Tiranë – Me rastin e 95-vjetorit të krijimit të Parlamentit të Shqipërisë, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, deklaron se institucioni që ai drejton ka pësuar një degradim të vazhdueshëm në këto 2 dekadat e fundit. Sipas Metës, Kodi i Etikës që po përgatitet nga grupet parlamentare në bashkëpunim me OSBE, do të mundësojë kthimin e përgjegjshmërisë në sallën e Parlamentit. “Niveli i parlamentarizmit ka pësuar një degradim në raport me fillimvitet 1990. Edhe iniciativa e fundit për bashkëpunimin pozitë-opozitë për të ngritur nivelin e parlamentarizmit duhet parë si një mundësi për të nxjerrë mësime nga e kaluara për t’u ngritur në ato nivel përgjegjësish që kërkon vendi dhe qytetarët tanë dhe të mos shfrytëzohet për lojëra meskine që prodhojnë lajme që nuk zgjasin më shumë sesa disa minuta. Kërkohet një etikë e re parlamentare dhe përgjegjshmëri. Ne kemi bashkëpunuar me OSBE dhe shpresojmë që të gjithë grupet parlamentare ta nënshkruajnë këtë etikë të re në mënyrë që fjala të ketë vlerë e të mos keqpërdoret”, deklaroi Meta. Në aktivitetin e djeshëm “95 vjet Parlamenti i parë shqiptar”, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, u shpreh se duhet të bashkohemi akoma më shumë që të rrisim emrin e Shqipërisë. “Sfidat mbeten të rëndësishme. Duhet të përqendrojmë debatin midis pozitës dhe opozitës, si t’i shërbejmë përballimit efekteve të jashtme. Duhet të bashkohemi akoma më shumë se si të rrisim emrin e Shqipërisë dhe kontributin e Shqipërisë si një vend anëtar i NATO-s dhe jo si të dëmtojmë imazhin e një vendit tashmë prej vitesh anëtar i kësaj aleance, sepse edhe sfidat e sigurisë janë të mprehta, që nga kriza e Ukrainës, që nga problemet të cilat shfaq i ashtuquajturi Shteti Islamik i ISIS, përpjekjet e tyre për të ndikuar në rajonin tonë, e kështu me radhë”, tha Meta. Ai vlerësoi kontributin e Kongresit të Lushnjës më 27 mars 1920, ku u mblodh Parlamenti i parë. Kryetari i Kuvendit u shpreh se ky kongres ishte një akt madhor ndërgjegjësimi i personaliteteve për t’iu imponuar shteteve të huaja, ndërsa shtoi se sot parlamentarët duhet të reflektojnë e të tregojnë se janë përfaqësues të denjë të atyre që bënë Kongresin e Lushnjës. “Nuk do doja të bëja histori, por me bindje të plotë mund të them se Kongresi i Lushnjës ishte një akt madhor ndërgjegjësimi i personaliteteve më të shquara e të përgjegjshme të vendit tonë për t’i dhënë fund ekzistencës së brishtë të shtetit shqiptar, por edhe për të penguar asgjësimin e këtyre arritjeve dhe mbi të gjitha për t’u imponuar duke treguar fuqi reale”, tha Meta.