Kuvend, Rama: Të respektohet rregullorja, nuk jemi në Shtëpinë e Oficerëve.

941

rama ne focusnewsKuvendi i Shqipërisë ka nisur sot seancën plenare për shqyrtimin e kërkesës për autorizim nga ana e Kuvendit drejt  Prokurorisë së Përgjithshme për arrestimin e deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku. Seanca është ndezur me debate të ashpra mes kryeministrit Rama dhe opozitës, ku kreu i qeverisë i kërkoi disa herë drejtuesit të seancës të respektojë rregulloren e Kuvendit. “Në të kundërt, – tha Rama, – Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste do të tërhiqet”.

Po ashtu, ka pasur replika edhe mes Berishës dhe Metës, ku ky i fundit e ka cilësuar ish-kryeministrin si “zëdhënës të Tomës”.

Kryetari i Kuvendit ka akuzuar dhe deputetin Doshi se ka falsifikuar raportin mjekësor të mungesës së tij në Këshillin e Mandateve para pak ditësh. Meta tha se “një keqbërës si Doshi kërcënon Prokurorinë”.

Sali Berisha: “Ilir Meta është i akuzuar për porositjen e dy vrasjeve, i dërgoi Durim Bamit xhelatin se të pres kokat e dy fëmijëve po fole. Meta është i akuzuar për dy vrasje dhe manipulimi i akuzave po bie si një kështjellë rëre. Nëse kjo është e vërtetë, aty në vendin tënd Dule, duhej të ishte Ilir Meta dhe jo ti. Të gjitha rrugët të çojnë te Ilir Meta. E vërteta është me zë dhe figurë se i kanë dërguar në qeli Bamit për t’ia kthyer mendjen. Nuk i mohohet deputetit kërkesa për provën. Po bëhet gjithçka për të mbrojtur një njeri që ka porositur dy vrasje”.

Edi Rama: “Ky nuk është klubi i Shtëpisë së Oficerëve. T’i japim fund historisë, ku çdo të enjte ne shkelim rregulloren. Mendimet dhe muhabetet e Shtëpisë së Oficerëve le t’i bëjnë atje, këtu jemi në Kuvend. Po ju kërkoj edhe një herë të respektoni rregulloren zoti Dule, përndryshe ju siguroj se Partia Socialiste do tërhiqet nga Parlamenti. Ky Parlament është bërë qesharak duke u shkelur rregullorja dhe duke ikur çdo të enjte nga çështjet që janë shqetësuese për popullin shqiptar. Mjaft më me këtë farsë dhe teatër absurd”.

Ilir Meta: “Deputeti (Doshi) ka falsifikuar raportin mjekësor për t’iu shmangur ballafaqimit me të vërtetat, duke marrë raport mjekësor te një mjek që punon në një spital privat, bashkëshortja e të cilit punon te Profarma. Doshi është një falsifikator. Kishte pesë avokatë mbrëmë në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, dy të vërtetë dhe 3 të opozitës. Një keqbërës që kërcënon Prokuorinë. Të keni durim dhe qetësi, gjërat do të zbardhen deri në fund. Zëdhënësi i Tomës (Berisha) foli për xhelat, por nuk kam keqardhje për atë njeri”.

Shqip.com

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: