Reportazh nga Laureta PETOSHATI / Ndërsa bisedon me zotin Ilirjan Dhima, Kryetarin e Shoqatës humanitare dhe patriotike ʺShqipëria”, e cila e ka qendrën e saj në Athinë dhe anëtarët e saj janë kryesisht emigrantë shqiptarë, kur shikon se biseda e tij kalon gjithmonë te dëshira për ti dhënë sadopak ndihmë bashkatdhetarëve në nevojë në Shqipëri, kupton se çfarë simbolike të madhe ka për humanizmin akti i dhënies.
Mua, menjëherë më erdhën në mendje fjalët e gjermano- hebreut Erich Fromm Seligmann, një nga filozofët, sociologët dhe psikoanalistët më të mëdhenj të shekullit që lamë pas, i cili në veprën e tij “Arti i dashurisë ʺ shkruan se: ʺAkti i dhënies është shprehja më e lartë e pushtetit. Në të njëjtin akt të dhënies, unë provoj fuqinë time, pasurinë time, pushtetin tim. Kjo ndjenjë e vitalitetit dhe fuqisë më mbush me gëzim. Ndihem plot jetë dhe lumturi.
Të japësh ndjen më shumë gëzim sesa kur merr, jo sepse kjo është humbje, por se me këtë akt unë ndjehem gjallë.” Me këtë ndjesi e filloi dëshirën e tij dhe zoti Dhima për të plotësuar me libra bibliotekën e re të shkollës komunitare 9 vjeçare “Balil Pelariʺ, në Orikum të Vlorës, aq sa para Kërshëndellave kjo dëshirë u shndërrua në një realitet të bukur dhe domethënës. Në mbështetje të programit për të pasuruar bibliotekat e shkollave komunitare, si dhe për ti ndihmuar ato me mjete shkollore, i ndihmuar dhe përkrahur nga Klubi i Shkrimtarëve ʺDrita” në Greqi, nga Shtëpia Botuese ʺBota Shqiptare” me President intelektualin, njëkohësisht dhe Skenarist e regjisor , zotin Kujtim Gjonaj, si dhe nga shkrimtari e publicisti Albert Zholi, ai arriti të mbledhë rreth 250 libra. Zoti Ilirjan Dhima, kur flet për këtë nismë nuk harron të përmendë dhe kontributin e aktivistëve të kësaj shoqate si zotërinjtë Fitim Shehu nga Mallakastra, Behar Lahi nga Shkodra dhe Nadir Uraj nga Postriba, apo poetët Agim Basha dhe Veron Hoxha, si dhe shkrimtarët Thanas Jani e Spiro Xhavara, balerinin vlonjat te baletit klasik në skenat Europijane Endri Qendro. I vyer dhe frutdhënës është dhe kontributi i anëtarëve të kryesisë Mehmet Caka, Tana Jonuzaj, Silvana Kallushi dhe Zelina Alimani, kjo e fundit farmaciste nga Tirana që gjithmonë është e pranishme në bashkëpunimet e Shoqatës ʺShqipëria” në programe të ndryshme, kryesisht për ndihmat për fëmijët jetimë dhe në kampet e pritjes në Greqi.
Librat e zhanreve të ndryshëm u mblodhën dhe me ndihmën e nëndegës së shoqatës ʺShqipëria” për Vlorën, me Kryetar zotin Eduart Frakulla dhe aktivistes së saj për rininë studentes Xhiliola Lamaj. Gjithsesi, një sasi librash të tillë, të rinj dhe të papërdorur, edhe pse me brendinë e tyre që nga librat shkencorë, romanet, novelat, librat me poezi, etj, përbënin si të thuash disa universe diturie dhe imagjinate, përsëri zoti Ilirjan Dhima, ndjeu se diçka i mungonte kësaj biblioteke shkollore, ndaj nuk mund ti dhuronte ata dhe pa këtë element. Dhe kjo ishte një fotokopje moderne e pajisur dhe me telefon e fax, e cila do të duhej në bibliotekë për të fotokopjuar nxënësit tekste të ndryshme gjatë punës së tyre në bibliotekë, ndaj dhe u ble posaçërisht e re për këtë punë. Dhe më e bukura ishte se gjithçka kishte nevojë për një simbolikë tjetër, simbolikën e qenësisë sonë si komb ː Flamurin Shqiptar. Dhe ky erdhi më i bukur se kurrë, i qëndisur me dorë nga një Marigo e kohëve tona, zonja Anila Mezini, e cila është Kryetare e Gruas e Shoqatës ʺShqipëria” dega Vlorë. Të gjitha këto dhurata u grumbulluan dhe me ndihmën e zonjës Edlira Kapllanaj, një aktiviste në shërbim të zgjidhjeve të problemeve humanitare në komunën e Orikumit dhe njëkohësisht mësuese në këtë komunë, ato u çuan në destinacion, që ishte shkolla 9 vjeçare “Balil Pelariʺ. Pikërisht, para përfundimit të këtij sezoni shkollor dhe në prag të festave te fundvitit, nuk kishte dhuratë më të bukur se libri, por dhe pritje më të bukur se ajo që shkolla i pati rezervuar anëtarëve dhe aktivistëve të shoqatës ʺShqipëria”, nuk kishte. Gjithçka ishte festive dhe mikpritëse që nga nxënësi më i thjeshtë e deri te kreu i kësaj shkolle, zoti Baki Mustafai, i cili i kishte nxjerrë nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle në oborr për një koncert festiv. Në fjalën e tij të mirëseardhjes, zoti Mustafai, falënderoi shoqatën ʺShqipëria” dhe foli për rëndësinë e librit jo vetëm për shkollën dhe brezin e ri, por dhe për gjithë shoqërinë, duke shtuar se edhe pse jetojmë në kohën e internetit, i cili u ka marrë librave kohën më të madhe, prapëseprapë libri po kthehet përsëri në duart e nxënësve si edukatori më i madh dhe i pazëvendësueshëm.
Ndërsa Ilirjan Dhima, Kryetari i Shoqatës humanitare dhe patriotike ʺShqipëria”, në fjalën e tij përpara shkollës u shpreh i emocionuar, pasi në këtë shkollë, jo vetëm që ka dhënë mësim babai i tij Pano Dhima, por ka qenë vetë nxënës i saj. Ai foli për nismën për të pasuruar bibliotekat e shkollave komunitare, për ti pajisur ato me mjete shkollore, si dhe për mbështetjen e dhënë në këtë rast nga intelektualët e mirënjohur Kujtim Gjonaj e Albert Zholi, si dhe nga Klubi i Shkrimtarëve ʺDrita” në Greqi, etj.
Duhet theksuar fakti, se në nismën e shoqatës ʺShqipëria” për dhurimin e librave për shkollën “Balil Pelariʺ, u përfshinë dhe anëtarë të Klubit të Shkrimtarëve “Petro Markoʺ të Vlorës, duke dhuruar vepra të tyre dhe jo vetëm. Një prej tyre, Laureta Petoshati, u shpreh se krahas saj edhe shumë anëtarë të tjerë të këtij klubi, do të sillnin veprat e tyre për pasurimin e mëtejshëm të bibliotekës së kësaj shkolle që mban emrin e Balil Pelarit, një apostulli të shqiptarisë dhe të gjuhës shqipe, mik dhe bashkëluftëtar i Avni Rustemit, që përveç të tjerave kanë qenë të lidhur ngushtë më librin dhe mësimdhënien, pasi ishin që të dy mësues, për më tepër në këtë krahinë.
I gjithë programi artistik me këngë, valle, recitime dhe parodi gazmore nga nxënësit, i përgatitur nga organizatorja e koncerteve të kësaj shkolle Blerta Xhaferaj, u vazhdua nga një tjetër program, ai i vendosjes së librave në bibliotekën e shkollës. Gjithçka u bë e dokumentuar dhe me procesverbal me ndihmesën e koordinatores së shkollës komunitare Almeta Shehaj. E gjithë ajo sallë biblioteke, që ishte pothuajse bosh, filloi të mbushej në raftet e saj me librat e dhuruar. Ciceroni në kohën e tij ka thënë shprehjen lapidare:ʺNjë dhomë pa libra është si një trup pa shpirt”, aq sa dukej se kësaj salle i erdhi shpirti në vend. Qytetërimet kanë ardhur si pasojë e diturisë dhe librave, aq sa shumë rilindës evropianë e quajtën librin -Shën Libri, ndërsa rilindësit tanë, në kohën e tyre, kur vendoseshin fatet e atdheut, e bënë zgjimin kombëtar me anë të shkollës dhe gjuhës shqipe, duke ecur nën moton e të madhit Naim Frashëri se “Drita e diturisë përpara do të na shpjerë.” Tashmë kohët kanë ndryshuar, vendi ynë është në prag të integrimeve të mëdha dhe libri është mjeti që i mirë për këtë përqasje, sepse me anë të tij jepet mundësia për të gjetur disa çelësa diturie që hapin dyert e kulturës, zhvillimit dhe përparimit evropian për ta kthyer Orikumin, këtë perlë në buzë të dy deteve, Jonit dhe Adriatikut, në një qendër të zhvilluar të turizmit dhe të Shqipërisë për ta justifikuar me dinjitet historinë dhe pozicionin aq të lakmuar gjeografik të tij.
Shoqata ʺShqipëria” e vazhdoi aktivitetin e asaj dite duke shkuar dhe te Shtëpia e Fëmijës Vlorë, duke dhuruar veshmbathje, lodra, barna mjekësore, ushqime, por aktiviteti më mbresëlënës mbeti ai i dhurimit të librave në shkollën komunitare “Balil Pelariʺ, në Orikum. Kjo, për faktin se tani në kohët moderne thuhet se brenda librave gjenden më shumë thesare sesa në ishujt e piratëve që kërkojnë thesare të fshehura. Libri është një botë më vete ndërsa 250 libra të dhuruar janë një botë me libra dhe kjo falë një shoqate, nga e cila duhet të merret shembull.