Kryetari i Kuvendit Ilir Meta pret delegacionin e Kongresit të SHBA-ve

Politika

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta priti sot një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili kryesohej prej Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Ligjore z. Bob Goodlatte.

Kryetari i Kuvendit z. Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri kongresmenëve amerikanë dhe vlerësoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në drejtim të forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.

Kongresmeni Goodlatte, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërparlamentar mes dy vendeve përcolli përshëndetjet më të ngrohta të Kryetarit të Kongresit Amerikan z. Paul Ryan dhe e uroi z. Meta për zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës.

Gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend me fokus të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, avancimin e reformës zgjedhore, zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, rritjen e buxhetit në fushën e mbrotjes në kuadër të NATOs dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe kredencialeve demokratike të Shqipërisë.

Dy palët diskutuan gjithashtu edhe mbi forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të trafiqeve të paligjshme të lëndëve narkotike dhe kultivimit masiv të drogës në vend si një aktivitet që lidhet edhe me rrezikun e terrorizmit dhe krimit të organizuar në të gjithë rajonin.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, u theksua rëndësia e forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA duke ndarë bindjen se Shqipëria është një partner solid i NATOs me peshë të rëndësishme për avancimin e axhendës euro-atlantike të vendeve fqinje. Në këtë kuadër z. Meta vuri në dukje se forcimi i sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit, ku SHBA kanë interesa strategjikë afatgjatë.

Në përfundim Kryetari i Kuvendit z. Meta nënvizoi se pavarësisht sfidave dhe problemeve në vend, Shqipëria është e përkushtuar ndaj axhendës së saj euro-atlantike dhe populli shqiptar ndjehet mirënjohës për miqësinë e veçantë me Shtetet e Bashkuara, e cila kontribuon në zhvillimin demokratik dhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.

Delegacioni i Kongresit Amerikan përbëhej prej Kryetarit të Komisionit të Ligjeve z. Bob Goodlatte, z. Steve King, z. Dave Trott, z. Matt Gaetz, z. Peter DeFazio, z. David N. Cicilline si dhe prej Ambasadorit të SHBA në Tiranë z. Donald Lu.

Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta shoqërohej prej Nënkryetares së Kuvendit znj. Valentina Leskaj, Nënkryetarit të Kuvendit z. Shpëtim Idrizi, Kryetares së Komisionit të Jashtëm znj. Arta Dade, Kryetares së Komisionit të Ligjeve znj. Vasilika Hysi si dhe prej Ambasadores së Shqipërisë në SHBA znj. Floreta Faber.