Tunizi: Gjashtë emigrantë të vdekur dhe 30 të zhdukur në një anijembytje

Emigracioni

Gjashtë emigrantë që përpiqeshin të arrinin ilegalisht në Evropë u mbytën sot dhe 30 të tjerë janë zhdukur pas fundosjes së një varke të improvizuar në brigjet e Tunizisë, sipas autoriteteve vendore.

Tridhjetë e katër migrantë të tjerë u shpëtuan nga njësitë e rojes detare dhe bregdetare pas fundosjes së një varke që i transportonte në brigjet e Zarzis në Tunizinë juglindore, tha për AFP Mohamed Zekri, një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes së Tunizisë.

Sipas dëshmive të emigrantëve të shpëtuar, në bord ndodheshin 70 persona, duke përfshirë 15 egjiptianë, tre sudanezë dhe një maroken, të cilët u larguan nga Libia për të tentuar të hyjnë ilegalisht në Evropë, shtoi Zekri.

Sipas të njëjtit burim, hetimet po vazhdojnë për gjetjen e 30 të zhdukurve. Të mbijetuarit do të transportohen në portin e El Ketef në zonën Ben Guerdane, tha për AFP Monji Slim, kreu i Gjysmëhënës së Kuqe në zonën e Medeninës (në jug).

Italia është një nga pikat kryesore të hyrjes në Evropë për emigrantët nga Afrika e Veriut, kryesisht Tunizia dhe Libia, nga ku nisjet po rriten ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Gati 55,000 emigrantë kanë zbritur në Itali nga fillimi i vitit deri në fillim të nëntorit, krahasuar me pak më pak se 30,000 në 2020, sipas shifrave zyrtare nga autoritetet italiane.

Sipas statistikave të Forumit Tunizian për të Drejtat Ekonomike dhe Sociale, në nëntë muajt e parë të vitit 2021, roja bregdetare tuniziane kapi rreth 19.500 emigrantë që përpiqeshin të kalonin Mesdheun.

Gati 1,300 emigrantë janë raportuar të zhdukur ose të mbytur në Mesdhe, dhe rreth 52,000 kanë mbërritur në brigjet italiane gjatë së njëjtës periudhë, sipas statistikave të Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR).