Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, priti Ministrin për Tërheqjen e Investimeve të Huaja të Maqedonisë, z. Arlind Zeqiri, me të cilin biseduan mbi forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë në drejtim të promovimit të rajonit ndaj komunitetit të investitorëve të huaj.
Kryetari i Kuvendit, Meta dhe Ministri Zeqiri ndanë bindjen e përbashkët se në kontekstin aktual gjeopolitik botëror i gjithë rajoni i Ballkanit ka shanse më të mëdha për tërheqjen e investitorëve të huaj dhe në këtë kuadër, të dy vendet fqinje duhet të punojnë më ngushtë për koordinimin e qasjeje rajonale për investimet si dhe në përgatitjen e projekteve ndër-kufitare ku ndërlidhja infrastrukturore mbetet prioritet. Meta u shpreh se Kuvendi i Shqipërisë përshëndet pjesëmarrjen e të rinjve shqiptarë profesionistë në qeverisjen e Maqedonisë dhe theksoi se cilësia e përfaqësimit politik shqiptar në Maqedoni i shërben rritjes së zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së zonave me popullsi shqiptare.
Në përfundim, z. Meta rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj proceseve integruese euro-atlantike të Maqedonisë dhe theksoi se mbarëvajtja e zgjedhjeve të dhjetorit do t’i shërbejë stabilitetit dhe avancimit të këtyre proceseve.