Qeveria rrit borxhin e nuk investon

Intervistë Kryesore

Sherefedin Shehu, ish-zëvendësministër i Financave  /  Buxheti 2014 është një plan taksash të rritura, i cili pritet të rëndojë më shumë konsumin e qytetarëve dhe do të kufizojë mundësitë e ekonomike dhe të vendeve të punës. Deficiti buxhetor është rreth 7 për qind e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB) duke shënuar nivelin më të lartë të huamarrjes në të gjithë historinë e re 23-vjeçare. Qeveria do të marrë borxh rreth 1 miliard dollarë, ose 2,5 herë më shumë se huamarrja mesatare vjetore në periudhën 2006-gusht 2013. Projektbuxheti nuk është shoqëruar me politika për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe qeveria ofron stimulim demagogjik të ekonomisë. Justifikimi i rritjes së borxhit për shkak të borxhit të lartë të trashëguar është i papranueshëm, sepse në 4 muaj qeverisje borxhi publik u rrit nga 62 për qind në 69 për qind të PBB-së pa shlyer asnjë lek nga borxhi i pretenduar ndaj bizneseve.

Në kushtet kur ekonomia botërore dhe shqiptare janë akoma nën efektin e krizës, buxhetit i mungon përfshirja sociale. Sipas praktikës buxhetore 8-vjeçare dhe referuar premtimeve të qeverisë, qytetarët prisnin zero taksa dhe rritje të mbështetjes nga buxheti. Ndërsa me buxhetin 2014, qeveria po u dhuron qytetarëve një paketë me rritje taksash, rritje të shfrenuar të borxhit, ulje të investimeve publike dhe mbështetje minimale sociale. Barra tatimore e këtij buxheti është më e madhja në 10 vitet e fundit. Ky buxhet nuk do të ketë rritje pagash dhe pensionesh dhe kjo politikë do të vazhdojë edhe për tre vitet e ardhshme Shpenzimet administrative në këtë buxhet rriten me 70 milionë dollarë, ndërsa investimet publike ulen dhe të përndjekurit politikë dhe ish-pronarët marrin respektivisht 12 milionë dollarë dhe 2 milionë dollarë më pak se në 2013-n. Ndërsa shtresat në nevojë do të kenë të pasigurt pagesën e një muaji, mbasi shtesa e parashikuar për ndihmën ekonomike dhe aftësinë e kufizuar do të përdoret së pari për të paguar detyrimet e tre muajve të fundit të vitit 2013.

Sipas gjykimit tuaj, sa ndikojnë ato në rregullimin e problemeve strukturore të ekonomisë, zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme dhe nxitjen e punësimit?

Rregullimet strukturore dhe zhvillimi i ekonomisë kërkojnë politika të cilat nxisin investimet private dhe përdorim efektiv të parave të buxhetit. Ato nuk mund të realizohen me këtë buxhet, i cili bazohet në gjenerimin e 24 miliardë lekëve nga rritja e tatimeve dhe taksave, të cilat do të godasin konsumin dhe investimet. Ndonëse borxhi mund të konsiderohet si faktor stimulues, efekti nuk pritet të jetë i ndjeshëm, pasi 40 për qind e borxhit do të përdoret për shpenzime inproduktive administrative. Njëkohësisht përmasat e borxhit kufizojnë ndjeshëm kreditimin e sektorit privat dhe rrisin rrezikun për çrregullime ekonomike dhe financiare, pasi ekonomia shqiptare nuk është e strukturuar për të përballuar një nivel borxhi publik, i cili pritet të arrijë në 75 për qind të PBB-së.

Rritja e taksave dhe keqpërdorimi i parave të shqiptarëve rrezikojnë krizën dhe shkurtimin e vendeve të punës. Goditjen më të madhe do ta ketë fshati, sepse përveç taksës së naftës, duhanit e mallrave të tjera, rriten edhe kontributet e sigurimeve shëndetësore. Mbështetja për fermerët ulet dhe për subvencionimin e inputeve bujqësore janë parashikuar 600 milionë lekë, të cilat nuk mbulojnë as një të tretën e kostos së tyre. Premtimi 160 milionë dollarë për ujin në parcelë, është katandisur në 7 milionë dollarë. Gjithashtu në buxhet nuk parashikohen efekte financiare nga përmirësimi i administrimit fiskal. Ndonëse në buxhet parashikohet rritje e të ardhurave prej 42 miliardësh, në të vërtetë ato duhen korrigjuar në zbritje për 20 miliardë lekë rimbursime të TVSH-së, siç është bërë gjithmonë dhe siç e kërkojnë standardet e statistikave financiare qeveritare. Ndërsa 22 miliardë të tjera që mbeten parashikohet të arkëtohen nga rritja me 24 miliardë lekë e tatimeve dhe taksave dhe prej këtej del se jo vetëm nuk do të ketë të ardhurat nga përmirësimi i administrimit, por të ardhurat pas zbritjes së 2 faktorëve të mësipërm do të jenë 2 miliardë lekë më pak se në vitin 2013.

Cilën mënyrën e gjykoni më të mirë për ecurinë e ekonomisë, rritjen e borxhit, apo rritjen e taksave?

Të dy faktorët gjykohen nga përmasat dhe ndikimi në ekonomi. Borxhi është faktor i rritjes ekonomike kur niveli i tij në raport me PBB-në është nën 60 për qind. Ndërsa rritja e taksave nuk konsiderohet asnjëherë faktor për rritje ekonomike. Megjithatë, këto të fundit mund të kenë efekt minimal kur kanë elasticitet të lartë (rriten dhe ulen në të njëjtin drejtim me rritjen ekonomike), nuk nxisin informalitetin dhe nuk cenojnë konkurrencën e lirë. Ndërhyrjet tatimore në këtë buxhet shtojnë informalitetin, duke nxitur fshehjen e rritjes ekonomike dhe konvertimin e pagave mbi 130 mijë lekë në shpërblime, dividendë apo burime të tjera të ardhurash, të cilat taksohen me normë më të ulët tatimore. Borxhi pritet të ndikojë pozitivisht duke shlyer detyrimet ndaj biznesit, por përmasat e rritjes së tij janë të ndjeshme dhe rritja e tij në një vit është 13 për qind, kur në 4 vite të shkuara të marra së bashku kjo rritje ishte vetëm 4 për qind. Edhe shlyerja e detyrimeve ndaj biznesit që parashikohet të jetë pjesore, nuk është plotësisht e garantuar, pasi varet nga kredia e FMN-së, e cila disbursohet në 3 vite dhe kundrejt kushteve të paracaktuara./monitor/

A.M