KQZ ka miratuar dje strukturën buxhetore për zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Ato do kushtojnë 16 milionë lekë më shumë se zgjedhjet parlamentare të 2013. Do paguhen afro 40 mijë komisionerë, ndërsa do prodhohen 6 milionë fletë votimi. Zgjedhjet vendore të 21 qershorit do t’u kushtojnë shqiptarëve 743 023 000 lekë. Ky është buxheti që ka miratuar dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për përballimin e kostos së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Shifër kjo që rezulton të jetë 16 milionë lekë më shumë se sa kushtuan zgjedhjet e shkuara parlamentare të 2013. Kujtojmë se ato i kushtuan buxhetit të shtetit 727 254 886 lekë. Po ta pjesëtojmë këtë fond me 3 290 143, që është numri total i zgjedhësve sipas listave të Ministrisë së Brendshme, atëherë rezulton se kostoja për një zgjedhës do jetë 226 lekë të reja.
Shpenzimet për paga
Por ndërsa KQZ-ja nga njëra anë parashikon që të shpenzojë në këto zgjedhje afro 1 milion lekë më pak për shpërblimin e komisionerëve, nga ana tjetër parashikon që të shpenzojë afro 2 milionë lekë më shumë për pagesën e punonjësve të përkohshëm. Më konkretisht, në total parashikohet që fondi i pagave, përfshi edhe shpërblimet dhe sigurimet, të jetë 279 543 673 lekë. Nga këto, për paga personeli të përkohshëm janë programuar 53 081 000 lekë dhe si shpërblim i anëtarëve të KZAZ, KQV, GNV, ZR, trajnues etj, janë programuar 217, 598, 000. I detajuar ky zë parashikon që do jenë 180 kryetarë dhe nënkryetarë KZAZ që do paguhen me nga 65,000 lekë, 540 anëtarët KZAZ-ve që do paguhen nga 60,000 lekë, 5500 kryetar KQV-je që do paguhen me nga 4,000 lekë, 33000 anëtarë dhe sekretarë KQV-je që do paguhet me nga 3.500 lekë, 3768 anëtarë GNV-je që do paguhen me 6,000 lekë. Gjithashtu do jenë 52 trajnues për anëtarët e KZAZ-së, 280 trajnues për anëtarët e KQV dhe 90 trajnues për anëtarët e GNV-ve që do paguhen me nga 4,500 lekë secili. Në total do jenë afro 40 mijë komisionerë, trajnues e specialist që do shpërblehen me 217 milionë lekë. Ndaj zgjedhjet vendore do jenë një mundësi e mirë afro 40 mijë persona që të punësohen për një kohë të shkurtër.
Shpenzime për mallra
Mallrat zënë gjithashtu një zë të konsiderueshëm në buxhetin e zgjedhjeve vendore. Ato do i kushtojnë shtetit 240,312,894 lekë, nga të cilat 163 milionë materiale prodhime specifike importi dhe 9 milionë materiale specifike vendi. Ndërkohë që një fond prej 3.633.000 lekësh janë parashikuar për karburant dhe vaj motori dhe 44 milionë për shtypshkrime.
Shpenzime të ndryshme
Për këtë zë KQZ ka përcaktuar si të nevojshme një fond prej 223,167,190 lekësh. Nga këto 24 milionë shërbime transporti, 11 milionë shërbime për udhëtime e dieta, 480 mijë lekë shërbime për njoftime, 19 milionë lekë shërbime për ambiente me qira, 34 milionë lekë shërbime për njoftime në media, 106 milionë lekë shërbime për regjistrimin dhe transmetimin e numërimit të votave dhe 27 milionë lekë shërbime të ndryshme.
Fletët e votimit
Për këto zgjedhje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka programuar që të blejë 6899,882 fletë votimi me një vlerë 12.36 lekë secila dhe me një vlerë totale 85,282,539 lekë. Kjo pasi në këto zgjedhje ndryshe nga zgjedhjet parlamentare do votohet me dy fleta votimi, një për kryetarin e njësisë dhe një për këshillin bashkiak. Pavarësisht se në zgjedhje nuk marrin pjesë të gjithë zgjedhësit që janë në lista, KQZ-ja është e detyruar për shkak të ligjit të parashikojë një numër fletësh votimi të barabartë me numrin e zgjedhësve në lista, plus 2 për qind shtesë për siguri. Ndërkohë që 6 mijë lekë i kushton KQZ-së një kuti votimi. Kështu, ajo parashikon që të blejë 1 mijë kuti të tjera votimi me kapak të zinj me një vlerë 6 mijë lekë secila dhe me vlerë totale 6 milionë lekë. Ndërkohë që KQZ-ja ka vendosur që pjesën tjetër të kutive ta sigurojë nga kutitë që ka gjendje që nga zgjedhjet e shkuara. Një vlerë të konsiderueshme në këtë zë zënë edhe kodet e sigurisë. KQZ-ja do porosisë 175 mijë kode sigurie me 185 lekë secila dhe me vlerë totale 32,360,178 lekë. Bojë timbruese do porositen 12 mijë shishe me 1240 lekë secila dhe me vlerë të përgjithshme 14 milionë lekë. Parashikohet që të blihen edhe 16590 vula kutish me 1205 lekë secila dhe me vlerë totale 20 milionë lekë. Gjithashtu KQZ do porosisë edhe 130 pinca me 1810 lekë secila.
Zgjedhjet e 2013
Totali 727, 254, 886
Zgjedhjet 2015
Totali 743, 023,000
Struktura e përgjithshme buxhetore për zgjedhjet vendore 2015
Paga 279,543,673
Paga personeli të përkohshëm 53,081,000
Shpërblimi i anëtarëve të KZAZ, KQV, GNV, ZR, trajnues, BMM 217, 598, 000
Mallra 240,312,894
Materiale prodhime specifike, import 163 milionë
Materiale specifike, brenda vendit 9 milionë
Material të tjera (karburant) 3.633.000
Materiale (shtypshkrime)44,195,775
Shërbime 223,167,190
Shërbime transporti 24,403,180
Shërbime, udhëtime-dieta 11,033,000
Shërbime për njoftime 480,000
Shërbime për ambiente me qira 18,815,300
Shërbime të ndryshme 27,505,660
Shërbime për media 34863,250
Shërbime për regjistrimin dhe transmetimin e numërimit të votave 106,066,800
Totali 743, 023,000
Shpenzime për pagat dhe shpërblime
Do jenë 180 kryetarë dhe nënkryetarë KZAZ që do paguhen nga 65,000 lekë
Do jenë 540 anëtarët KZAZ-ve që do paguhen nga 60,000 lekë
Do jenë 5500 kryetar KQV-je që do paguhen me nga 4,000 lekë
Do jenë 33000 anëtarë dhe sekretarë KQV-je që do paguhet me nga 3.500 lekë
Do jenë 3768 anëtarë GNV-je që do paguhen me 6,000 lekë
Do jenë 2 auditues të listave të zgjedhësve që do paguhen 600,000 lekë
Do jenë 52 trajnues për anëtarët e KZAZ-së që do paguhen 4,500 lekë
Do jenë 280 trajnues për anëtarët e KQV që do paguhen nga 4,500 lekë
Do jenë 90 trajnues për anëtarët e GNV-ve që do paguhen nga 4,500 lekë
Do jenë 7 anëtarë të bordit të monitorimit 65,000 lekë
Në total do jenë afro 40 mijë komisionerë, trajnues e specialistë që do shpërblehen me 217 milionë lekë.
Burimi: MAPO