Sa është norma e korrupsionit në Shqipëri?

Korrupsion Kryesore

Operacioni i fundit i SPAK, si dhe rasti tjetër në gjykim, ai i incineratorit të Elbasanit, sugjeron se norma e korrupsionit në prokurimet publike në Shqipëri duhet të variojë nga 20 në 40% e fondit limit.

Nëse i lejojmë vetes të spekulojmë, mund të themi se diku mes 200 dhe 400 milionë euro në vit nga paratë e taksapaguesve përfundojnë në xhepat e zyrtarëve çdo vit.

Tenderët për mbikëqyrje punimesh konsiderohen tenderë të vegjël. Ato kushtojnë pak mijëra euro dhe shërbejnë për të kontraktuar një kompani që mbikëqyr punimet e marra përsipër nga një kompani tjetër. Si një hallkë që shërben në rolin e gardianit dhe që duhet të garantojë cilësinë dhe sasinë e punimeve të kontraktuara, pavarësisht vlerës së vogël, këto kontraktime janë të rëndësishme. E megjithatë, këto janë tenderët që nuk tërheqin vëmendjen e medias dhe qytetarëve pothuajse kurrë, për shkak të vlerës së ulët.

Gjërat duket se ndryshuan këtë fundjavë, kur Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi se ka arrestuar dy punonjëse të qeverisë, njëra, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe tjetra, punonjëse e një strukture të njohur me termin “bashkëqeverisja”, një strukturë kontroverse që ka bërë njësh Partinë Socialiste me shtetin shqiptar, duke mos lënë vijë ndarëse mes të dyjave.

Sipas SPAK, punonjësja e Bashkëqeverisjes i ka dhënë një shumë prej 330 mijë lekësh Sekretares së Përgjishme, me synimin që kjo të favorizojë një operator ekonomik në një tender. Tenderi në fjalë titullohet: “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Agjencia e Prokurimit Publik e ka njoftuar hapjen e tenderit më datë 10 maj dhe mbylljen më datë 22 maj. Për këtë tender është shpallur fituesi, kompania DRICONS. Njoftimi i SPAK nuk bën të ditur se për favorizimin e cilit operator janë paguar paratë e ryshfetit, por ajo që vihet re është që tenderi në fjalë, për aq sa duket nga të dhënat e pjesëmarrjes, numri i ofertave dhe rezultati, duket shumë larg të qenit tender i dyshuar për manipulim. Rrjedhimisht, kundër kompanisë DRICONS nuk ka ndonjë të dhënë publike që të sugjerojë korrupsion, ndonëse shumë janë çuditur për faktin që SPAK ka arrestuar dy zyrtare të qeverisë se kanë marrë para për favorizimin “e një operatori” por nuk kanë arrestuar ndonjë operator. Dhe ky është një rast tjetër kur logjika e SPAK sfidon logjikën e gjithëpranuar.

Njoftimi i fituesit, thotë se për lotin 1 morën pjesë tetë kompani me oferta që variuan nga 638 mijë në 754 mijë lekë, ndërsa fondi limit ishte 806 mijë lekë. Oferta fituese ishte me vlerë 672 mijë lekë, ose 83% e fondit limit. Shkurt, duket si pa shumë sens që në një tender shumë normal, me vlerë të vogël, të paguhet një shumë kaq e madhe parash. Të 330 mijë lekët që u gjetën në zyrën e Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë, përbëjnë 41% të fondit limit dhe gati 50% të fondit të ofertës fituese.

Kjo na shpie në një pyetje tjetër: sa duhet të jetë norma e zakonshme e korrupsionit në tenderët e institucioneve publike shqiptare?

Një dosje tjetër e SPAK mund të na ndihmojë për këtë pyetje. Është fjala për çështjen e incineratorit të Elbasanit, për të cilën, ish-ministri Lefter Koka është në pritje të gjykimit për korrupsion, pastrim parash dhe abuzim me detyrën.

Incineratori i Elbasanit u dha me koncesion në vitin 2015 me një procedurë emergjente dhe pa garë. Vlera totale e kontratës ishte 21.6 milionë euro ndërsa SPAK ka identifikuar disa kompani fantazëm, të cilat u denoncuan fillimisht nga LSI, që besohet se janë përdorur nga biznesmenët e koncesionit për të paguar ryshfetin e Kokës.

Koka akuzohet se ka përfituar 3.1 milionë euro nga faturat fiktive të Albtek Energji me një numër kompanish fantazmë dhe afro 2 milionë të tjera nga ITS, kompania tjetër e koncesionit. Me pak fjalë, nga 21.6 milionë euro të kontratës së koncesionit të Elbasanit, 5.1 milionë ose 24% e totalit kanë përfunduar për ryshfet për ministrin, sipas aktakuzës. Investigimi i SPAK mbi problemin e incineratorëve është, në rastin më të mirë, jo shumë i qartë. Të tre çështjet, Elbasani, Fieri dhe Tirana, janë ndarë në tre dosje të veçanta pavarësisht se personazhet janë të njëjtë në të treja rastet. Kompanitë që supozohet se kanë faturuar punime të paqena dhe janë përdorur thjeshtë si mjet pagese të korrupsionit në Elbasan, kanë faturuar edhe koncesionin e incineratorit të Fierit dhe atë të Tiranës, kështu që nuk mund të thuhet se cilat ryshfete kanë pasur të bëjnë me incineratorin e Elbasanit dhe cilat, me atë të Fierit (sa për Tiranën, kreu i SPAK Altin Dumani këmbëngul se nuk është gjetur ende vepër penale).

Dhe për më shumë, natyrisht që dy tenderë, njëri me normë korrupsioni të dyshuar 24% dhe tjetri, me normë korrupsioni 50%, nuk përbëjnë kampion dhe nga këto dy shifra vështirë se mund të ekstrapolohet. Vetëm se fakti mbetet që dy vite e gjysmë pas krijimit, SPAK nuk ka krijuar ndonjë historik të bollshëm të hetimeve të ndjekjes së parave kështu që, për momentin, nuk kemi mundësi të zgjedhim. Ajo që dihet është se autoritetet e ndryshme publike në Shqipëri kryejnë çdo vit procedura prokurimi që variojnë nga 800 milionë në 1 miliardë euro. Dhe nëse këto janë normat e korrupsionit, atëhere një shumë minimalisht 200 milionë eurosh në vit, përfundon në xhepat e zyrtarëve. Dhe duke marrë parasysh se sa vend i varfër është Shqipëria, të 200 milionët në vit mjaftojnë për të shkatërruar çfarëdo lloj shansi për shtet ligjor dhe demokratik.

/Reporter.al/

Lexo edhe: