Një ditë pas takimit me zyrtarin e DASH, Hoyt Yee, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur aleatët në selinë blu.
Vizita e zëvendësndihmës sekretarit amerikan të Shtetit pritet që t’i japë një zgjidhje situatës politike në vend.
Pas takimeve një ditë më parë me Hoyt Yee, kreu i opozitës dhe ai i mazhorancës pritet që të të rinisin takimet mes tyre.
Thuhet se një gjë e tillë është kërkuar nga Hoyt Yee në takimin e zhvilluar me kryedemokratin Lulzim Basha. Burime për “BalkanWeb” bëjnë me dije se PD është e gatshme të pranojë paketën “McAllister” për zgjidhjen e krizës, dhe Yee i ka dhënë një afat të kushtëzuar Partisë Demokratike.
Thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve janë që opozita të marrë pjesë në zgjedhje dhe të heqë dorë nga vendimi për bojkotim.
Pas takimit të sotëm me aleatët parlamentarë, Basha pritet të japë një përgjigje për ofertën e Yee.
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Basha kanë zhvilluar dy takime kokë më kokë në prani të Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, por nuk kanë mundur të arrijnë në një marrëveshje.