Nga Azem Parllaku /
“Ne besojmë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në perëndim”, ky ishte mesazhi që, nënpresidenti amerikan, Mike Pence, përcolli në punimet e Samitit të Kartës së Adriatikut “US-Adriatic Charter” (A-5) në të cilin morën pjesë kryeministrat nga Mali i Zi, Kroacia, Shqipëria, Bosnje Hercegovina, Maqedonia, Kosova, Serbia e Sllovenia. Nënpresidenti Pence erdhi kësaj jave në Mal të Zi, në përmbyllje të vizitës së tij në Evropë, që synonte rikonfirmimin e përkushtimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë në Evropën Lindore, përballë Rusisë.
Në ndërkohë jo më larg se dje, Kongresi amerikan votoi sanksione të reja ekonomike kundër Rusisë, ndërsa nga ana e tij Donald Trump e cilësoi “mjaft të rrezikshme” gjendjen e marrëdhënieve midis Washingtonit dhe Moskës. Në Samitin e Kartës së Adriatikut “US-Adriatic Charter” (A-5) edhe njëherë u rikonfirmua angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërtimin e marrëdhënieve dhe shtrëngimin e lidhjeve mes komunitetit Europian, Ballkanit Perëndimor dhe Shteteve të Bashkuara, si sinjal i qartë i aleancës që, gëzohet përmes NATO-s.
Përkushtimi i Washingtonit ndaj lidhjeve euro-atlantike, një përkushtim që për shumëkënd ishte në pikëpyetje për shkak të qëndrimeve të presidentit Trump, i cili e kishte cilësuar NATO-n si të “vjetruar” dhe kishte argumentuar në favor të marrëdhënieve më të mira me Rusinë, tashmë qartësisht ka fituar terren. Ishin pikërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës që, fituan statusin si një partner strategjik, nëpërmjet krijimit të grupit të A-3, si pjesë e vizionit për të integruar gjithë rajonin në Aleancën e NATO-s. Në proçesin e pranimit të vendeve të A-3 në Aleancë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e tjera anëtare të NATO-s, si këshillues specialë, realizuan një mbështetje të rëndësishme për të promovuar këtë formë të re të bashkëpunimit.
Kështu, vendet e të ashtuquajturit Ballkani Perëndimor: Shqipëria, Kroacia dhe Maqedonia, si vende anëtare të partneritetit për paqe (PfP) dhe të Këshillit Euroatlantik të Partneritetit (EAPC), pas Samitit të Pragës të vitit 2002, vendosën të ndiqnin të njëjtën rrugë që ndoqën në mënyrë të suksesshme vendet Baltike, të quajtura “Grupi i Vilnusit”. Bashkëpunimi ndërmjet tre vendeve aspirantë për t’u anëtarësuar në NATO, së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si pjesë e Kartës së A-3, kishte një synim të vetëm, futjen e vendeve aspirantë në NATO. Ministritë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Maqedonisë, Kroacisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nënshkruan në Tiranë, më 2 maj 2003, “Kartën e Adriatikut”. Bashkëpunimi brenda Kartës së A-3 do të promovonte dhe fuqizonte në radhë të parë bashkëpunimin rajonal dhe sigurinë, por edhe do rriste ndërveprimin dhe adoptimin e standardeve, nëpërmjet stërvitjeve të përbashkëta ushtarake dhe aktiviteteve të bashkëpunimit të njësive respektive.
Karta e Adriatikut dhe anëtarësimi në NATO, kërkonte jo vetëm stimulimin e reformave të nisura në Forcat e Armatosura e tre vendet anëtare, por edhe reformave demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut, të minoriteteve, impenjim në luftën kundër terrorizmit, trafikut ndërkufitar, armëve të shkatërrimit në masë, etj. Karta e Adriatikut nuk vendosi detyrime të veçanta për të tri vendet, por vetëm kushte të përgjithshme, të vlefshme si për të gjitha vendet anëtare të NATO-s. Përpos kësaj, siç është theksuar edhe në përmbledhjen hyrëse të Kartës, progresi i të tre vendeve do të vlerësohej bazuar në arritjet e tyre individuale.
Shqipëria dhe Kroacia i përmbushën detyrimet, teksa Maqedonia ende jo. Bashkëpunimi ndërmjet vendeve aspirante u zhvillua në nivele dhe fusha të ndryshme brenda A-3. Ishin të shumta institucionet që u përfshinë në këtë proçes, ku mund të përmendim: Presidentët e Shteteve, Ministritë e Mbrojtjes, Ministritë e Punëve të Jashtme, Shefat e Shtabeve të Përgjithshëm, etj. Krahas institucioneve shtetërore, shumë OJF u angazhuan dhe u përfshinë në këtë proçes, me detyrë sigurimin e mbështetjes publike për integrimin e rajonit në Aleancën Euroatlantike. Gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të OSBE zhvilluar në Helsinki, Finlandë, në datë 4 dhjetor 2008, Mali i Zi dhe Bosnje-Hercegovina i’u bashkuan zyrtarisht “Kartës së Adriatikut”, duke e shndërruar në iniciativën A-5. Samiti i Kartës së Adriatikut “US-Adriatic Charter” (A-5) në Mal të Zi u zhvillua në një moment të ri tensionesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, së fundmi Moska po kërkon dëbimin e mbi 700 diplomatëve amerikanë nga vendi.
Gjithashtu, vizita e Pence, erdhi pak kohë pas një grushti shteti të dështuar në Mal të Zi, për të cilin qeveria akuzon pikërisht Moskën. Dy muaj pasi Mali i Zi u bë vend anëtar i NATO-s, me gjithë kundërshtimin e Rusisë, nënpresidenti amerikan, Mike Pence, tha të mërkurën në Podgoricë se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Perëndim. Dhe në këtë kontekst, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë rinkonfirmuar vazhdimin e mbështetjes për vendet e rajonit për një qeverisje më të mirë sipas parimeve të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Partneriteti me qytetarët e rajonit për të forcuar shoqërinë civile, shtypin e lirë dhe të pavarur si dhe një ekonomi që hap mundësi për të gjithë, është po kështu në fokus.
Ndërsa siguria si themeli i përparimit dhe lufta ndaj terrorizmit mbetet në toplistën e angazhimeve të partneritetit. Nënpresidenti Pence duke nënvizuar forcimin e lidhjeve të Forcave të Armatosura të vendeve të rajonit me Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara, për të forcuar mundësitë e tyre që të veprojnë përkrah NATO-s dhe forcave tjera perëndimore për të zvogëluar varësinë nga trashëgimia sovjetike e ruse, i ka dhënë një mesazh të fortë Serbisë, e cila në fushën e mbrojtjes po bashkëpunon me Rusinë. “Sakrificat tona në fushën e betejës vetëm na bashkojnë dhe forcojnë përkushtimin tonë ndaj lirisë”, kjo është thirrja zyrtare e Washingtonit.