Rama me 74 deputetë por i abandonuar nga 78 % e shqiptarëve

Kryesore Opinion
Nga Kastriot Islami
Zgjedhjet e pergjithshme janë të ndotura edhe këtë rradhë, madje më shumë se cdo herë tjetër, por të mirëmaskuara nga sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë, nga dy dukuri tashmë endemike dhe të shpërndara deri në kapilarët e shoqërisë, ndaj të cilavë askush nuk është në gjëndje të japë një përgjigje integrale dhe të plotë sesi mund të adresohen: blerja masive e votës me paratë e korrupsionit, krimit dhe trafiqeve dhe kërcënimi i votuesve përmes individëve me rekorde kriminale.
Përsëris dicka, që e kam paralajmëruar me kohë, se këtë rradhë kjo skemë e drejtuar nga ministrat dhe koordinuar nga vetë Rama ka qënë e mirëmaskuar, dhe është kryer me të gjitha mjetet e mënyrat, por edhe përmes përdorimit të mjeteve të administratës publike, punësimit, ndihmës ekonomike, pensionit, lejes së legalizimit, humbjes së vëndit të punës, presionit mbi biznesin, e tjerë, pavarësisht se cfarë ishte vendosur në marrëveshjen e 18 majit 2017.
Kjo është arsyeja që votuesit inteligjentë shqiptarë, në masën 78 përqind të atyre që ndodhen në listat e votimit i bojkotuan zgjedhjet apo votuan kundër, që do të thotë se mbi 58 përqind e atyre që jetojnë e punojnë në Shqipëri (sepse rreth 36,3 përqind e atyre që janë në listat e votimit janë emigrantë) janë të pashpresë dhe të gatshëm të emigrojnë, aq sa e kishte përcaktuar edhe një sondazh i BE. Ndërkohë që PS e PD kanë ruajtur vetëm bërthamat e tyre tradicionale, pra “fanatikët” që nuk janë më shumë se 1 votues nga 4-5 shqiptarë me moshë mbi 18 vjec dhe për 26 vjet kanë votuar me symbyllur për partinë e zemrës, pjesa tjetër e votuesve, të varfër e të papunë, kryesisht dhe të përjashtuar nga këndvështrimi social, për rrjedhojë të pashpresë, dhe që konsiderohen të “lëkundur e të pavendosur”, janë futur në tregun e shitblerjes së votës për të përfituar apo marrë ctë marrin nga paratë e derdhura lumë në fushatë apo premtime të tjera, si e vetmja mënyrë për të përfituar një herë në dy vjet sa herë që ka zgjedhje.
Zgjedhjet e 2017 kanë përcaktuar Ramën “timonier” të një maxhorance absolute, të vetme me 74 mandate, por tërësisht ilegjitime, jo vetëm se është kusare, kriminale e kanabiste, por se ka si mbështetje vetëm një të pestën e votuesve apo rreth 22 përqind të tyre. Thënë ndryshe, për shkak se votuesit e kishin të qartë se cdo të ndodhte me votën e tyre, ata i konsideruan këto si zgjedhjet më të ndotuara dhe prandaj i braktisen, pra i bojkotuan dhe kontestuan me votë masivisht më shumë se cdo herë tjetër në këto 27 vitet e fundit. Rreth 78 përqind ose 4 nga 5 votues shqiptarë e bojkotuan dhe/ose e votuan kundër maxhorancën absolute që u lut të merrte e vetme drejtimin e vëndit, apo timonin e qeverisjes sic u vetëdeklarua gjatë të gjithë fushatës. Kjo në një mënyrë indirekte tregon legjitimitetin e dobët të kësaj maxhorance gjoja absolute ndaj të cilës mosbesimi prej 78 përqind tregon se shqiptarët mbeten thellësisht të pashpresë dhe për rrjedhojë të gatshëm të emigrojnë masivisht, situatë të cilën e ka “fotografuar” po ashtu një sondazh i BE që tregon se 56 përqind e shqiptarëve duan të largohen nga vëndi. Më konkretisht, maxhorancën e vetme qeverisëse nuk e kanë votuar apo e kanë bojkotuar 2,7 milion votues shqiptare nga 3,45 milion shqiptarë me moshë mbi 18 vjec.
Zgjedhjet 2017, po ashtu kanë abandonuar zgjedhjet sepse kanë perceptuar një opozitë të pafuqishme, për të përballuar politikisht dhe elektoralisht blerjen e votës dhe kërcënimin e votuesve, madje edhe të papërgatitur për ta faktuar apo denoncuar blerjen e votës me fakte e prova.
Në Zgjedhjet 2017, përfundimisht mund të thuhet se nga pesë shqiptarë, vetëm njëri ka mbështetur qeverinë dhe vetëm një tjetër ka mbështetur opozitën dhe katër të tjerë ose kanë votuar kundër njërës apo abandonuar atë ose kundër tjetrës dhe abandonuar atë. Kjo situatë pesimiste rëndohet akoma më shumë po të kemi parasysh se OSBE/ODHIR ka deklaruar në raportin e saj se ka pasur “blerje masive të votës e kërcënim të votuesve”, gjë të cilën votuesit shqiptarë e dinë shumë mirë dhe për këtë arsye masivisht i kanë bojkotuar zgjedhjet. Kurse nga ana tjetër shumë analistë mendojnë se kjo situatë e abstenimit dhe refuzimit të lartë është rezultat i perceptimit të votuesve se votat do të bliheshin e votuesit do të kërcënohen nga maxhoranca ndërkohë që opozita nuk do të mund ta pengonte këtë maskaradë. Pra shqiptarët ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar realitetin dhe prandaj gjejnë rrugën më të lehtë, atë te refuzimit, abandonimit dhe ikjes/emigrimit.
Zgjedhjet 2017 i kanë bërë shqiptarët më të zhgënjyer, më të pashpresë dhe më me pa perspektivë se cdo herë tjetër më parë. Kështu këtë rradhë, në mënyrë më të qartë dhe të dukshme, shqiptarët kanë abandonuar politikën. Kjo do të thotë ndryshe se besimi i publikut te politika ka rënë ndjeshëm deri në atë pikë sa të mendojnë se zgjidhja e vetme është abandonimi dhe abstenimi si shprehje e mungesës së shpresës. Qytetarët në masë janë tashmë të bindur se sistemi nuk funksionon përderisa vota blihet dhe votuesi kërcënohet dhe për më tepër kanë arritur në përfundimin se askush nuk është në gjëndje ta pengojë një dukuri të tillë sistemike e kapilare.
Zgjedhjet 2017 janë tejet zhgënjyese edhe në një aspekt tjetër. Shqiptarët kanë abandonuar masivisht politikën dhe partitë politike shqiptare sepse për më tepër ndjehen të abandonuar e të pambështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë e përfaqsuesit e tyre në Tiranë, të cilët sipas tyre e njohin shumë mirë situatën por nuk ndërhyjnë ta ndryshojnë atë për arsye konjukturale, sepse preferojnë të mbështesin të keqen më të vogël duke i dhënë më shumë rëndësi stabilitetit të përkohshëm sesa demokracisë e mirëqeverisjes ose e kanë shumë të vështirë të ndërhyjnë sepse e keqja është bërë aq e madhe sa edhe ndërhyrja e tyre duke qënë ndoshta joefikase nuk do ta ndryshonte gjëndjen dhe kështu preferojnë më mirë të keqne më të vogël që të mos e lejojnë atë të dalë jasht kufijve nacionalë.
Zgjedhjet 2017, përmbledhtas, mund të thuhet se evidentuan qartas faktin që 4 në 5 shqiptarë nuk kanë më besim te politika, as te maxhoranca, qoftë në dukje absolute me 74 mandate por në thelb ilegjitime, por as edhe te opozita, duke bërë përgjegjëse, sigurisht në mënyra të ndryshme e për arsye të ndryshme, edhe maxhorancën edhe opozitën. Të gjithë ata që kanë abandonuar zgjedhjet por edhe ata që kanë votuar kundër, mendojnë se Maxhoranca i ka mashtruar me premtimet e pambajtura, per blerjen e votës, dhe kërcënimet; kurse Opozitën e konsiderojnë ende jo një alternative të besueshme, dhe të pafuqishme e të pamundur për të parandaluar, ndaluar apo demaskuar me fakte e prova të gjithë maskaradën elektorale. Nga këto zgjedhje të gjithë mësuan se 4 nga 5 qytetarë, duke abandonuar zgjedhjet, duke mos pasur besim te politika dhe të zhgenjyer nga roli i partnerëve ndërkombëtarë, përgatiten dhe do të tentojnë të gjejnë rrugën më të lehtë, atë të emigrimit.