Ëngjëll Musai: Deputetët dhe ministrat, miliarderë në pushtet, milionerë në pension

117

Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka të përcaktuar me ligj “Minimumi Jetik” gjë që do të detyronte pushtetin qendror, atë lokal dhe të gjitha institucionet e tjera që të plotësonin nevojat minimale dhe të domosdoshme për jetesën e një familjeje.

Është e paimagjinueshme që familjeve apo individëve t’i kërkohet të paguajë çmimet e larta të energjisë, ujit, ilaçeve, trajtimin në spitale kur nuk i ka mundësitë. Për veten e tyre politikanët, deputetët dhe ministrat edhe analizat i bëjnë jashtë shtetit, madje edhe lindjet e grave të tyre, pse jo edhe shoqeve i kryejnë në klinikat speciale të Evropës dhe Amerikë. Le t’i bëjnë publike shumë deputetë të sotëm dhe të djeshëm, ministra aktualë, ish-ministra dhe drejtorë të rëndësishëm që kanë administruar fonde marramendëse se ku e kanë vendlindjen e fëmijëve të tyre.

 

Një pjesë e mirë i kanë bërë jashtë për të përfituar pasaportën e atyre vendeve. Është e palejueshme dhe e patolerueshme që fëmijët e shumicës së familjeve shqiptare të mos shkojnë në çerdhe, kopshte, në shkollë të mesme, profesionale apo të vazhdojnë shkollën duke marrë kredi ose borxhe, sepse nuk kanë mundësi të paguajnë shkollën, ndërkohë që fëmijët e pushtetarëve, ministrave dhe oborrtarëve të tyre dërgohen me bursa shteti në Perëndim apo Amerikë. Është më shumë se fatkeqësi kur shikon pensionistët që u dridhet dora të pinë një kafe apo t’u dhurojnë disa qindarka nipërve dhe mbesave të tyre. Arsyeja që më shtyu të hedh disa mendime dhe sugjerime ka të bëjë me faktin e paraqitur para disa ditësh, si dhe shpjegimet e dhëna me shumë profesionalizëm nga eksperti i sigurimeve shoqërore Fadil Kepi në lidhje me trajtimin e ministrave të shkarkuar një muaj më parë. Nuk bëhet fjalë vetëm për emrat e 6 ministrave të shkarkuar muajt e fundit, por ajo që më shqetëson më shumë është fakti, që vetë ministrat dhe deputetët kanë bërë ligjin të tillë, që përfitojnë maksimalisht dhe përjetësisht nga karrigia që iu dha vota e popullit më të varfër në Evropë. Dhe këtu kam parasysh të gjithë deputetët dhe ministrat e të gjitha partive të majta, të djathta, të qendrës, të pavarur, të brendshëm apo të jashtëm.

 

Pra deputetët përfitojnë paga marramendëse, por përfitojnë edhe honorarë kur venë në mbledhje, a thua se mbledhjet e komisionit janë diçka e veçantë dhe jashtë detyrës për të cilën e marrin rrogën. Përfitojnë dieta, qira, para për karburant, para për zyra, sekretare etj. Por çudia vazhdon edhe pas mbarimit apo ndërprerjes së mandatit të deputetit, ministrit dhe drejtuesit të nivelit të lartë, gjyqtar i niveleve të larta apo titullar i institucioneve të rëndësishme. Konkretisht, një deputet merr një pagë që shkon mbi dy milionë e gjysmë lekë në muaj. Nëse ky deputet del në pension ai do të përfitojë pension nga 40% deri në 60% të pagës së deputetit aktual. Pra, nëse një deputet sot merr 2 milionë e gjysmë lekë, ai që është në pension, pavarësisht se ka dalë në pension para 1 viti apo 10 vjetësh do marrë gjysmën e pagës së deputetit të sotëm, pra rreth 1 milion e 300 mijë lekë. Nëse rroga e deputetit apo ministrit pas 5 vjetësh bëhet 5 milionë lekë, ish-deputeti që ka dalë në pension sot, para 10 vjetësh apo pas 5 vjetësh do të marrë gjysmën e 5 milionëshit, pra do të marrë pension 2 milionë e gjysmë. Ja këto janë fyese, të papranueshme, të patolerueshme dhe diskriminuese.