Mininistrja e Arsimit denoncon skandalin shtetëror brenda ambienteve të institucionit

Aktualitet

Ministrja teknike e Arsimit Mirela Karabina ka bërë me dije përmes një deklarate për media se është krijuar një gjendje e rëndë si pasojë e shkeljeve të shtetasit Plarent Ndreca, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.

“Ndërhyrja e tyre në Protokollin e Institucionit dhe marrja në administrim e Serverave dhe të gjitha dokumentacionit arkivor e shkresor përbën një rrezik shumë të madh. Lëvizja e këtij shtetasi në mjediset e Ministrisë, me persona të armatosur, të paautorizuar është një skandal shtetëror që tregon uzurpimin e paligjshëm të institucioneve si manifestim i forcës përkundrejt ligjshmërisë, që nuk lejon vijimësinë e punës normale në këtë institucion”, thuhet në deklaratë.

Sqarimi i plotë i Ministrisë së Arsimit

Si rezultat  i veprimeve dhe ushtrimit të presionit të vazhdueshëm mbi të gjithë administratën kam hasur në bllokim të qëllimshëm të punës në të gjithë aspektet.

Kam ndjekur të gjitha procedurat e parashikuara ligjore duke garantuar respektimin e ligjit dhe të drejtave kushtetuese në bashkëpunim me të gjithë institucionet pantere.

Me Urdhrin e Ministrit të Arsimit dhe Sportit të datë 13. 06.2017 shtetasi Plarent Ndreca është pezulluar nga detyra dhe sipas Kallëzimin Penal te datës 12.06.2017 është në ndjekje penale për dyshime të arsyeshme në përfshirjen e tij në dëm të Maturës Shtetërore.

Në kundërshtim me aktet ligjore shtetasi Plarent Ndreca ka firmosur dje, me datë 27.06.2017 një Kontratë e Shërbimit me një Kompaninë Kontraktore duke krijuar situatë të paprecedentë në një institucion shtetëror. Aktualisht në MAS ka dy kompani private, njëra e ligjshme dhe tjera e kontraktuar nga z. Ndreca pas pezullimit nga detyra. Ky person ne vazhdimësi ka nënshkruar kontrata shërbimi dhe korrespondencë  zyrtare pas aktit te pezullimit në kundërshtim flagrant me të gjitha dispozitat ligjore.

Titullari i Institucionit e ka bërë prezent situatën në të gjithë strukturat shtetërore dhe vijon të kërkojë ndërhyrjen urgjente për normalizimin e punës dhe marrjen e institucionit në ruajtje. Gjatë ditës së djeshme dhe gjatë gjithë ditës së sotme, Policia e Shtetit nuk është përgjigjur asnjë thirrje për të ndërhyrë dhe normalizuar situatën e rrezikshme dhe të tensionuar që është krijuar në këtë institucion.

Ky demonstrim force dhe arrogance i këtyre njerëzve të paligjshëm, të përfshire në çështje të dyshimta nuk ka asgjë të përbashkët me ligjin. Ndërhyrja e tyre në Protokollin e Institucionit dhe marrja në administrim e Serverave dhe të gjitha dokumentacionit arkivor e shkresor përbën një rrezik shumë të madh. Lëvizja e këtij shtetasi në mjediset e Ministrisë, me persona të armatosur, të paautorizuar është një skandal shtetëror që tregon uzurpimin e paligjshëm të institucioneve si manifestim i forcës përkundrejt ligjshmërisë, që nuk lejon vijimësinë e punës normale në këtë institucion. Ky nuk është standardi demokratik i shtetit ligjor që është aspirata jonë e përbashkët.

Po ju bëj thirrje institucionale të gjithë strukturave shtetërore, Presidentit të Republikës, Kryeministrit, Prokurorisë së Përgjithshme, Policisë së Shtetit  dhe  të gjithë Trupit Diplomatik të akredituar në Republikën e Shqipërisë, për të marrë në konsideratë dhe për të ndërhyrë në normalizimin e kësaj situate tejet të rënduar e cila vjen ne kontekstin e zhvillimeve të reja politike në vend dhe gjatë proceseve të pranimeve në shkollat e larta.

Garantoj përkushtim tim maksimal në zbatim të Kushtetutës, ligjit dhe standardeve qytetare dhe demokratike. Duke ju falënderuar për bashkëpunimin.