Largimin nga Shqipëria nuk e kisha menduar kurrë, madje as në vitin 1997, kur nën emergjencën e kërcënimit për jetën, emigrimi shihej si e vetmja mundësi.
Mbase e nxitur edhe nga prindërit që më përsërisnin vazhdimisht fjalinë: “Do bëhet një ditë Shqipëria”, vendosa të rri e madje të përpiqem që çdo ditë, të ndihmoj për ta bërë Shqipërinë dhe veten, ashtu siç prindërit më mësuan, me punë të ndershme. Por sot, prindërit e mi ndjehen të penduar për fjalinë që më ngulën në kokë për vite me radhë. Tani ata më thonë: “Nuk bëhet Shqipëria” dhe ju duket shumë vonë për çdo vendim tjetër. E kur thonë nuk bëhet Shqipëria, prindërit e mi nuk e kanë fjalën as për rroga apo pensione të mira dhe as për jetë luksi e makina të shtrenjta. Kur thonë “nuk bëhet Shqipëria”, ata e kanë fjalën për vetë jetën. Ndaj këtë radhë nuk më ndaluan, kur vendosa të aplikoj lotarinë amerikane, edhe pse u kërkova një motiv për të qëndruar në Shqipëri. Për fat të keq askush nuk ma dha këtë motiv: as realiteti, as miqtë e tashmë as prindërit, që me mësuan deri sot: se guri rëndon në vendin e vet. Por me sa duket, shqiptarët nuk duan të jenë më gurë që rëndojnë. Në një sondazh të realizuar nga Opinion.al vetëm pak ditë më parë, të pyetur nëse mendojnë të largohen nga Shqipëria drejt një vendi tjetër për të ardhme më të mirë, 91% e votuesve kanë thënë “po”.
Dhe e dini çfarë?
Ky ka qenë një ndër sondazhet më të votuar në faqe, duke arritur një numër rekord prej 5 mijë pjesëmarrësish. Dëgjoj shumë miq që duan të ikin. Disa për të gjetur një punë që nuk e kanë, disa për të ardhmen e fëmijëve, disa për një jetë më të mirë pa strese dhe telashe. Unë nuk kam asnjë nga këto arsye, sepse të gjitha më duken shumë përpara vetë jetës. Unë dua të iki, thjesht për të jetuar, sepse në Shqipëri jeta vlen shumë pak.
Disa javë më parë, përcolla në parajsë një njeri shumë të dashur për mua.
E dini pse? Sepse në orët e vona, një natë të mërkure ai pësoi infarkt të miokardit…Dhe fati nuk ishte me të. Sepse tashmë jemi nuk e di sa milionë shqiptarë që jetën tone ja kemi lënë në dorë fatit, edhe pse paguajmë sigurime, edhe pse na zhvasin nga taksat, edhe pse na flitet për shëndetësi falas e nuk kemi ku të shkojmë. Dyert na përplasen në fytyrë nëse nuk kemi miq apo lekë të zgjidhim një hall. Por edhe kur paguajmë, edhe kur gjejme miq, përsëri na bie në kokë. Shteti tek ne ka vdekur, ndaj fati është e vetmja derë ku mund të trokasim. Por atë natë, fati nuk qe me ne. E dini pse? Sepse në reanimacionin e kardiologjisë, dikush kishte lënë roje një praktikant, për më tepër të paaftë. Një praktikanti i kardiologjisë, që për më shumë se tetë orë nuk arriti të diagnostikojë një pacient me infarkt, pavarësisht këmbënguljes së familjarëve për anamnezën. Nën “kujdesin” e këtij praktikanti, (që me siguri tani po i shkurton orët ndonjë pacienti tjetër) ky njeri pësoi edhe dy infarkte të tjera. Kur mëngjesi zbardhi, ishte vonë për të ndërhyrë…. Ishte vonë për të jetuar.
Ky ishte mësimi më i hidhur që Shqipëria më dha mua dhe gjithë të afërmve të mi. Ky ishte mësimi më i kushtueshëm, që qëndrimi në Shqipëri na dha si kosto për besnikërinë, dashurinë apo parimet tona për vendin dhe jetën. Në një vend ku është vonë për të jetuar, por ka kohë për import mbetjesh, për shitje konçensionesh, për abuzime tenderash dhe për gjithë të tjerat unë nuk gjej dot më motivin, nuk gjej dot busullën, nuk gjej dot jetën. Të tjerat janë thjesht shtojca. Por nëse më jepni një motiv, unë do vazhdoj të rri në Shqipëri. Kur flas për motiv, nuk e kam fjalën për ujë, punësime apo për rrugë të pastra. Kur them motiv e kam fjalën për vetë jetën, me ose pa të tjerat, u mësuam tashmë. Për fat të keq, vazhdoj të besoj që në Shqipëria jeta vlen shumë pak, ndërsa për mua është më e çmuara. /Opinion.al/