SHQIPTARET ME TE REFUZUARIT NË KUFIJTE E BE-se

Emigracioni

Raporti vjetor i Komisionit Evropian për azilin dhe migracionin i rendit shqiptarët mes shtetësive me më shumë refuzime hyrjeje

Shtetasit shqiptarë renditen ndër kombësitë me numrin më të lartë të refuzimeve të hyrjes në Bashkimin Evropian, sipas raportit vjetor për azilin dhe migracionin, të publikuar nga Komisioni Evropian më 6 nëntor.

Dokumenti, që analizon zhvillimet gjatë periudhës 1 korrik 2025 – 30 qershor 2026, evidenton se mbi 110 mijë personave iu refuzua hyrja në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Shumica e refuzimeve u regjistruan në kufijtë tokësorë, me 51 për qind, dhe në ata ajrorë, me 45 për qind.

Sipas Komisionit, shtetësitë më të prekura nga këto masa ishin ukrainasit, shqiptarët dhe moldavët.

Raporti nuk jep një shifër të veçantë për numrin e shtetasve shqiptarë të refuzuar.

Arsyet kryesore të refuzimeve lidhen me mungesën ose pavlefshmërinë e dokumentacionit.

Në këtë kategori përfshihen edhe rastet e tejkalimit të qëndrimit të lejuar prej 90 ditësh brenda një periudhe 180-ditore, mungesa e vizës ose lejes së vlefshme të qëndrimit, si dhe sinjalizimet për arsye sigurie. Polonia, Spanja dhe Franca regjistruan numrin më të lartë të refuzimeve në terma absolutë, ndërsa Kroacia, Letonia dhe Estonia kryesuan në raport me popullsinë dhe prodhimin e brendshëm bruto.

Shqiptarët figurojnë gjithashtu ndër pesë shtetësitë kryesore të personave të kthyer efektivisht nga BE-ja, krahas shtetasve të Turqisë, Gjeorgjisë, Sirisë dhe Kolumbisë. Gjatë periudhës së analizuar, shtetet anëtare lëshuan 463 mijë urdhra kthimi për shtetas të vendeve të treta pa të drejtë qëndrimi, ndërsa 142 mijë persona u kthyen efektivisht.

Kjo përfaqëson një rritje prej 11 për qind të kthimeve krahasuar me periudhën paraardhëse.

Norma e përgjithshme e kthimeve në BE u rrit nga 26 në 31 për qind, megjithëse Komisioni vlerëson se ajo mbetet ende tepër e ulët. Në nivel rajonal, raporti evidenton një rënie prej 30 për qind të kalimeve të parregullta kufitare përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor.

Komisioni ia atribuon këtë zhvillim bashkëpunimit kundër trafikimit të migrantëve, kontrolleve më të forta policore dhe uljes së flukseve përmes Mesdheut Lindor.

Në të gjithë Bashkimin Evropian, kalimet e parregullta në kufijtë e jashtëm ranë me 32 për qind, ndërsa kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare u ulën me 16 për qind, në rreth 730 mijë e 800 aplikime. Raporti e lidh këtë prirje me forcimin e menaxhimit të kufijve dhe bashkëpunimin me vendet e origjinës dhe tranzitit.