Dita ndërkombëtare e mësuesit, Meta: Sot arsimtarët shqiptarë më të keqpaguar se kolegët e rajonit!

109

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka bërë një reagim në Ditën Ndërkombëtare të Mësuesit, ku sipas tij, arsimtarët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon në krahasim me kolegët e tyre.

Ish-Presidenti thotë se në 10 vitet e pushtetit të Kryeministrit Rama, ai nuk ka bërë asgjë për të ndryshuar gjendjen e rëndë në arsimin shqiptar.

Postimi i Ilir Metës:

DITA NDËRKOMBËTARE E MËSUESIT i gjen sot arsimtarët shqiptarë më të keqpaguar se të gjithë kolegët e tyre në rajon dhe në kontinent.

Të dhënat e përpiluara nga Komisioni Europian, të bëra po sot publike nga “Euroneës” e renditin pagën e mësuesit shqiptar të fundit në Europë me rreth 4,233 euro në vit, shumë herë më pak se të ardhurat vjetore nga paga të një mësuesi në Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi apo Malin e Zi ku mësuesit paguhen dy herë sa këtu.

Dhjetë vite në pushtet, Edi Rama nuk bëri asgjë për të ndryshuar gjendjen e rëndë në arsimin shqiptar, përkundrazi Dita Botërore e Mësuesit i gjeti sot pedagogët dhe profesorët në protestë për dinjitetin e tyre, trajtim financiar të paktën sa Kosova dhe kushte më të denja mësimdhënie.

Në vend të dëgjojë zërin e arsimtarëve, Qeveria thellon arrogancën deri në mbylljen e shkollave dhe kopshteve, si dhe refuzon të plotësojë kërkesat e tyre plotësisht të drejta dhe të realizueshme.

Shqipëria ka buxhetin më të ulët në rajon për arsimin sepse prioriteti i Rilindjes janë inceneratorët, koncensionet, PPP-të, rrugët e florinjta dhe tenderat sekretë.

Arsim cilësor pa buxhetim nuk mund të ketë!

Vetëm arsimi, si prioritet kombëtar, sjell zhvillim të qëndrueshëm, frenon shpopullimin dhe garanton të ardhmen e sigurt europiane!

Rritja e menjëhershme e pagave për pedagogët dhe profesorët duhet të jetë hapi i parë!




Këtë e pëlqejnë %d blogues: