Presidentja e Greqisë dekoron kreun e kompanisë Pfizer, Albert Bourla

Greqi

Në një ceremoni të veçantë në Pallatin Presidencial , presidentja e Republikës së Greqisë, Katerina Sakellaropoulou ka dekoruar katër personalitete të shquara të vendit, midis tyre edhe zotin Albert Bourla, kreu i kompanisë Pfizer, duke i dhënë atij  “Kryqin e Artë të Urdhrit të Shpëtimtarit”, për kontributin e tij në trajtimin e koronavirusit.

Me kënaqësi të madhe ju mirëpres në Pallatin Presidencial, për të nderuar burra e gra, personalitete të mëdha greke, për punën dhe kontributin e tyre në atdheun tonë. Të gjithë kanë shenjuar rrugëtime të rëndësishme, secili në fushën e vet dhe veçohen e njihen si brenda dhe jashtë kufijve të vendit tonë”,  ka thënë në fjalimin e rastit Katerina Sakellaropoulou.

 Dekorata e  z.Burla shoqërohej me dedikimin :

“Albert Bourla , President dhe CEO i Pfizer, i njohur në mbarë botën për frymën e shpëtimit që i dha njerëzimit përmes prodhimit të vaksinës kundër koronavirusit. Ecuria e tij është kronika e një fitoreje të shkencës në fushën e shëndetësisë, në dobi të së mirës së përbashkët. Me origjinë nga një familje që i mbijetoi Holokaustit, ai ishte në gjendje të realizonte vizionin e tij dhe të zbatonte risitë shkencore që çuan në zbulimin e vaksinës, duke e bërë të gjithë botën të besonte se e pamundura ishte e mundur”.

Presidentja greke ka dekoruar edhe zotin  Alexandros Sicilianos, Dekan i Shkollës Juridike të Universitetit të Athinës, i cili ishte presidenti i parë grek i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, zonjën Aliki Perroti – Konstantopoulou,filantrope dhe zonjën Margarita Karelia, Presidente e fabrikës së famshme të Duhanit dhe e Fondacionit për përfitim publik “George and Victoria Karelia”, i themeluar në 1993 me qëllim forcimin dhe promovimin e aktiviteteve në kulturë, asistencë sociale dhe traditë popullore.

 “Ju faleminderit me gjithë zemër për gjithçka që keni ofruar për atdheun tonë. Ju faleminderit për punën tuaj, e cila na ka bërë krenarë. Dekoratat të cilat kam kënaqësinë t’ju akordoj, janë vetëm një shembull minimal mirënjohje për atë që ju keni ofruar ”,  ka thënë në fund të ceremonisë  zonja Sakellaropoulou.

Top Channel