Prononcim për mediat i Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta
Edhe një herë tjetër dua t’ju falënderoj për vëmendjen dhe angazhimin tuaj plot përkushtim për të ndjekur ecurinë e vazhdimit të reformës në drejtësi, në kuadër të zbatimit dhe të ndryshimeve Kushtetuese për këtë reformë madhore.
Sikurse ju jeni në dijeni tashmë komisioni për reformën është duke punuar dhe duke vazhduar seancën e mëparshme, ku përfaqësuesit e opozitës paraqitën pikëpamjet e tyre për ligjin për Vetting-ut dhe sot po jepen opinionet e EURALIUS dhe të ekspertëve ndërkombëtarë lidhur me këto mendime apo këto pretendime të përfaqësuesve të opozitës.
Të shpresojmë të vazhdojmë në një frymë konstruktive, jo vetëm për këtë ligj për të cilin duhet të planifikojmë një seancë të suksesshme shumë shpejt në mënyrë, që edhe deputetët të njoftohen nga grupet parlamentare për pjesëmarrjen e tyre, por njëkohësisht vazhdon edhe puna dhe kërkohet të intensifikohen përpjekjet edhe për dy ligjet e tjera, për të cilat kemi rënë dakord që të diskutohen dhe miratohen brenda 30 gushtit, ato të qeverisjes gjyqësore dhe të Prokurorisë Speciale anti-korrupsion.
Ftoj përfaqësuesit e opozitës që të përqendrohen edhe tek këto dy ligje për të dhënë mendimet e tyre në mënyrë që përsëri të kemi një mbledhje të komisionit për të dëgjuar mendimet e tyre, por edhe të ekspertëve ndërkombëtar lidhur me këto dy ligje.
Shumë shpejt sikurse e thashë shpresojmë të fiksojmë datën për të miratuar ligjin për Vetting-un, por njëkohësisht edhe një datë tjetër për dy ligjet e tjera brenda 30 gushtit dhe më pas do të vazhdojmë edhe me ligjet e tjera në kuadër të 7 ligjeve të para dhe të paketës prej 40 ligjesh.
Pyetje nga gazetarët
Meta, do të thërrisni Konferencën e Kryetarëve në qoftë se merrni sinjale që në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi gjatë ditës së sotme nuk do të ketë konsensus për të miratuar projektligjin e Vetting–ut me të gjitha opinionet e të gjitha palëve?
Së pari, ne presim të përfundojë takimi. Më pas të shohim diferencat, pra sa larg konsensusit jemi dhe për çfarë çështjesh bëhet ky diskutim në mënyrë që të kemi mundësi që të mbledhim Konferencën e Kryetarëve apo të diskutojmë me Kryetarët e Grupeve, me Kryetarin e Komisionit të Posaçëm, me Nënkryetarin e Komisionit si përfaqësues i opozitës, me përfaqësuesit ndërkombëtar, me përfaqësuesit e Bashkimit Europian dhe SHBA, që të ecim sa më shpejt në mënyrë të suksesshme përpara.
Çfarë do të ndodhë me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi? Presidenti i Republikës vendosi dje të mos ushtrojë kompetencën e tij për hedhjen e shortit dhe ndryshimet kushtetuese parashikojnë që është Kryetari i Kuvendit që brenda 10 ditësh e merr përsipër hedhjen e shortit?
Mendoj se Presidenti i Republikës ka vepruar në mënyrë të përgjegjshme. Në rast se ai nuk ka mundësi të ushtrojë mundësinë e tij, kjo është përgjegjësia jonë si Kuvend që duhet të plotësojmë kuadrin ligjor, që dhe Presidenti të ushtrojë mundësinë e tij. Pra, nuk është mungesa e vullneti të tij për të ushtruar këtë përgjegjësi kushtetuese, por është pamundësia për shkak të vakumit ligjor që unë shpresoj të përmbushet shumë shpejt nga Kuvendi dhe përfaqësuesit e grupeve janë të ndërgjegjshëm për këtë gjë
Meta, duket sikur jeni bërë zëdhënës i Reformës në Drejtësi, zëdhënës i Komisionit të Reformës. Jeni në dijeni nëse do të ketë konsensus në ligjin e Vetting–ut, sepse PD ka 55 faqe me kritika për ligjin?
Fakti që PD ka 55 faqe me kritika, mendoj që është një gjë pozitive, sepse tregon që ata janë përqendruar, janë thelluar, kanë studiuar. Por PD është shprehur dakord dhe ka votuar me konsensus edhe çështjen e Vetting-ut në ndryshimet kushtetuese edhe praninë e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, dhe për gjithë çështjet e tjera. Shpresoj që të ndihmojnë në përmirësimin, pasurimin e këtij ligji dhe jam i bindur që kjo çështje do të zgjidhet me sukses, sepse ekziston vullneti. Ky vullnet është shprehur tek angazhimet kushtetuese, nuk ka asnjë arsye përse të mos realizohet tek ky ligj apo dhe tek ligjet e tjera të rëndësishme.
Në çdo rast, qëndrimi i LSI cili është, edhe sikur të mos arrihet konsensusi?
Për qëndrimin e LSI, z. Vasili mund të jetë edhe më i qartë se sa unë, por besoj se qëndrimi është ky: që duhet të vazhdojmë në linjën e konsensusit. Dhe për ne është shumë e rëndësishme të shohim vlerësimet e përfaqësuesve të EURALIS dhe të ekspertëve ndërkombëtar, sepse mendoj që këto janë shumë të rëndësishme për ecurinë e gjithë këtij procesi.
Meta, tek një nga ligjet që ka ardhur aktualisht, tek ligji i SPAK-ut, është një formulim që ruan pavarësinë e prokurorëve të posaçëm, por që përfshin edhe median ku thuhet se ushtrimi i paligjshëm i influencës përmes mediave dënohet me ligj. A ka dyshime se këtu mund ta pësojë media me fjalën e saj të lirë? A mund të hyni ju garant që kjo të mos ndodhë për shembull?
Nuk jam këtu për të diskutuar për formulime të caktuara, aq më tepër kur bëhet fjalë për projektligje që janë në diskutim, që janë në përmirësim, por unë nuk besoj se në çdo rast ka përpjekje dhe ka iniciativa për të cenuar lirinë e medias.
Meta, a do ta ushtrojë mazhoranca numrin e saj të votave për të kaluar projektligjet që kërkohen për të plotësuar kuadrin kushtetues të ndryshuar tanimë në qoftë se Partia Demokratike nuk do të jetë dakord që misioni ndërkombëtar, mazhoranca, dhe vetë opozita, të gjejë konsensusin për propozimet e opozitës?
Nuk e besoj që opozita në mënyrë të qëllimshme të bllokojë konsensusin dhe nuk ka asnjë arsye. Ata kanë marrë vetë angazhime edhe përpara partnerëve ndërkombëtarë që do të kontribuojnë në mënyrë konstruktive. Për të ushtruar çështjen e 84-85 apo më shumë votave, kjo nuk është një gjë shumë e rëndësishme, sepse mund të bëhet në çdo moment, por e rëndësishme është të mos cenohet ecuria, jo vetëm e konsensusit, por edhe të gjithë procesit përpara.
PD apo opozita mund të ndjekë rrugë të tjera për të kontestuar këto ligje dhe tani kemi Kushtetutën e re. Mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, sikurse e ka bërë këtë gjë të qartë apo mund t’i drejtohet dhe Komisionit të Venecias. Në rast se për çështje të parëndësishme, jothelbësore nuk jep konsensusin e saj atëherë kjo do të jetë një përgjegjësi e PD-së, por unë besoj që është shumë herët të paragjykojmë.
Duhet të jemi të qetë dhe të shohim dallimet, diferencat për ne në çdo rast. Absolutisht që opinionet e Brukselit janë shumë të rëndësishme.
Sepse dy mendoj unë janë shtyllat kryesore ku duhet të mbështetet suksesi i kësaj reforme: e para është konsensusi ose një klimë e përgjegjshme politike për të garantuar pavarësinë e institucioneve të reja të drejtësisë, pra që ato të jenë sa më pak të ndikuara nga përplasjet e forta dhe të tepërta politike.
Dhe e dyta është Operacioni i Monitorimit Ndërkombëtar dhe ky është një garanci tjetër, duke pasur parasysh këtë klimë politike ende jo shumë të qëndrueshme dhe konstruktive.
Meta, kandidati për Dibrën, Muharrem Rama, a ka edhe mbështetjen e LSI-së dhe si e cilësoni padinë që ka bërë në Gjykatën Administrative PS-ja ku kërkonte pezullimin e efekteve dhe anulimin e dekretit të Presidentit për datën e zgjedhjeve?
Zgjedhjet në Dibër nuk janë një temë kombëtare mendoj unë, por janë një temë krejtësisht lokale, janë zgjedhje aksidentale që po ndodhin atje.
Së dyti, në vlerësimin tim, është e rëndësishme që ato të trajtohen si zgjedhje lokale nga të gjithë palët. Të zhvillohen të qeta, të jenë të lira, të ndershme, larg këtyre tensioneve dhe provokimeve të panevojshme.
Dhe përsa i takon çështjes së LSI-së nuk dua t’ia lë të gjitha vështirësitë z. Vasili, mund të jap edhe unë një përgjigje për këtë çështje, shpresoj edhe në mirëkuptimin e tij. Këto janë çështje lokale dhe dega lokale e LSI-së ka pasur dhe ka marrëveshjet e saj me degën lokale të Partisë Socialiste dhe do të ecim duke i qëndruar këtyre marrëveshjeve.
Po për ankesën e Partisë Socialiste ndaj dekretit të Presidentit?
Për këtë nuk kam asnjë koment, respektojmë vendimet e gjykatave.