Terrorizmi askush nga ne nuk ka imunitet

1166

AZEMI PORTRETAZEM PARLLAKU  /  Analiza e pikëpamjeve të qeverive ose studiuesve të ndryshëm mbi këtë temë, tregon se nuk ka përputhje mendimi se ç’është terrorizmi. Por gjithësesi, duket se ekziston njëfarë bashkëpajtimi në lidhje me disa përbërës sic është natyra e aktit (akt i paligjshëm); me autorët e tij (individë, grupe, apo shtete); qëllimet e tij (politike, ekonomike, shoqërore); motivimet dhe përfundimet e synuara nëpërmjet tij (ngjallja e frikës, apo e ligështimit); objektivat (viktimat); dhe metodat (goditja, pengmarrja).

Mbi bazën e elementeve të mësipërme terrorizmi mund të përkufizohet si:

Përdorim i llogaritur i dhunës, ose i kanosjes për përdorim të saj, nga individë, grupeve të segmenteve të një vendi, ose veprimtarë shtetërorë, për arritjen e objektivave politikë, shoqërorë e ekonomik, në kundërshtim me ligjin. Këto akte kanë për qëllim të krijojnë frikë masive në një zonë të vënë në shënjestër, që është shumë më e gjërë, se ajo ku u sulmuan, apo u kërcënuan viktimat, që kanë dy shënjestra, popullsinë ose dikasteret e rëndësishme të një shteti.  Shkaqet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie por edhe për hakmarrje.

Terrorizmi rezulton në të mbledhurit e frikës brenda njerëzve, nëpërmjet mënyrave të dhunës. Ai është të përdorurit e mjeteve internacionale dhe të organizuara që natyrisht të shkaktojnë frikë për të arritur qëllime të veçanta. Është akt i tmerrshëm barbarist,  që ju kundërvihet rregullave të shoqërisë, dhe thyen nderin e njeriut. “Terrorizmi” vjen nga fjala franceze “terrorisme” dhe në fillim i referohej në mënyrë specifike terrorizmit shtetëror siç u praktikua nga qeveria franceze gjatë Mbretërimit të Terrorit 1793-1794.

Fjala franceze “terrorisme”nga ana e saj rrjedh nga folja latine “terreo”, që do të thotë “frikësoj”.

“Terror cimbricus” ishte një panik dhe gjendja e jashtëzakonshme në Romë në përgjigje të afrimit së luftëtarëve të fisit Cimbri në 105 para Krishtit.  Jakobinët e përdorën këtë precedent, kur vendosën një regjim terrori gjatë Revolucionit Francez. Pas humbjes së pushtetit nga Jakobinët, fjala “terrorist” u bë një term i abuzimit. Edhe pse “terrorizmi” fillimisht i referohej akteve kryer nga një qeveri, aktualisht e më zakonshëm i referohet vrasjes së njerëzve të pafajshëm për qëllime politike në mënyrë të tillë që të krijojë një spektakël mediatik.

Në nëntor 2004, një raport i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara e përshkronte terrorizmin si çdo akt “që ka për qëllim të shkaktojë vdekje ose lëndime të rënda trupore ndaj civilëve apo jo luftëtarëve me qëllim të frikësimit të popullatës apo për ti imponuar një qeverie apo një organizate ndërkombëtare për të bërë ose për të mos bërë ndonjë akt”. Nëse i analizon këto definicione, dhe nëse i studion shkallët e tyre të specifikimit, dhe shkallët në të cilat mbështetën për ta deklaruar një akt se a është terrorizëm, do të vish në përfundim se të gjitha këto përshkrime dështojnë që ta sqarojnë në mënyrë kategorike konceptin e terrorizmit. Këto definime ose janë shumë të gjëra ose janë shumë precize, apo jo mjaft të gjëra apo jo mjaft precize, dhe dallimet në definimin e terrorizmit vihen nga pikpamje të ndryshme, interesa dhe ideologji të ndryshme që ekzistojnë në shtete të ndryshme.

terrorizmi ne focus-1Secili shtet e sqaron terrorizmin në pajtueshmëri me politikën dhe interesat e veta, pa marrë parasysh se a përputhet definicioni me domethënien e saktë të terrorizmit, apo se a e kundërshton atë. Për këtë arsye do të gjesh një akt të kryer nga një grup ose individ që përshkruhet si “akt terrorist” ndërsa në një rast do të gjesh një akt tjetër të ngjashëm, ndoshta edhe më barbarik që gjykohet nga të tjerët se nuk konsiderohet terrorizëm. I konsideruar si një e keqe e kohës sonë, terrorizmi po dëshmon se, asnjë prej nesh nuk ka imunitet ndaj tij. Ngjarjet e ndodhura herë pas here të cilat shoqërohen me humbje të jetëve njerëzore, dëshmojnë se: terrorizmi prek të gjitha shtetet, të mëdha dhe të vogla, të pasura apo të varfra qofshin ato.

Ai vepron ndaj personave të cdo moshe, mbi pasurinë, kulturën dhe fenë e vërtetë.

Ajo çfarë ndodhi së fundmi në Kumanovë, duhet konsideruar si fenomen i ri i “terrorizmit”: numri i viktimave, koha, e vendi i zgjedhur, sollën si të re efektin socologjik të kësaj të keqe të kohës sonë. Në ditët e fundit, opinionbërësit e kanë trajtuar këtë fenomen dhe pothuaj tek gjithë, ekziston njëfarë bashkëpajtimi në lidhje me disa përbërës sic është natyra e aktit (akt i paligjshëm); me autorët e tij (individë, grupe, apo shteti); qëllimet e tij (politike, ekonomike, shoqërore); motivimet dhe përfundimet e synuara nëpërmjet tij (ngjallja e frikës, apo e ligështimit); objektivat (viktimat); dhe metodat (goditja).

Ndërsa po flitet, me të drejtë lind pyetja; a është Shqipëria objekt i sulmeve terroriste dhe përse?!

Po të kihen parasysh ideologjia dhe synimet e terrorizmit, vendi ynë nuk kërcënohet vetëm në sensin e luftës globale që bëjnë terroristët, por dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Shqipëria ashtu sikurse cdo vend tjetër nuk është e shmangur nga rreziku i goditjes, goditja mund të vijë në cdo kohë.

Arsyet e goditjes së vendit tonë nga terrorizmi, janë nga më të ndryshmet, më kryesisht ato kanë të bëjnë me disa nga faktet e shtruara si më poshtë;

Shqipëria nëpërmjet politikës së Jashtme dhe nëpërmjet Strategjisë së Sigurisë Kombëtare, është e angazhuar drejtpërdrejtë në luftën kundër terrorizmit global.

Vendi ynë ka përkrahur politikat e Kombeve të Bashkuara për përmirësimin e gjendjes së sigurisë në Lindjen e Mesme, e në këtë kuadër kontribon me trupa ushtarake në mbështjtjen e paqes në Irak dhe Afganistan. Synimet e terrorizmit fondamentalist si ai i luftës për krijimin e shtetit të përbotshëm fetar, lufta kundër amerikanëve, izrealitëve dhe përkrahësve të tyre, e shënjestrojnë Shqipërinë si vend të goditjes.

Të gjitha besimet më të mëdha të botës, induizmi, krishtërimi, judaizmi dhe islamizmi, kanë  lindur në të njejtin rajon të Lindjes së Mesme e të Afërt.

Qëllimi i këtyre besimeve nuk ka pse të jetë, ai i burgosjes së mendjes dhe i shtypjes së emocioneve nëpërmjet frikës dhe ndjenjës së fajit. Në mënyrë të pabesueshme në harkun e dhjetvjecarëve të fundit, miliona njerëz kanë rënë e po bien në grackën e shtypjes emocionale dhe burgut mendor. Në këtë kontekst fatkeqësisht krahas misionarve të paqes në Lindje të Mesme, ka plot shqiptarë që janë rreshtuar në falangat terroriste kryesisht në Siri.

Në Shqipëri janë miratuar akte ligjore dhe nënligjore, e në vazhdimësi promovohen masa të cilat kanë si qëllim të ndalojnë veprimtarinë e elementëve radikal dhe strukturave që mbështesin terrorizmin. Bashkëjetesa fetare ndërmjet shqiptarëve, zhvillimi i besimeve fetare në mënyre paqësore, duke respektuar traditën dhe kulturën e tyre shekullore, janë një fakt i papranueshëm për radikalët islamikë dhe mbështetësit e tyre. Lidhjet ndërkombëtare të grupeve të ndryshme terroriste, u japin atyre mundësinë e bashkëveprimit në rajone e shtete të ndryshme, e në këtë kontekst dhe vendi ynë mund të jetë i përfshirë brenda këtyre interesave.

Shqipëria është anëtare e NATO-s, dhe po punon për të plotësuar detyrimet për t’u anëtarësuar në BE, ky është një fakt tjetër i papëlqyeshëm për terroristët.

Zhvillimi i ulët ekonomik, korrupsioni, mungesa e kontrollit të plotë të kufijve, mund të shfrytëzohen nga terroristët kryesisht ato ndërkombëtarë, të cilët e cmojnë bashkëpunimin me rrjetet e brendshme kriminale, me qëllimin e krijimit të bazave të strehimit për veprimet e tyre. Shkaqet e terrorizmit janë politike, për destabilizimin e një shoqërie por edhe për hakmarrje. Këto qëllime kanë çuar në themelimin e organizatave të ndryshme të cilat më pas nëpërmjet mesazheve të tyre me karakter politik ose fetar ngjallin frikë dhe panik në radhët e popullsisë. Shumë nga idetë politike të instrumentalizuara nga organizata terroriste për të justifikuar veprimet e tyre, e bëjnë këtë të keqe bashkëshoqëruese të çdo ideologjie.