Kryeministri Edi Rama, gjatë tubimit elektoral të Partisë Socialiste në Shkodër, tha se ky qytet është sfida e tij personale për ta transformuar. Ai kërkoi votën e shkodranëve që drejtimin e Bashkisë ta marrë Partia Socialiste pas gati 30 vjetësh.
“Katër vjet më parë ju thashë vlonjatëve se ishte koha për të hapur një kapitull transformimi. Dhe kushdo që e sheh Vlorën sot faktikisht e ka të vështirë ta njohë. Ndërsa sot ju them gjithë shkodranëve që Shkodra e 4 viteve të ardhshme është ndër të tjera edhe sfida ime personale për të bërë së bashku me Valdrinin më shumë se në të thuajse 30 vitet e marra së bashku nën drejtimin e atyre që sot kanë dalë në rrugë të madhe. Nuk dinë më se çfarë ofrojnë tjetër përveç kërcënimeve, shantazheve, motolovëve dhe kaosit”.
Kryeministri foli edhe për audio-përgjimet e reja që u publikuan nga gazeta gjermane “Bild”, për të cilat tha se duhet të ishin hetuar në vitin 2016, por sipas tij, kjo nuk ndodhi që të përdoreshin nga opozita kundër çeljes së negociatave.
“Sot problemi është shumë më i madh dhe plani është i qartë. Kush i ka marrë shqiptarët për budallenj, gjithmonë është dënuar. Sot çdo shqiptar i arsyeshëm që mendon me mendjen e vetë, e di shumë mirë që kjo histori nuk është rastësisht, që u bënë përgjime në vitin 2016 për krime elektorale dhe nuk u hetuan, por u mbyllën në valixhe. Dhe valixhja i shkoi partisë dhe partia e mbajti për ditë të zezë dhe dita e zezë për ta është kur Shqipëria është në prag të çeljes së negociatave. Ato muhabete që duhet të ishin hetuar, nuk dolën këtu, dolën në qendër të Europës, aty ku merret vendimi për çeljen e negociatave. Nuk është rastësi që në Gjermani dalin këto përgjime para protestës së radhës“. /tvklan.al