Kerry-Bashës: Jam i shqetësuar për korrupsionin. Shqipëria, jo si Nigeria

940

kerri-2Si ish-ministër i Jashtëm, Lulzim Basha është mësuar me takime të nivelit më të lartë politik ndërkombëtar, por si kryetar i opozitës, deri mesditën e së dielës ai nuk kishte patur një takim më të rëndësishëm sesa atë me Sekretarin amerikan të Shtetit. Për më tepër, takimi i parë i këtij niveli pa Sali Berishën.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës te Partia Demokratike dhe te Lulzim Basha kanë dhe do të kenë gjithmonë një faktor të besueshëm dhe të vendosur për të mbështetur reformat që vendi ka nevojë për të ecur përpara”, tha Basha për Top Channel.
Në çdo rast, Berisha ishte në takimin me John Kerry-n. Ndonëse funksioni i tij zyrtar është këshilltar i politikes së jashtme të kryetari të PD, ish-ambasadori Mal Berisha, njeri i afërt dhe me lidhje gjaku me ish-kryeministrin e vendit, ishte ulur në krahun djathtë të delegacionit të opozitës.
Burime jozyrtare nga Partia Demokratike bëjnë të ditur për Top Channel se John Kerry dhe Lulzim Basha kanë rënë dakord që reforma në drejtësi të bëhet sipas standardeve europiane, gjë që zoti Basha e theksoi, kur foli për median pas takimit.
“E në këtë kontekst është dhe ecja përpara me reforma shumë të rëndësishme, siç është reforma në drejtësi, në përputhje me rekomandimet, normat, standardet e pranuara bashkërisht siç janë ato të Komisionit të Venecias”, deklaroi Basha.
Kreu i opozitës ishte i përmbajtur për të treguar detaje nga biseda me Sekretarin amerikan të Shtetit, por çfarë ra në sy, gjatë intervistës për Top Channel menjëherë pas takimit, ishte këmbëngulja për të zgjidhur me konsensus çështjen e reformës në drejtësi, të cilën amerikanët e shohin si mekanizëm për luftën kundër korrupsionit.
“Të punojmë së bashku me konsensus për një reformë, e cila duhet të zgjasë më shumë se jeta e kësaj mazhorance, e mazhorancës së ardhshme apo çdo mazhorance tjetër në dekadat që vijnë”, tha kreu i opozitës.
Dhe pikërisht korrupsioni ka qenë një pikë e rëndësishme, ku sipas burimeve të Top Channel, Sekretari Kerry është ndalur me delegacionin e opozitës, duke përmendur modelin më tipik të korrupsionit botëror. Ai është shprehur përballë Bashës dhe të tijve me një fjali të qartë:
“Nuk dua që Shqipëria të jetë shqetësim për korrupsionin si Nigeria”, ka thënë Kerry.
Kjo fjali mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, por për amerikanët fjala korrupsion lidhet vetëm me një fjalë tjetër: Byroja Kombëtare e Hetimit.
Në intervistën e tij për Top Channel, Basha evitoi një përgjigje direkte për këtë çështje:
“SHBA-të nuk kërkojnë diçka jashtë parimeve dhe standardeve, jashtë normave të rakorduara, siç janë ato të Komisionit të Venecias”, u shpreh Basha.
Burimet diplomatike i thanë Top Channel se kjo nuk ka qenë e vetmja fjali e fortë e Sekretarit Kerry. Ai me forcë i ka kërkuar opozitës të japë shembuj të vullnetit konkret për reformën në drejtësi.
Burime diplomatike dhe politike konfirmuan për Top Channel se pas takimit zyrtar me Kerry-n, ai ka qëndruar për disa minuta me ndihmës-sekretaren amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, me të cilën mban lidhje konstante që kur ajo ishte ambasadore e Shteteve të Bashkuara në NATO.
Lulzim Basha, së shpejti, do të udhëtojë përtej Atlantikut. Më saktë në mesin e muajit mars, kur edhe fati i reformës në drejtësi, bashkë me atë të Byrosë së hetimit, do të jetë më i qartë dhe nuk do të mbetet vetëm në optikën optimiste të Sekretarit amerikan të Shtetit.




Këtë e pëlqejnë %d blogues: