Shqiptarët shpenzojnë rreth 650 milionë euro në vit brenda dhe jashtë vendit, për trajtime mjekësore. Një shifër e cila konsiderohet më e lartë se vendet e rajonit dhe që ka shërbyer për joshjen e investimeve miliona euro në ndërtimin e spitaleve private
Elona GUSMARI / Vitet e fundit, në Shqipëri, janë investuar rreth 200 milionë euro në hapjen e spitaleve private që synojnë të modernizojnë këtë shërbim, i cili prej vitesh vuan handikapin e cilësisë, por jo vetëm. Për të përftuar një shërbim cilësor (përtej kostove të larta), shqiptarët i drejtoheshin kryesisht spitaleve private në Turqi dhe Greqi. Shumat e mëdha që shpenzoheshin në këto spitale (për shkak se shtrimet janë private, nuk ka një shifër të saktë), tërhoqën vëmendjen e investitorëve nga të dyja shtetet, duke i nxitur të krijojnë filiale. Sipas statistikave të dhëna nga spitalet private, shqiptarët shpenzojnë privatisht për shëndetin mesatarisht në vit rreth 7.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, apo rreth 650 milionë euro.
Aktualisht në Shqipëri ka tre spitale të mëdha private, “Spitali Amerikan”, “Universal Hospital Tirana” dhe “Hyegia”. Spitali Amerikan, i pari i hapur në vitin 2006, tashmë ka konsoliduar pozitat e tij, ndërsa dy spitalet e tjera janë në hapat e para. “Universal Hospital Tirana” ka nisur të ofrojë disa shërbime bazë, ndërsa pritet të përmbyllë investimin e tij. “Hygeia”, një investim grek, do të nisë të funksionojë në ditët e para të muajit korrik të këtij viti.
Tregu duket me mjaft interes. Drejtuesi e Spitalit Amerikan, i hapur që në vitin 2006, pohojnë se investimi jo vetëm ka qenë në lartësinë e menduar, por i ka tejkaluar gjithë pritshmëritë, çka po i nxit ata drejt një zgjerimi të shpejtë.
Hapja e spitaleve private duket se ka sjellë edhe efektet e para. Sipas këtyre operatorëve, tashmë që pjesa më e madhe e shërbimeve ofrohen edhe në vend, rreth 85% e shqiptarëve që shkonin jashtë shtetit për kurim, tani e marrin atë në vend. Kjo shifër, sipas operatorëve, tregon për potencialet që ka tregu.
Nuk kanë asgjë të përbashkët me spitalet shtetërore. Nëse hyn në njërin prej tyre, e kupton se do të përballesh jo vetëm me një cilësi më të lartë shërbimi, por edhe me kushte akomodimi moderne. Gjithçka në strukturën e këtyre spitaleve është e përshtatur me standardet europiane, madje mund të thuhet se janë investime që nuk gjenden në vendet e tjera të rajonit.
Pacientët që do të kërkojnë të marrin shërbimin mjekësor në këto spitale do t´iu duhet të përballen me çmime jo të ulëta, por që janë të konkurrueshme me ato që ofrojnë spitalet private që ndodhen jashtë. Qëndrimi me netë ka kosto gatigati të barabartë me atë në një dhomë hoteli, që varion nga 50 deri në 100 euro apo më shumë, në varësi të kushteve, pa llogaritur kostot e tjera që kanë të bëjnë me trajtimin mjekësor.
Mjetet ekzaminuese flasin me gjuhën e teknologjisë së fundit, ndaj dhe mund të kryhet çdo shërbim, që nga operacionet në zemër, onkologji, transplante apo edhe fertilizim in vitro etj. Steriliteti është në nivele të larta dhe për çdo pacient kujdeset përveç stafit mjekësor, një person i specializuar, i cili qëndron edhe gjatë orëve të natës.
Në termat e biznesit, edhe pse një treg i ri, parashikohet të ketë ecuri pozitive. Të tria spitalet do të mundohen të forcojnë pozitat e tyre, duke konkurruar për t´u ofruar shqiptarëve një shërbim modern mjekësor. Një konkurrencë e cila, sikundër ndodh edhe në Greqi apo Turqi, mund të nxisë atë që njihet si turizmi mjekësor dhe që në të dy këto vende arrin të vjelë miliona euro. Momentalisht Shqipëria arrin të shfrytëzojë me anë të çmimeve të ulëta që ofron vetëm turizmin dentar.
Investimi 100 milionë euro
Ka rreth dy muaj që spitali “Universal Hospital Tirana” ka nisur të funksionojë. Është një investim i përbashkët shqiptaro-turk dhe llogaritet në rreth 100 milionë euro, duke u cilësuar si investimi më i madh në këtë sektor. Kontakti i parë kur hyn në ambientet e këtij spitali të krijon përshtypjen e një vendi që nuk ka aspak të bëjë me të sëmurë, analiza, operacione apo gjëra të këtij lloji. Në shikimin e parë, e vetmja gjë që të bën të kuptosh është ndonjë bluzë e bardhë që kalon nxitimthi në korridorin e madh. Salla e pritjes është e mobiluar me një stil “alla Luigji XIV”, ku të bien në sy karriget me ndenjëset me ngjyrë të argjendtë, tavolinat me mermer dhe tavanet e pikturuar. Një pjesë e investimit nuk ka përfunduar ende ndaj dhe shërbimet që ofrohen nuk janë të plota.
Ky spital ka një sipërfaqe të mbyllur prej rreth 19,600 metra katrorësh, 120 dhoma moderne për pacientët, 5 dhoma për ndërhyrje kirurgjikale dhe 2 dhoma lindjeje.
Teknologjia e përdorur në spital është jo vetëm e fundit për Shqipërinë, por edhe në Ballkan dhe Europë, madje edhe në SHBA.
“Universal Hopspital Tirana” është pjesë e “Universal Hospitals Group”, një rrjet i përbërë nga 110 spitale.
“Hygeia”, konkurrenca greke
Ideja për të hapur një spital grek në Shqipëri është formuluar disa vite më parë, ndërsa vetëm tani ky investim ka nisur të marrë pamje dhe do të hapë zyrtarisht dyert në fillim të muajit korrik. Është një investim tërësisht grek që kap shifrën rreth 60 milionë euro, pjesë e “Hygeia Group” dhe mban emrin “Hygeia Hospital Tirana”. Është një qendër e diagnostikimit dhe e trajtimit mjekësor. Gjendet pak kilometra larg qendrës së Tiranës, ka një sipërfaqe rreth 25,000 metra katrorë dhe ka 7 kate ndërtimi. Do të ketë një kapacitet prej rreth 220 shtretërish dhe do të punësojë rreth 400 persona. Stafi mjekësor do të jetë si grek ashtu edhe shqiptar.
I gjithë arredimi dhe dizajni i spitalit është model amerikan, ku çdo pavijon do të ketë jo vetëm hapësirën e dedikuar, por edhe stafin e specializuar.
Në këtë spital do të kryhen të gjitha llojet e operacioneve, duke filluar nga ato më të vështirat, siç është transplanti e deri te shërbimet e urgjencës apo edhe të obstetri-gjinekologjisë.
“Hygeia”, pjesë e “Marfin Investment Group” (MIG), synon që të bëhet një nga investitorët më të mëdhenj në Europën Juglindore dhe në Lindjen e Mesme. Në Athinë, zë një treg prej 202.2 milionë eurosh.
Në Shqipëri, investitorët e “Hygeia”, synojnë që të tërheqin edhe pacientë nga shtetet fqinje, si Kosova, Maqedonia apo edhe Mali i Zi.
Stafi që do të punësohet do të marrë trajnim, si në Shqipëri, Greqi ashtu edhe në vende të tjera të Europës. Në këtë spital mendohet se do të funksionojë edhe skema e sigurimeve shoqërore, por që do të realizohet me anë të një kompanie private që do të operojë në vend. Drejtuesit thonë se “Hygeia” do të jetë një spital i cili do të sjellë konkurrencë në çmime, duke mos synuar vetëm shtresën e lartë të njerëzve.
“Turizmi” shëndetësor në Greqi dhe Turqi
Greqia ofron një shërbim miks, si privat ashtu edhe shtetëror në shëndetësi. Spitalet private përbëjnë rreth 26% të shtretërve, ndërsa pjesa tjetër i takon shërbimit publik.
Në Greqi operojnë më shumë se 200 klinika private që kanë 15,000 shtretër, ndërsa ka rreth 144 spitale publike jofitimprurëse që zënë rreth 37,000 shtretër.
Shifra e shtretërve nuk është e mjaftueshme për të plotësuar nevojat e banorëve, ndaj dhe fqinji jugor renditet në vendet me nivelin më të ulët (për 1,000 banorë 5.1 shtretër). Klinikat private sigurojnë rreth 900 milionë euro në vit shitje shërbimesh. Kryesisht janë me kapacitete të vogla (nën 100 shtretër) dhe mbijetojnë falë shërbimit të sigurimeve shëndetësore publike.
Në Greqi, shërbimi shëndetësor ka një cilësi të lartë, por konsiderohet i kushtueshëm. Është e nevojshme që një person kur udhëton drejt këtij vendi, të ketë të mbuluar sigurimin shëndetësor në udhëtim ose mbulim privat nëse ka planifikuar një qëndrim të gjatë. Emigrantët që jetojnë dhe punojnë në Greqi dhe që paguajnë rregullisht kontributet e sigurimeve shëndetësore kanë të drejtë të përfitojnë nga mbulimi shëndetësor.
Turqia është një nga vendet që po njeh gjithnjë e më shumë rritje të sektorit privat shëndetësor, duke përbërë 30% të totalit të këtij shërbimi. Në Turqi ka 820 spitale publike dhe 420 spitale private, këto të fundit përbëjnë një sektor që llogaritet në 6.89 miliardë dollarë. Vendi është duke ndërmarrë masa të mëdha për të rritur përqindjen në tregun e turizmit shëndetësor në 400 miliardë dollarë nga 120 miliardë dollarë që e ka aktualisht.
Afërsisht 200,000 turistë e vizitojnë Turqinë për këtë qëllim. Pjesa më e madhe e tyre kërkojnë shërbime, si ai i kirurgjisë me lazer në sy, ndërhyje të kirurgjisë plastike dhe ekzaminime dentare.
Në vendet e Bashkimit Europian, shërbimi me lazer dhe kirurgjikal është i kushtueshëm nga 3-5,000 euro, ndërsa kësaj kostoje duhet t´i shtosh 1,500 euro për fluturimin dhe akomodimin.
Amerikanët janë kontingjenti më i mirë për spitalet turke pasi rreth 46 milionë njerëz nuk kanë sigurime shëndetësore, ndaj kompani të ndryshme i çojnë ata në vende të ndryshme. Që nga viti 2000, vende si Kuba, Hungaria, India, Izraeli, Jordania, Greqia, Lituania, Malajzia janë duke zhvilluar ekonomitë e tyre nëpërmjet turizmit të shëndetësisë. Së fundmi, këtë rrugë po e ndjek edhe Belgjika dhe Singapori.
Në Turqi shërbimet shëndetësore konsiderohen si relativisht jo të kushtueshme.
Në një nga spitalet më të njohura në Turqi, rreth 5% e përbëjnë pacientët e huaj që vijnë nga shtete si Rumania, Bullgaria, Kosova, Azerbajxhani, Ukraina, Gjermania, Holanda etj. /Monitor/