Ermri i saj ka nisur të bëhet familjar për mediat ndërkombëtare, kohët e fundit. Ajo u zgjodh sot Presidente e Komisionit Evropian, duke zëvendësuar Jean-Claude Juncker.
Ursula von der Leyen hyri që tani në histori si gruaja e parë që ia ka dalë të arrijë në këtë pozitë.
Ajo u konfirmua me një diferencë prej 383 votash “pro” dhe 327 “kundër”, ndërkohë që kishte nevojë vetëm për 374 deputetë të Parlamentit Europian, që ta mbështesnin atë, nga 747 ligjvënësit që ka në total.
Ajo ka qenë ministre e Mbrojtjes së Gjermanisë dhe asta që e njohin, thonë është e njohur mirë me përgjegjësinë e vendimit dhe kompetencat.
E lindur në Bruksel në vitin 1958, u zhvendos në Gjermani kur ishte 13 vjeçe. Studioi për ekonomi në universitetin e njohur LSE (London School of economics) dhe më pas studimet për mjekësi në Hanover. Por shumë shpejt u përfshi në rrjedhat e jetës politike.
Von der Leyen njihet si aleatja më e ngushtë e Kancelares Angela Merkel, si pjesë e partisë së saj, CDU, nga 2005.
Ajo është nënë e 7 fëmijëve, tipar ky mjaft i pazakontë për Gjermaninë ku mesatarja e lindjes është 1 fëmijë për një grua.
Për fatin e mirë të shqiptarëve, Ursula njihet si partizane e zgjerimit të BE.
Edhe gjatë paraqitjes së saj përpara votimit triumfues, deklaroi se është PRO hapjes së negociatave për anëtarësimin e Shqipëris dhe Maqedonisë së Veriut, në BE.
Në shikim të parë, 60-vjeçarja me pamje fotozhinike, duket të jetë një zgjedhje e përsosur, me përvojë politike dhe personalitet të fortë për të udhëhequr qëndrimet e ndryshme dhe jo rrallë “kokëforta” të BE-së.
Integrimi, refugjatët dhe krisjet mes familjes evropiane,- janë disa nga sfidat e saj. Mbetet për tu parë nëse nëna e një familje me 7 fëmijë do ia dalë që të drejtojë po aq mirë edhe familjen e madhe europiane, në një periudhë “kokëçarjesh” dhe sfidash të mëdha.