Emigrantët shqiptarë biznese në Itali, sa një e katërta e totalit të sipërmarrjeve në Shqipëri

Emigracioni Kryesore

Nisur nga të dhënat e popullsisë dhe numrit të sipërmarrjeve, rezulton se Italia ka qenë shumë më mikpritëse për bizneset me pronësi shqiptare, sesa Shqipëria është për vetë shqiptarët…

Janë rreth 450 mijë emigrantët shqiptarë, që jetojnë në Itali, të cilët kanë hapur rreth 31 mijë biznese në shtetin përtej Adriatikut, sipas të dhënave zyrtare nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë së Italisë, kryesisht në tregti dhe ndërtim.

Një shifër e lartë kjo, po të kemi parasysh se në Shqipëri, nga Regjistri i Ndërmarrjeve 2016  të INSTAT, numëroheshin rreth 123,378 njësi ekonomike, duke përjashtuar NIPT-et e fermerëve.

Pra, numri i ndërmarrjeve që shqiptarët kanë hapur në Itali është sa një e katërta e totalit të bizneseve që janë hapur në Shqipëri. Nisur nga të dhënat e popullsisë dhe numrit të sipërmarrjeve, rezulton se Italia ka qenë shumë më mikpritëse për bizneset me pronësi emigrantë shqiptarë, sesa Shqipëria është për vetë shqiptarët.

Në Itali, rezulton se janë hapur 70 ndërmarrje për 1000 banorë (emigrantë shqiptarë), ndërsa në Shqipëri ky tregues është 43 ndërmarrje për 1000 banorë.

Sipas të dhënave nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë së Italisë, në total numri i sipërmarrjeve të themeluara nga shqiptarët shkon në 31,329 njësi ekonomike, rreth 5% e totalit të njësive të hapura nga të huajt në Itali apo 25% e totalit të ndërmarrjeve të çelura në Shqipëri. Renditemi të katërt nga komunitetet që jetojnë në Itali për nga numri i sipërmarrjeve të themeluara atje, ndërkohë që shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh në vend, pas atij rumun, me 450 mijë shqiptarë.

Në të kundërt, sipërmarrjet italiane në Shqipëri janë shumë më të pakta. Numri i bizneseve të themeluara nga shtetasit e huaj në Shqipëri sipas regjistrit të ndërmarrjeve është 5,637 njësi ekonomike. Sipas INSTAT, në total, në fund të vitit 2016 në Shqipëri kishte 2661 sipërmarrje italiane, që përbënin 47% të ndërmarrjeve të huaja në vend. 67% e subjekteve italiane janë në fushën e shërbimeve.

 Sipërmarrjet e huaja në Itali

Sipërmarrjen me shtetas të huaj po rritet me një ritëm të shpejtë krahasuar me ndërmarrjet e sipërmarrësit vendas. Në përgjithësi, sipërmarrësit e huajnë po operojnë në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë, shkruan Il Sole. Tashmë bizneset e huaja përfaqësojnë 9.5% të totali të sipërmarrjeve në Itali.  Të dhënat kanë dalë nga anketat e kryera prej Bashkimit të Dhomave Tregtare dhe të Dhomës së Tregtisë.

Në total numri i sipërmarrjeve të themeluara nga shtetas të huaj shkon në 575 mijë. Në tremujorin e parë të këtij viti numri i tyre u rrit me 3.674 njësi ekonomike. Në të njëjtën periudhë, sipërmarrjet e themeluara nga italianët janë 19,759 njësi.

Provincat që kanë njohur rritjen më të madhe të sipërmarrjeve të çelura nga të huajt janë Roma, Napoli dhe Milano.