Qeveria nuk paguan kontratat e rrugëve, detyrimet në fund të tetorit 2016 arrijnë në 24 mln euro

1140

Qeveria shqiptare nuk po përmbush angazhimin për të mos krijuar detyrimeve të prapambetura ndaj kontraktorëve të saj, teksa shihet se vetëm në 10 muaj, janar-31 tetor 2016, borxhi i akumuluar arriti ne 3.3 miliardë lekë ose 24 milionë euro.

Më shumë se 75 për qind të këtyre detyrimeve i përkasin kontratave të papaguara në rrugë. Megjithatë borxhi i prapambetur mund të jetë edhe më i lartë pasi në monitorim për detyrimet e krijuara rishtas janë vetëm 16 ente publike, teksa qindra të tjera që kryejnë shpenzime nuk janë përfshirë në raportim.

Ministria e Transportit dhe infrastrukturës  raportoi që detyrimet për periudhën nga janar -31 tetor 2016 janë në vlerën 2 533.5 milion lekë, të krijuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve. Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), për 10 mujorin e vitit 2016 deklaron detyrime të krijuara rishtas në vlerën 1 817.3 milion lekë për:

1-Kontrata studime projektime dhe oponencë, në vlerën 82.2 milion lekë, që kanë ardhur si pasojë e mos planifikimit të tyre në buxhetin e vitit 2016 nga ARRSH.

2-Kontrata investimi (ndërtime, rikonstruksione) në vlerën 811.8 milion lekë, janë kontrata shumëvjeçare dhe buxhet i pamjaftueshëm për likuidimin e plotë të faturave, ndërkohë që kontraktorët vazhdojnë me avancimin e punimeve sipas grafikut të tyre.

3-Supervizione punimesh, në vlerën 23.5 milion lekë, kanë lidhje me kontratat e ndërtimit.

4-TVSH dhe kosto lokale, në vlerën 86.2 milion lekë.

5-Vendime gjyqësore – në vlerën 139.2 milion lekë.

6-Sinjalistika dhe të tjera – në vlerën 223.2 milion lekë.

7-Kontrata mirëmbajtjeje – në vlerën 451.2 milion lekë.

8-Ujësjellës Kanalizime, për 10 mujorin e vitit 2016 deklaron detyrime të krijuara rishtazi në vlerën 716.2 milion lekë:

9-Për projektet me financim të huaj që ka të bëjë me pagesat të rimbursimit të TVSH-së dhe Kosto Lokale, 338.3 milion lekë.

10-Për projektet me financim të brendshëm kryesisht në objektet për furnizimin me ujë të plazheve Durrës – Kavajë, 377.9 milion lekë.

Ministria e Arsimit dhe Sportit  ka raportuar 19.9 milion lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione.

Ministria e Drejtësisë raporton që detyrimet për periudhën nga 01.01.2016 – 31.10.2016, janë në vlerën 201.1 milion lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë të ndara sipas institucioneve si më poshtë:

Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave – 169.2 milion lekë që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Nga AKKP është ngritur problemi për pamjaftueshmëri fondesh.

Mjekësia Ligjore raportoi  5.2 milion lekë detyrime. Aparati i Ministrisë së Drejtësisë ka raportuar 21.7 milion lekë detyrime që ka të bëjë me detyrime për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore.

Ministria e Shëndetësisë raportoi që detyrime të prapambetura për periudhën në vlerën 26.3 milion lekë, ndërsa ministria Bujqësisë 28 milion lekë.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes  raporton që detyrime 278.5 milion lekë të lindura si detyrime nga vendimet gjyqësore të formës së prerë në disa institucione.

Ministria e Energjisë dhe Industrisë  raporton që detyrime në vlerën 54.1 milion lekë.

Burimi: Ministria e Financave




Këtë e pëlqejnë %d blogues: