Në vitin 2015, borxhi i pambledhur, si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, provatë, shtetërorë, etj, u rrit me 70%, duke arritur në 2.7 miliardë lekë (gati 20 milionë euro)…
Bashkia e Tiranës po shqyrton rritjen e çmimit të ujit, sipas një vendimi, që do i propozohet Këshillit Bashkiak të kryeqytetit, ditën e mërkurë. Sipas relacionit, për familjarët propozohet një rritje çmimi me 44%, nga 45 lek/ m3 në 65 lekë/m3.
Për bizneset, rritja e propozuar është po 44%, nga 135 lekë/m3 në 190 lekë/m3. Sipas relacionit të Bashkisë, shoqëria është e angazhuar për të bërë investimet e nevojshme për rritjen e përqindjes së lidhjeve me ujëmatës në pesë vitet e Planit të Biznesit, në mënyrë që të rrisë lidhjet në ujëmatësa, në zonën e re të shërbimit të UK Tiranës, nga 75% në 2016, në 97% për konsumatorët familjarë në fund të vitit 2021, dhe në 100% lidhje me ujëmatës për entet private dhe institucionet buxhetore deri në fund të vitit 2018”.
Rritja e çmimit propozohet në një kohë që Ujësjellës-Kanalizime Tiranë rezulton një nga kompanitë më fitimprurëse dhe rentabël në Shqipëri, nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka hapësira për të rritur të ardhurat përmes rikuperimit të detyrimeve të prapambetura.
Sipas të dhënave zyrtare, të ardhurat e Ndërmarrjes Ujësjellës Kanalizime, në vitin 2016 ishin 2.95 miliardë lekë (21.5 milionë euro). Konsumatorët familjarë sjellin gati gjysmën e të ardhurave të Ujësjellësit.
Fitimi i kompanisë, para taksave, ishte 675 milionë lekë, apo gati 5 milionë euro, me një rritje prej 8% në raport me fitimin e vitit 2015.
Tre vitet e fundit, sipas bilancit, aktiviteti i Ujësjellës-Kanalizimeve ka qenë i qëndrueshëm me një rritje të lehtë të të ardhurave, ndërsa norma e fitimit është përmirësuar. Në vitin 2016, norma e fitimit ishte 23%, çka nënkupton se për çdo 100 lekë të ardhura, 23 ishin fitime (para taksave). Në vitin 2014 norma e fitimit ishte 18%.
Sipas bilancit të detajuar të vitit 2015, shpenzimet e personelit ishin rreth 860 milionë lekë (37% të totalit të shpenzimeve), ndërsa shpenzimet e përgjithshme të prodhimit ishin 924 milionë lekë, rreht 40% të totalit.
Në vitin 2015, Ujësjellësi kishte logari të arkëtueshme, si rrjedhojë e mosarkëtimit të faturave nga konsumatorët familjarë, provatë, shtetërorë, etj, prej 2.7 miliardë lekësh (gati 20 milionë euro), me një rritje të ndjeshme prej 70%,në krahasim me 1.9 miliardë lekë që ishin detyrimet e paarkëtuara në 2014-n. 75% e këtij detyrimi i përket konsumatorëve familjarë.
Kompania ka një kapitali neto prej 7.1 miliardë lekësh, ndërsa detyrimet në total arrijnë në 9.7 miliardë lekë, nga të cilat 5.2 miliardë lekë është një huamarrje afatgjatë. Kredia afatgjatë është me kushte të buta dhe e marrrë nga qeveria italiane, gjatë periudhës 1993-2001 përmes BKT-së. Ujësjellësi ka dhe një kredi direkte nga BKT të marrë në vitin 2015 prej 1 miliard lekësh, e cila do të përdoret për rikonceptimin e shfrytëzimit të burimeve të Shën Mërisë.