TRAFIKUAN QINDRA PERSONA DREJTË BE-së, ZBULOHET SKEMA. NË GJYKIM 27 PERSONA

Aktualitet

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim çështjen ndaj 27 të pandehurve, anëtarë të dy grupeve të strukturuara kriminale, të akuzuara për trafikim të qënieve njerëzore.

Veprat për të cilat akuzohen:

“Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë me qëllim përfitimi, “Falsifikim i dokumentave”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë atë të grupit kriminal,“Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e krijimit, drejtimit, organizimit apo pjesëmarrjes, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale apo grupi kriminal”, “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, i parashikuar nga nenet; 298/2 e 28/4; 186/1 e 28/4; 333/a/1, 334/1 dhe 244/2 e 25 të Kodit Penal, parashikuar nga nenet; 298/2 e 28/4; 186/1 e 28/4; 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.

Nga hetimi rezulton e provuar ekzistenca e dy grupeve kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë organizuar kalimin e paligjshëm të kufirit shqiptar të mbi 650 shtetasve të huaj, kryesisht nga vendet e Azisë së Jugut (Bangladeshi) dhe Afrikës Qendrore (Kameruni), gjatë vitit 2023 deri në prill të vitit 2024, kundrejt përfitimit material.

Këto grupe kriminale besohet të kenë kryer të njëjtën veprimtari edhe në vitin 2022 edhe me shtetas të huaj nga vende te tjerë. Shqipëria provohet të jetë përdorur si vend tranzit, territor përmes të cilit është lehtësuar hyrja e ligjshme e shtetasve të huaj nga kontinentet e Azisë dhe Afrikës në kontinentin e Evropës përmes transportit ajror dhe ka vijuar në mënyrë të paligjshme përmes transportit tokësor, drejt rrugës ballkanike. Kjo veprimtari bëhej duke shfrytëzuar aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë punësimin e shtetasve të huaj.

Veprimtaria kriminale e organizuar në nivel transnacional dhe konsiston në:

a) Rekrutimin e shtetasve të huaj në vendet e origjinës, kryesisht nga vendet e Azisë së Jugut dhe Afrikës Qendrore, përmes agjencive që operojnë në Emiratet e Bashkuara, Dubai apo edhe Kameruni. Personat e rekrutuar janë meshkuj të moshës mesatarisht nga 24 në 35 vjeç.

b) Ndërmjetësimin e punësimit të tyre nga drejtuesit e grupeve kriminale që operojnë në Shqipëri, ku përfshihej aplikimi për punësimin e tyre në shoqëri të ndryshme tregtare, të regjistruar në Shqipëri (kryesisht në Tiranë, Vlorë dhe Durrës). Në disa raste, ortakët apo administratorët e këtyre shoqërive ishin në dijeni të fiktivitetit të punësimit dhe konsiderohen edhe ata si pjesëmarrës në grupin kriminal;

c) Falsifikimin e kontratave të qirasë, kontratat e punës, ftesat për punësim, certifikatat profesionale apo ato të njohjes së gjuhëve të huaja, të domosdoshme për procedurat për t’u pajisur me vizën të kategorisë “D”, sipas ligjit nr. 108/2023 “Për të huajt” dhe VKM-së nr. 858, datë 858, datë 29.12.2021 “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave dhe dokumentacionit për hyrjen, qëndrimin dhe trajtimin e të huajve në RSh”.

d) Lehtësimin e kësaj veprimtarie kriminale nga specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme dhe asaj Vendore të Policisë Kufitare, të përfshirë në procedurat e pajisjes me vizë të këtyre shtetasve, në dijeni dhe pjesë e këtij grupi kriminal, përmes këshillimit.

d) Planifikimin e udhëtimit të këtyre shtetasve dhe pajisjen me bileta udhëtimi nga ’Vacation Planner Travel &Tourism”, me vendndodhje në Emiratet e Bashkuara Arabe, me ortak të pandehurin, Km Shaqiful Islam, udhëtimin e tyre nga aeroportet e Dubait dhe të Kamerunit, në drejtim të Rinasit dhe pritjen nga drejtuesit dhe pjesëtarët e grupeve kriminale.

e) Akomodimin e tyre prej disa orësh apo disa ditësh në vende të ndryshme si; restorante, hotele apo vende të tjerë, duke mos u paraqitur ose duke u paraqitur në punë vetëm për disa ditë tek shoqëritë tregtare që kanë kërkuar punësimin e tyre, në pritje të transportimit të tyre;

f) Transportimin në mënyrë të paligjshme nga grupe kriminale përtej kufijve shqiptarë në rrugën ballkanike, Shqipëri, Kosovë, Serbi dhe më tej me destinacion përfundimtar vendet e Bashkimit Europian.

Në lidhje me pagesat e kryera provohet se secili nga shtetasit e huaj nga Bangladeshi kanë paguar shuma parash, të cilat variojnë nga gjashtëmijë deri në tetëmijë euro. Këto shuma parash paguheshin prej tyre kryesisht në Dubai dhe më pas transferoheshin në Shqipëri tek drejtuesit e grupit nepërmjet sistemit “Haëala”.

Nga kontrollet e ushtruara në banesat e të pandehurve janë sekuestruar 700.000 (shtatëqind mijë) Dollarë Amerikanë, 400.000 (katërqind mijë) Euro, 4 000 (katër mijë) Pound, 520.000 Lekë.