Marrëveshja, projekt gjerman me angazhim amerikan, me impakt afatgjate

Kryesore Politika

Kastriot ISLAMI / Në çdo vend me demokraci të stabilizuar, konkurenca, hierarkia sipas meritës e debati janë bashkëshoqëruese të negocimit dhe marrëveshjeve. Madje edhe të kompromiseve ne funksion të interesit publik dhe/ose të interesave të mëdha të vendit apo kombit. Në vendet me demokraci hibride, sic është Shqipëri, edhe konkurenca është e deformuar, edhe debati në shumicën e rasteve zëvëndësohet nga monologjet apo lufta personale. Hierarkia zëvëndësohet nga klientelizmi e nepotizmi. Negocimet mungojnë, marrëveshjet nuk ekzistojnë apo duke qënë të njëanshme ose nuk respektohen, nuk zbatohen, imponohen apo prishen lehtësisht. Kompromisi konsiderohet dobësi. Kjo është arsyeja që shtetet me demokraci hibride janë të dobët. Stabiliteti është i kërcënuar lehtësisht. Qytetarët janë për një farë kohe të shtypur e të ndrydhur dhe vjen një moment e shpërthejnë. Ky ka qënë dhe ishte së fundmi edhe rasti i Shqipërisë.

  1. Vëmëndje e lartë e Gjermanisë dhe angazhim intensiv i SHBA…

Vëndet e rëndësishme, BE e më konkretisht Gjermania e SHBA, të interesuar jo vetëm për stabilitetin e Ballkanit e në rastin konkret të Shqipërisë, por edhe të avancimit të procesit demokratik e të integrimit në BE vazhdojnë të mbeten të angazhuar fuqimisht për të mbështetur Shqipërinë në këtë rrugëtim të vështirë. Ndërkohë rajoni, dhe Shqipëria, për shkak të korrupsionit të lartë, të lidhjeve të krimit me shtetin dhe narkotrafiqeve, mbi të gjitha në funksion të manipulimit të zgjedhjeve, cuan në një polarizim dhe acarim politik të skajshëm, deri në kufijtë e destabilizimit të vëndit. Në këto kushte, do të zgjohej vëmëndja e lartë e BE, konkretisht  e Gjermanisë dhe SHBA për të rivendosur rajonin, dhe në rastin konkret edhe Shqipërinë, në binarët e zhvillimeve demokratike që garantojnë stabilitet dhe sigurojnë mirëqënie për qytetarët. Paketa gjermane me angazhimin amerikan do të përbënin mekanizmin konkret që palët përmes negocimit dhe marrëveshjes së arritur të kapërcenin krizën dhe rivendosnin sistemin në dinamikën e normalitetit.

  1. Dinamika ngërc-tension politik- negocim-marrëveshje…

Shumë vetë e lexojnë në mënyra të ndryshme situatën para marrëveshjes, procesin e negocimit dhe marrëveshjen. Kjo është fare normale. Kjo është arsyeja që po jap një këndvështrim pa pretenduar të ndryshoj mendimet e ndryshme:

  1. Gjithcka deri te procesi i negocimit dhe formatimit të marrëveshjes është zhvilluar sipas “traditës shqiptare” po të kemi parasysh keqqeverisjen e vëndit dhe raportet mes maxhorancës e opozitës…Kjo shpjegon përse palët, edhe maxhoranca e stërmadhe me arrogancën e saj edhe opozita kanë pasur pozicione “tejet të larguara” për të mos thënë “ekstreme” gjë që shpjegon edhe tensionin e lartë politik. Ndërkohë që opozita gjatë të gjithë kohës është shprehur se është e angazhuar për të ndryshuar këtë situatë në fund të fundit vetëm përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pra liderdshipi i opozitës ka qënë i ndërgjegjshëm se beteja e saj e gjatë, katër vjecare në parlament dhe 90 ditore në Cadër do të conin në një negocim me synimin për të arritur një marrëveshje që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. E thënë ndryshe kjo është arsyeja përse Lëvizja 90-ditore e opozitës përballë ngurtësisë së maxhorancës përfundoi me një negocim për të arritur një marrëveshje që siguron/garanton zhvillimin e zgjedhjeve te lira e të ndershme…Dhe kjo do te ndodhte përmes një pakete “gjermane” të mbështetur fuqimisht nga amerikanët.
  2. Një marrëveshje është gjithnjë rezultat i një negocimi të sukseshëm apo disa seancave negociuese, rrugë tjetër nuk ka. Dhe Marrëveshja arrihet apo mund të arrihet vetëm kur të gjithë palët lëvizin, dikush më shumë e dikush më pak, nga pozicionet fillestare “tejet të larguara” apo ndryshe të quajtura “ekstreme”…Kjo ndodh gjithnjë kur synohet të arrihet objektivi përmes “rrugës së butë”. Kjo ka ndodhur edhe këtë rast…Ky ka qënë synimi i paketës gjermane dhe i angazhimit amerikan, pra të arrihet një marrëveshje përmes një negocimi duke e përjashtuar cdo rrugë tjetër përvec “rrugës së butë”. Madje mund të thuhet se ky ka qënë “imponimi” i tyre.

3.Pothuajse gjithnjë ndodh që pozicionet “ekstreme” shoqërohen shpesh me angazhime qytetare e organizime masive dhe retorikë “të fortë”, madje edhe me  “presione verbale” për të kaluar në qëndrime të tjera përvec asaj të “rrugës së butë” por lidershipi asnjeherë nuk devijon nga rruga për të ruajtur objektivin e ndryshimit të situatës që ndodhet në ngërc përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme, pra përmes “rrugës së butë”. .Edhe këtë rradhë kështu ka ndodhur sepse prezenca gjermane dhe angazhimi amerikan kanë qënë të fuqishme dhe drejtuesit e palëve gradualisht janë akomoduar me procesin që do te conte në negocim e më tej në marrëveshje. Natyrisht duke pasur informacion më të bollshëm por edhe më të hershëm se të gjithë të tjerët ata kane qene me te “qarte” se kushdotjeter.

  1. Suksesi i zbatimit të marrëveshjes në duart e shqiptarëve…

Pyetja që shtrohet më shumë të drejtë është nëse Marrëveshja do të jetë  efikase apo e suksesshme në funksion të arritjes së objektivit të zgjedhjeve të lira e të ndershme..A është ajo neutrale për palët apo e shtruar ndryshe, cila palë do të mund të favorizohej nga marrëveshja. Normalisht apo e thënë apriori, derisa palët kanë rënë dakord për të bërë një Marreveshjë atëherë ajo mendohet se do të jetë e suksesshme dhe se palët janë të barabarta përballë saj, përndryshe ajo nuk do të mund te arrihej apo firmosej.. Sigurisht që pikëpyetja mbetet sesi do të zbatohet ajo dhe nëse janë të gjithë garancitë që ajo të zbatohet ashtu sic është shkruar, pra me efikasitet e ndershmëri…Kjo eshte nje pyetje qe do te mbetet prezente ndonese gjasat duken se ajo do te aplikohet me sukses dhe efikasitet…Natyrisht në fund të fundit, suksesi i saj do të varet perfundimisht nga vlerësimi i ndershëm i palëve ne mbarim te zgjedhjeve por edhe i ‘arbitrit” që për zgjedhjet është ndërkombëtar.

Syri.net