Në ceremoninë përkujtimore të 21 Janarit, Kryeministri Edi Rama e cilësoi vrasjen e katër protestuesve si një krim shtetëror, duke theksuar se drejtësia, edhe pse vonon, nuk harron.
Rama kritikoi institucionet e drejtësisë për zvarritjen e çështjes ndër vite, ndërsa nënvizoi se vendimi i Gjykatës së Strasburgut e ka bërë të qartë përgjegjësinë e shtetit për përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Sipas tij, nevoja për drejtësi për 21 Janarin nuk do të shuhet kurrë.
Rama: 21 Janari, si një krim shtetëror, hyn te ajo kategori krimesh që na mëson se drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë. Nuk ekziston asnjë krim shtetëror i pandëshkuar, por është evidente se sa shumë vonon ndëshkimi për një krim shtetëror. Fatkeqësisht, për vite me radhë SPAK bëri sikur kjo çështje nuk ekzistonte. Ndërkohë, kur i është dashur, ka hetuar dhe ka ngritur akuza për çështje të hapura edhe me një letër anonime, apo ka konsumuar kohë dhe energji me vite duke mbajtur peng punë me interes shtetëror dhe punonjës shteti me çështje të cilat janë aq të sforcuara sa mund të shkruhen romane satirike.
Ndërkohë, 21 Janari ka një specifikë. Ndërkohë që gjurmë të shumta janë humbur, ujku është krejtësisht i dukshëm në sytë e të gjithëve. Gjykata e Strasburgut i nënvizoi shumë qartë si shkelje të Konventës Evropiane, qoftë përdorimin e forcës vdekjeprurëse, qoftë mungesën e bazës legjitime për të mbrojtur zyrën e Kryeministrit me forcë vdekjeprurëse, duke kërkuar nga autoritetet të zbardhin ngjarjen. Ndërkohë që shpresa vdes e fundit, nevoja për drejtësi nuk vdes kurrë, edhe kur vdes shpresa. Unë nuk e di edhe sa vite do të kërkojë fundi i padrejtësisë ulëritëse për 21 Janarin, por di me siguri që ulërima e kësaj padrejtësie nuk do të shuhet asnjëherë dhe nevoja për drejtësinë e munguar do të triumfojë me çdo kusht.
Sot shënohen 15 vite nga 21 janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë, u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Gjatë protestës u vranë Akeks Nika, Ziver Veizit, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.
Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”./vizionplus.tv


