Gjosha: LSI do të bëhet më e fortë me energjinë dhe punën e palodhur të të rinjve

823

gjoshaj ne pogradec

Almarina GEGVATAJ /   Në Pogradec, Klajda Gjosha dhe Nënkryetari i LSI-së, Endrit Braimllari, zhvilluan një takim me strukturat e LSI-së në këtë qytet. Në këtë takim u bisedua rreth zgjedhjeve që do të mbahen në parti. Fokus të veçantë pati përzgjedhja e delegatëve me qëllim që Pogradeci të përfaqësohet në mënyrë sa më dinjitoze në Konventën Kombëtare të LSI-së.

Gjosha u shpreh se në këto zgjedhje të brendshme LSI-ja, vjen me kandidatë të cilët shpalosin platforma dhe ide të cilat i shërbejnë përmirësimit të saj.

“Kjo është gjëja më e rëndësishme për mirëfunksionimin e një partie. LSI-ja është partia e të gjithëve, ku progresi mundësohet duke ofruar alternativa, platforma dhe ide”,tha Gjosha.

Ajo kërkoi angazhim maksimal të strukturave për një përfaqësim sa më dinjitoz.

“Ne duhet të punojmë të gjithë bashkë që të hapim LSI-në,  ndaj njerëzve të mirëarsimuar, figurave me peshë në qytet, duke e shtuar me anëtarë të rinj, të cilët kanë potencialin për të kontribuar. LSI-ja ka nevojë  për këtë lloj fryme, ka nevojë të rritet më shumë dhe për këtë kërkohet angazhim i të gjithëve, në mënyrë që të përfaqësohemi sa më denjësisht”, tha Gjosha.

Ajo shtoi se LSI-ja është partia e dyerve të hapura, partia ku dëgjohet dhe respektohet zëri i gjithë qytetarëve dhe kjo frymë  pozitive është kryefjala e funksionimit të kësaj partie.

Gjosha, vuri theksin te riorganizimi i strukturave të rinisë, si shpirti i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

“LSI-ja është partia e të rinjve, ndaj është me shumë rëndësi puna me rininë. Janë të rinjtë ata që  do të jenë fytyrat e të ardhmes së LSI-së, janë të rinjtë që me vendosmërinë dhe energjinë e tyre do të ta bëjnë më të fortë këtë parti. Ekipi i të rinjve duhet të jetë më aktivi”, tha Gjosha.

Nënkryetari i LSI-së, Endrid Braimllari duke u ndalur në çështjet organizative, theksoi se respektimi i strukturave, mobilizimi i bazës, duhet të jetë maksimal, në mënyrë që  LSI-ja të ecë përpara dhe të forcohet akoma dhe më shumë, duke përfaqësuar sa më shumë njerëz në struktura.

Braimllari, u shpreh se përzgjedhja e 35 delegatëve të qytetit do të bëhet sipas parimit një anëtar, një votë dhe do të jetë një garë reale njësoj si ajo për zgjedhjen e kryetarit të përgjithshëm të LSI-së.

“Strukturat tona duhet të prodhojnë debat konstruktiv. Ne duhet të dëgjojmë çdo anëtar  në mënyrë që të përmirësohemi, duke qenë më pranë qytetarëve me zgjidhje konkrete. Ne do vazhdojmë të jemi të hapur e gjithëpërfshirës, pasi sfidat e vendit kërkojnë një ekip LSI-je gjithnjë e më të fortë. Kërkojnë një LSI përfaqësuese për të gjitha familjet e thjeshta shqiptare. Shqiptarët kanë nevojë për një forcë politike që i dëgjon dhe i qëndron pranë, tha Braimllari.

 

 

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: