del nga zemra. Ky lloj mallkimi të zë. Vendosja e gjobave të parkimit që rëndojnë mbi qytetarët me të ardhura të ulëta që i kanë makinat mjete mbijetese dhe jo mjet luksi të zë. Përpjekjet për të nënshtruar median e lirë përmes favoreve dhe sulmeve digjitale. Kjo arrogancë, e shoqëruar me babëzinë për pushtet, ka krijuar një klimë ku liderët pa integritet dhe arrogantë pa asnjë kufi etik shihen si “armiq”, që meritojnë “vrasje politike”. Vetëvrasja Politike si Pasojë e Mungesës së Integritetit: Pyetja qendrore e ngritur është nëse liderët me mungesë të theksuar të integritetit publik po “vetëvriten” politikisht? Përgjigja duke parë edhe zhvillimet e fundit me ne Shqipëri është pohuese.
Kjo “vetëvrasje” buron nga mungesa e integritetit njerëzor dhe politik, nga lakmia për pasurim të shpejtë dhe nga zgjedhja e një formati “politikani parafabrikate”. Këta liderë vetëvrasës karakterizohen nga babëzia e palimituar (shumë prej tyre po përballen me drejtësinë), mbështeten në karrierën e tyre edhe tek individë apo grupe me CV kriminale, janë thellësisht makiavelistë në përdorimin e mjeteve të paskrupullta për karrierë. Ata janë të shurdhër dhe kanë mungesë ekstreme të ndjeshmërisë ndaj kritikave dhe e ndërtojnë karrierën e tyre tek mbështetja jo e pakushtëzuar dhe manipulimi i medias për t’i mitizuar ata, njëkohësisht e kërkojnë garancinë për karrierën e tyre të shpejtë dhe të pamerituar kryesisht tek faktorë të jashtëm. Në luftën për të nënshtruar çdo media kritike, në shërbim të babëzisë, mund të përfshihet rasti i mbylljes joligjore dhe në urgjencë dhe me çdo çmim të televizionit të “Becchettit” dhe shkatërrimi në mënyrë barbare i kompleksit të kompanisë “Hysenbelliu”, në mes të sezonit turistik dhe në panik të plotë për pushuesit. Mentaliteti diktatorial se kush më sulmon mua, do të përfundojë si Becchetti dhe Hysenbelliu, do t’u rëndojë shumë rëndë taksapaguesve shqiptarë, të cilët do ta paguajnë babëzinë për pushtet, do të paguajnë qindra miliona euro për shkak të vendimeve të nxituara dhe arrogante të liderëve. Ndryshe nga Presidenti Obama që tha: “Unë u bëra President i Amerikës se asnjëherë nuk kisha thënë më parë se duhet të bëhem president”, liderët parafabrikatë shqiptarë e fillojnë karrierën e tyre për pushtet të kufizuar politik dhe ekonomik me një strategji shpëlarjeje truri/washing brain, se ata janë të përzgjedhur të zotit, kanë mbështetje ndërkombëtare dhe mund të shtypin këdo që iu del përpara si pengesë për ambiciet e tyre.
Ata investojnë në media për të krijuar idenë se vendi i dytë është zënë në lidershipin politik të partive të tyre. Ata japin mesazhin se i dyti do të jem unë, prandaj përqendrohuni tek unë, punoni për mua, financoni për mua. Por ambicia e tepruar dhe mungesa e durimit shpesh çojnë në dështim politik. “Politikanët dhe pelenat duhet ndërruar shpesh dhe për të njëjtën arsye, sepse bëhen shpesh pis”. Ky konkluzion cinik thekson nevojën alarmante për një ndryshim rrënjësor në kulturën politike. Duhet të ndalet promovimi i liderëve me integritet të dobët, të cunguar dhe të deformuar. Fatkeqësisht, edhe përzgjedhjet personale të kryetarëve të partive që kanë formën e kompanive private me një aksioner të vetëm për zgjedhjet parlamentare 2025, kanë pasur si kriter përzgjedhës vetëm besnikërinë e verbër ndaj liderit, edhe pse integriteti i tyre publik dhe politik është i cenuar rëndë. Nëse përfaqësimi politik nuk ndryshon, nëse nuk reduktohet në thelb promovimi i liderëve pa integritet të lartë, e ardhmja e demokracisë sonë do të jetë e zymtë, zhgënjyese dhe penguese për të ardhmen tonë, më të mirë se e shkuara dhe e tashmja.