Kur kritika hesht, kritikat vërshojnë lum, kur ajo flet. Kritikat vërshojnë lumë e përrua!

976

Sulejman ABAZI  E lexova këtë koment politik për sorosistët nga Tirana dhe “kurthin” e Ramës për shqiptarët në IRMJ.

Ruaj rezervat për thelbin e vertetësisë së tij, duke u përpjekur të trajtoj pak gjëra, pasi e drejta e vlerësimit dhe vendimarrjes u takon shqiptarëve dhe liderëve të tyre në IRMJ. Ta përkrahësh këtë lloj analize të publikuar në një portal, do të thotë që të çosh me ose pa dashje ujë në mullirin e zemërakut ministër maqedon, që akuzon Shqipërinë për ndërhyrje në punët e brendëshme të IRMJ. Kjo nuk do të ishte e ndershme, nëse kemi parasysh, që përkrahja nga Tirana ka qene vëllazërore, në respektimin e përgjegjësisë kushtetuese që ka politika dhe institucionet shqiptare për të gjithë shqiptarët jashtë kufijve administrativë. Kalimi i votave të shqiptarëve për LSDM, nuk mund të bëhej me një urdhër apo nxitje të Tiranës, pasi kjo do të ishte e pamundur.

Këtu ka logjikë.

Dikush thote se, votat u dhanë për inat të politikës kapitulluese shqiptare, kryesisht kundër BDI-së, dikush tjetër e anatemon si ndërhyrje sorosiane, dikush tjetër e quan LSDM simotër të partisë së Ramës, dikush…..e dikush……me lloj lloj mendimesh dhe hamendësismesh, kur në analizën politike nuk mund të ecët kështu. Analiza para dhe paszgjedhore është shumë serioze dhe meriton trajtimin në kompleks të të gjithë fakteve, ngjarjeve, faktorëve, pozicionit të partive politike, kundërveprimin e faktorit politik maqedon dhe mbi të gjitha, të vlerësimit dhe mbështetjes së qëllimit final që duhej arritur nga shqiptarët dhe për shqiptarët.  Nuk gaboj nëse them që, qëllimi final i këtyre zgjedhjeve ishte largimi nga pushteti i VMRO-DPMNE dhe BDI-së, largimi me çdo çmim i prorusit Nikolla Gruevski, të cilat për një periudhe të gjatë e zhytën vendin në krizë të thellë etnomorale dhe politike, pa fol për pasojat ekonomike në varfërimin veçanërisht të popullsisë shqiptare.

Largimi i Nikolës ishte fitorja e betejës së parë për shqiptarët.

Pamundësia e koalicionit të ri me VMRO-DPMNE, për shkak të Platformës së Përbashkët dhe qendrimit unik të partive shqiptare, është beteja e dytë e fituar nga shqiptarët. Një koalicion i mundshëm me LSDM e zgjidh përkohësisht krizën, por jo përfundimisht, pasi në rrugë e sipër shqiptaret mund t’i përforcojnë akoma më shumë kërkesat e tyre.

Edhe ky opsion politik mund të quhet nje betejë në fitore.

Nëse edhe koalicioni me LSDM do të hap probleme të njëjta, janë po shqiptarët ata që janë gati të fitojnë edhe betejën e tretë, ta kalojnë vendin në zgjedhje të tjera, duke u larguar nga koalicioni qeverisës. Të fitojmë betejat një e nga një, me unitet, me përkrahje dhe orientim perëndimor, që të fitohet lufta për demokratizimin e IRMJ në rrugën e reformave të thella, ku shqiptarët të jenë shtetformues me të drejta të barabarta.

Nëse këto qasje vleresohen pozitive, ku e kanë hallin ata që merren me teori konspirative të sorosisteve fantazma, duke anatemuar institucionet shqiptare në Tiranë?!

Kur Tirana hesht, kritikat vërshojnë lum, kur Tirana flet kritikat përsëri vërshojnë lum e përrua. Atëherë këta kritizerë që bien pre e lojës së poltikës maqedone, le të na thonë rrugëzgjidhjen e tyre, si do të dalin shqiptarët nga kriza në këtë shtet, që deri tani ka natyrën e fantazmës?!

Jo kështu.

Kjo nuk është e ndershme. Do të vlerësonim dhe përkrahnim një analizë shkencore të kësaj situate me motivimin për një zgjidhje edhe më të mirë, por kurrësesi, duke nxitur urrejtjen dhe përçarjen në një dimension edhe më të madh Shkup – Tiranë, me pasoja në planin kombëtar.

Këtë e dëshirojnë vetëm sllavët.

Nëse ndokush ka ndonjë merak le të shkojë dhe ta kërkojë përgjigjen për votat shqiptare tek ajo pjesë e votuesve që këtë herë bënë një çudi (apo mrekulli, merreni si të doni), që do ta çojë me siguri Nikolla Gruevskin në opozitë.

Sorosi fantazmë nuk do t’i zgjjdh hallet tona, por jemi vet ne ata që do t’u dalim për zot.

Dhe kjo arrihet vetëm me një rrugë të sigurtë: Duke fituar paqen midis nesh, duke ruajtur unitetin, jo duke i hedhur benzinë zjarrit të përçarjes dhe të urrejtjes.

 




Këtë e pëlqejnë %d blogues: