PEKIN – Kina e hapur për bisedime tregtare, por tarifat e larta amerikane mbeten pengesë

Bota Kryesore

Ministria e Tregtisë e Kinës tha dje në mbrëmje se Pekini po vlerëson qasje të shumta nga administrata Trump për bisedimet tregtare, por tarifat e larta të vendosura nga Uashingtoni duhet të hiqen.

 

Ministria tha se Kina ishte hapur për bisedime dhe e vendosur të luftonte nëse do të duhej. Ajo tha se tarifat e njëanshme deri në 145% ishin një pengesë, që minonte besimin.

 

“Luftërat e tarifave dhe tregtisë u iniciuan në mënyrë të njëanshme nga SHBA-ja, nëse pala amerikane dëshiron të flasë, duhet të tregojë sinqeritetin e saj dhe të jetë e gatshme të ndërmarrë veprime për çështje të tilla si korrigjimi i praktikave të gabuara dhe anulimi i vendosjes së njëanshme të tarifave”, tha Ministria e Tregtisë.

 

Një zëdhënës i paidentifikuar i ministrisë tha se Pekini kishte marrë shënim deklarata të ndryshme nga zyrtarë të lartë amerikanë që tregonin një gatishmëri për të negociuar mbi tarifat.

 

“Të thuash një gjë dhe të bësh një tjetër, apo edhe të përpiqesh të angazhohesh në shtrëngim dhe shantazh nën maskën e bisedimeve, nuk do të funksionojë për palën kineze”, tha ministria.

 

Që nga e premtja, administrata Trump i ka dhënë fund një përjashtimi pa taksa për importet me vlerë të ulët nga Kina.

 

Kjo do të thotë çmime më të larta dhe vonesa në dorëzim kur qeveria të fillojë të mbledhë tarifa për çdo dërgesë të vetme.

 

Pekini i është përgjigjur rritjes së tarifave të Trump duke rritur taksat e veta për importet e produkteve amerikane deri në 125%.

 

Gjithashtu Kina ka shtrënguar kufizimet për eksportet në SHBA të disa mineraleve strategjikisht të rëndësishme dhe ka ndaluar importimin e një game të gjerë produktesh bujqësore amerikane.

 

Në të njëjtën kohë, Kina është përpjekur të bashkohet me vendet e tjera për të ndërtuar një front të bashkuar kundër Trump, ndërsa ka rritur kundërmasat e veta ndaj ndikimit të tarifave të Trump.

 

Trump ka vendosur një taksë globale prej 10% për importet, për t’i detyruar prodhuesit të zhvendosin fabrikat sërish në SHBA.

 

Ai urdhëroi tarifa “reciproke” me dy shifra për shumë vende, por më pas e shtyu zbatimin e tyre për 90 ditë për të lënë kohë për negociata