Ekonomia, siguria dhe emigracioni do të jenë tre prej çështjeve kryesore në axhendën e samitit një ditor të vendeve mesdhetare të BE-së që zhvillohet sot në Athinë, me iniciativën e qeverisë së kryeministrit Alexis Tsipras.
Marrin pjesë, përveç kryeministrit grek, presidenti francez Hollande, kryeministri italian Renzi, presidenti qipriot Anastasiadhis, kryeministri maltez Muskat, ai portugez Costa dhe ministri plotësues spanjoll për çështjet e BE-së, Egithadhu. Siç bëjnë me dije burime qeveritare, qëllimi i këtij samiti është koordinimi dhe bashkëpunimi për integrimin e këndvështrimit mesdhetar në axhendën evropiane dhe zhvillimi i një vizioni të ri europian ndaj sfidave të përbashkëta me të cilat përballen shtetet anëtare të BE-së. Mini-samiti i Athinës nuk do të jetë një takim për shkëmbim mendimesh, por një samit nga i cili zonja Merkel duhet të dridhet, shkruan në mënyrë karakteristike gazeta gjermane “Die Ëelt”.
Liderët e vendeve jugore të BE-së synojnë të rrisnin influencën e tyre duke luftuar masat shtrënguese dhe balancat në Europë po ndryshojnë, vazhdon komentin gazeta, që shpjegon se tashmë boshti Paris-Berlin është i brishtë, po krijohen aleanca të reja, Franca kërkon partnerë të tjerë.
Ndërsa ata që jepnin tonin brenda unionit, tashmë kërcënohen që të dalin nga ecuria e tyre. Samiti i vendeve jugore të BE-së zhvillohet vetëm një javë përpara samitit të lartë të BE-së në Bratislavë.
(Burimi: Top channel)