Audienca: Të pa interesuar për zgjedhjet, shqiptarët preferuan telenovelat turke

744

Votimet për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit u mbyllën duke shënuar një pjesëmarrje ndër më të ulëtat historike, me më pak se 50% të atyre që kanë të drejtë të votojnë (45.6%, sipas KQZ). Arsyet janë të shumta si vapa, festa e Bajramit, apo dhe zhgënjimi nga qeverisjet e dekadave të fundit dhe vala e fortë e emigracionit.

Kjo “braktisje” u pa dhe në interesin e ulët për të ndjekur ecurinë e votimeve. Ndonëse pjesa më e madhe e televizioneve ishin angazhuar maksimalisht dhe kishin shpenzuar për të sjellë me lidhje direkte zhvillimet më të fundit dhe për të mbajtur të lartë interesin në çdo moment përmes komenteve të analistëve, askush prej tyre nuk e arriti të mbërthejë audiencën.

Përkundrazi, shqiptarët indiferentë preferuan të ndjekin programme të tjera. Në mbrëmje, pas orës 8, teksa votimet përfunduar dhe komentet u ndezën, rezulton se pjesa më e madhe e shikuesve preferuan të ndjekin telenovelën turke në TV Klan. Ky i fundit, për të dytën periudhë zgjedhore radhazi ka zgjedhur të vijojë më programacionin normal dhe të mos ofrojë mbulim të dedikuar të procesit të votimit.

Sipas të dhënave në kohë reale nga Telemetrix, një kompani e matjes së audiencës, në prime time , pas orës 20 treguesi i audiencës, “share” (audienca e një programi televiziv të veçantë e shprehur si përqindja e popullsisë që shikon televizor në një kohë të caktuar) shkoi për TV Klan, që po transmetonte si çdo të diel telenovelën “Fate të Kryqëzuara”. ‘Share’ e kësaj telenovele arriti në 43% nga ora 21.00-23.00 e mbrëmjes të së dielës. Edhe më herët, ishte sërish Klan që mori audiencën me emisionin e “Diela Shqiptare” të Ardit Gjebreas, me ‘share’ të ngjashëm.

Për krahasim, programi i dytë më i ndjekur në prime time, pas orës 21, ishte fillimisht Top Channel, me emisionin special Top Story, që në orën 21.00 arriti ‘share’ maksimal prej rreth 23%, për t’ia kaluar më pas stafetën News 24, që me emisionin “Studio e Hapur”, që pas orës 10 arriti një ‘share’ maksimal prej 18%.

Përgjatë ditës, nga televizionet që kanë transmetuar direkt dhe pa ndërprerje lajmet nga procesi i votimit, ai që ka arritur të tërheqë më shumë shikues ishte News 24, që ka mbizotëruar gjatë gjithë ditës, me një share maksimal prej gati 27%, afër orës 13.00. Por, më pas audience ka rënë, pas fillimit të “E diela Shqiptare” në Klan. Televizioni i dytë më i ndjekur ishte Top Channel dhe më pas vjen Ora News. Audiencë më të ulët kishin TVSH e Vizion Plus.

/monitor .al /