KUVENDI I DYTË I DIASPORES SHQIPTARE NË GREQI

Emigracioni Greqi Kryesore

Nga ETMOND GURI /

Më datë 5 prill 2025, në qytetin e bukur të Hanjas në Kretë, u mbajt me sukses Kuvendi i II i Diasporës Shqiptare në Greqi, një ngjarje me rëndësi të veçantë për mbarë komunitetin shqiptar në Greqi.

Kuvendi mblodhi së bashku përfaqësues të shoqatave shqiptare nga të gjitha krahinat e Greqisë, figura të njohura të diasporës, akademikë, aktivistë dhe të ftuar të nderit. Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte forcimi i lidhjeve mes shqiptarëve në diasporë, promovimi i kulturës shqiptare dhe shqyrtimi i sfidave dhe mundësive që përballet komuniteti në Greqi.

 

Ky Kuvend është një dëshmi e gjallë e unitetit dhe forcës sonë si komunitet. Është koha që të punojmë së bashku për një diasporë më të bashkuar dhe më të zëshme. Gjatë punimeve të kuvendit u diskutuan tema të rëndësishme që prekin jetën e shqiptarëve në Greqi, si:

– Integrimi dhe përfaqësimi i denjë në jetën publike; – Promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut për shqiptarët në Greqi;

– Përforcimin dhe ruajtja e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare nëpërmjet edukimit dhe programeve kulturore; – Bashkëpunimin institucional me autoritetet greke dhe shqiptare për lehtësimin e sfidave që përballet komuniteti.

– Fuqizimi i organizatave dhe iniciativave komunitare.

– Rritjen e integrimit social, ekonomik dhe kulturor të diasporës në shoqërinë greke; Kuvendi miratoi një sërë rekomandimesh dhe propozoi hapat konkretë për bashkëpunim të mëtejshëm mes përfaqësuesve të diasporës, duke u angazhuar për organizimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe rritjen e ndikimit të zërit shqiptar në shoqërinë greke.

Në përmbyllje të aktivitetit, organizatorët shprehën mirënjohjen më të thellë për mikpritjen dhe kontributin e çmuar të Lidhjes së Shoqatave Shqiptare në Kretë, e cila luajti një rol kyç në realizimin e suksesshëm të Kuvendit të II të Diasporës Shqiptare në Greqi.

Një falënderim i veçantë për kryetarin e Lidhjes, z. Lulzim Cina, për angazhimin, përkushtimin dhe mikpritjen bujare që u tregua gjatë gjithë zhvillimit të aktivitetit.

Kuvendi përfundoi me miratimin dhe firmosjen e një deklarate (Preambulë) për bashkëpunim dhe solidaritet të mëtejshëm.