Në botën e lajmeve thuhet se lajmi i mirë nuk përbën lajm, dhe lajmi i keq është lajm (sepse lajmi i keq tërheq më shumë vëmëndje).
Dr. Luan Zyka / Në rastin tonë, në shtypin shqiptar të djeshëm u ranë daulleve duke lajmëruar se: “Parlamenti grek ka diskutuar projektligjin e ri që lehtëson dhënien e pensionit të plotë për emigrantët shqiptarë”.
Po si është e vërteta ?
Në Parlamentin grek po diskutohet për ndryshimin e një pike të ligjit Νr. 4387/16 për pensionet, dhe konkretisht për llogaritjen viteve të qëndrimit në Greqi për të marrë pensionin kombëtar prej 384 € në muaj.
Ky projketligj u referohet vetëm qytetarëve me origjinë greke që kanë ardhur në Greqi nga Shqipëria dhe ish-Bashkimi Sovjetik, dhe jo të gjithë emigrantëve që punojnë e jetojnë në Greqi, ku pjesa më e madhe janë shqiptarë.
Në shtypin shqiptar të djeshëm shkruhet e thuhet se ligji ndihmon të gjithë emigrantët !!!
Nuk arrij të kuptoj se, kur në Greqi dhe në Shqipëri ka me mijra persona që dinë mirë shqip edhe greqisht, lajmet që lidhen me të dy vendet shpesh jepen jo të plota dhe shpesh të gabuara.
PROJEKTLIGJI I RI QË PO DISKUTOHET NË PARLAMENTIN GREK ZGJIDH DERI DIKU NJË PROBLEM TË VËLLEZËRVE TANË TË GREKËVE TË SHQIPËRISE QË JETOJNË NË GREQI, POR PËRJASHTON PJESËN TJETËR TË EMIGRANTËVE TË LIGJSHËM NË GREQI, POR QË NUK JANË TË ORIGJINËS GREKE.
Ky dallim, përbën shkelje ligjore të frymës dhe legjislacionit të Bashkimit Europian, sepse është formuluar mbi baza racore.
Në këtë këndëvështrim, duhet ta kërkojnë emigrantët shqiptarë, me nënshtetësi apo jo greke, për tu trajtuar edhe ata njësoj si taksapaguesit me origjinë greke të ardhur nga Shqipëria dhe vendet e ish-BS.
Nga kjo pikpamje, ky lajm për emigrantët shqiptarë nuk përbën lajm, sepse nuk u referohet atyre. Por nga pikpamja e së drejtës, ky është lajm i cili mund të hapë rrugën e zgjerimit të ligjit për të përfshirë edhe emigrantët e tjerë në Greqi.
Por fitimi i së drejtës arrihet me kërkesa dhe lëvizje të organizuara, ashtu siç bënë në Athinë qytetarët nga Shqipëria me origjinë greke.
Koncepti dhe përllogaritja e pensionit kombëtar
Në Greqi pensioni bazë i pleqërisë llogritet si shumë e pensionit kombëtar dhe pensionit sipas kontributit të pagave dhe kohës së punësimit.
Pensioni kombëtar grek i cili shkon në 384 euro në muaj për ata që kanë kontribuar përkatësisht të paktën 20 vjet, përbën një mjet të politikës sociale që synon të trajtojë varfërinë dhe përjashtimin social, pasi garanton një pension minimal.
Ky pension paguhet nga Buxheti i shtetit dhe jo nga kontributet e e mbajtura nga rroga gjatë punësimit të punonjësit.
Ligji i vjetër kushtëzonte sasinë e pensionit kombëtar në bazë të viteve të qëndrimit të ligjshëm në Greqi.
Dmth, që të merrje pensionin e plotë kombëtar prej 384 € duhej të kishe 40 vite qëndrim të ligjshëm në Greqi. Me projketligjin e ri nuk kërkohen 40 vite por vetëm 30 vite të ligjshme për të marrë pension të plotë kombëtar prej 384 € në muaj.
Konkretisht, me ligjin e vjetër, për cdo vit më pak se 40 vite qëndrim të ligjshëmnë Greqi, pensioni ulej 2,5 % për cdo vit të shumës së 384 € në muaj. Dmth nëse dikush ka 30 vite të ligjshme në Greqi do merrte 288 € pension kombëtar dhe në vit do të humbiste 1152 €.
Me projketligjin e ri, kusht është të kesh 30 vite qëndrimi në Greqi, dhe pensioni kombëtar llogaritet i plotë 384 € në muaj.