Banka e Shqipërisë bëri parashikimin se inflacioni do të kthehet në objektivin e 3%-shit, jo më herët se fillimi i vitit 2024. Kjo do të thotë se çmimet do të rriten vrullshëm deri në fund të vitit dhe do të mbajnë këtë trend edhe përgjatë vitit të ardhshëm.
Por cilët janë faktorët që e shtyjnë bankën qendrore drejt një projeksioni të tillë?
Së pari, duhet të kuptojmë që pjesa dërrmuese e inflacionit në vendin tonë po shkaktohet nga importi. Kjo do të thotë që për sa kohë mallrat dhe shërbimet që ne marrin nga Eurozona, që edhe në Korrik regjistroi një inflacion të rritur në 8.9%, shtrenjtimi i këtyre mallrave për tregtarët do t’i faturohet qytetarëve.
Nafta është aktualisht në kuotën e 96 dollarëve për fuçi, zyrtarisht në nivelin e para luftës në Ukrainë. Por sërish çmimi i rafinerive mbetet ndjeshëm mbi mesataren historike. Nga ana tjetër, çmimi i energjisë në bursat europiane qëndron mbi 400 euro për megavat orë, duke rritur faturën për KESH, si dhe bizneset që e blejnë atë në tregun e lirë.
Lufta në Ukrainë në anën tjetër vazhdon të prodhojë pasiguri, veçanërisht në sektorin ushqimor. Kostot për bujqësinë janë rritur ndjeshëm, ndërsa sigurimi i drithërave si gruri do të mbetet një problem global për disa vite.
Të gjitha këto, nga energjia tek ushqimi bëjnë që kostot e një biznesi dhe të një qytetari të rriten. Këta të fundit do të kërkojnë më shumë para në këmbim të produkteve, shërbimeve apo punës së tyre, derisa të stabilizohet niveli i tyre i jetesës në nivelet e para krizës.
Me çmimet e apartamenteve dhe qirave në rritje të ndjeshme në Shqipëri, gjasat janë që kjo nevojë për të rritur të ardhurat dhe pagat do të vazhdojë. Dhe formulat e projeksionet ekonomike e sjellin këtë afat pikërisht në gjysmën e parë të vitit 2024./a2