Ndonjëherë pushtohem nga malli për babain.
Kujtoj ditët kur isha i lumtur dhe i zemëruar,
pse tekave të mia iu binte gjithmonë kokës
dhe unë ikja me nervat të bëra kaçurrel.
Ndonjëherë qaj dhe fshehtas lotët fshij,
i pushtuar nga inati që dot s’e mbajta në jetë.
Kaplohem nga kujtimet e kohës sonë,
si në krahë më mbante, si unë Daorsin sot.
Ndonjëherë, ah, ndonjëherë pendohem,
pse ditën s’e ndava pranë nënës sime.
Por erdha vërdallë rrugëve të Tiranës
dhe e kam gënjyer “Kam qenë shumë i zënë”.
Ndonjëherë veten shaj që kohën e lashë
të derdhej si uji nga kova e çarë në fund.
Ta mblidhja në grushte për ditë me radhë
dhe dritë më shumë të bëja me sytë e mi.
Ndonjëherë humbas në kujtimet e kohës,
si u rrita, u dashurova dhe u bëra baba.
Si zinxhiri i jetës po më plotësohet në rruaza
dhe lista më shtohet me jetë dhe me emra.