Femra / Shqipëria U-17 përgatitet për UEFA Youth Girls Development, Kola: “Futbolli femrave po masivizohet”

118

Shqipëria e 17 vjeçareve për femra e drejtuar nga Agustin Kola është grumbulluar në qytetin e Durrësit në kuadër të përgatitjeve për turneun UEFA Youth Girls Development që do të zhvillohet në Maltë nga data 5 deri në 9 Mars. Vajzat kuqezi do të përballen me Andorrën, Gjibraltarin dhe Maltën në një turne që do ti japë mundësi trajnerit Kola të vëzhgojë nga afër 20 lojtaret e grumbulluara.

Ky turne do të jetë në të njëjtën kohë edhe debutuesi për trajnerin Kola në drejtimin e U-17 për femra. Nuk e ka fshehur kënaqësinë dhe entusiasmin për këtë përgjegjësi që i është besuar trajneri 59 vjeçar. “Kam luajtur për ekipin Kombëtar, përpara se të filloja sportin kam pasur ëndërr të luajë për Shqipërinë, por gjëja më e bukur për mua është drejtimi dhe stërvitja e lojtareve të ekipit Kombëtar të femrave. Kënaqësia është shumë e madhe, këtu flitet për përfaqësimin e Kombit dhe është një përgjegjësi shumë herë më e madhe se drejtimi në nivel klubesh. Unë jam marrë për shumë vite me futbollin e moshave, e kam ndjekur futbollin e femrave dhe dalloj se që në moshat e vogla ka filluar një masivizim. Shikoj një dëshirë më të madhe sot te femrat sesa te meshkujt. Po ti ndjekësh në stërvitje kanë më shumë grintë, janë shumë të dëgjueshme dhe janë më korrekte karshi punës që bëjmë ne trajnerët. Nga seleksionimet e para që kemi zhvilluar, edhe në këtë grumbullim që jemi tani, shikoj goca që kanë dëshirë, ka element me perspektivë, është një ekip i mirë. Është një skuadër me 15 dhe 17 vjeçare dhe duhet të pranoj se më kanë çuditur shumë. Të shikosh vajza të vogla që luajnë me 1 e 2 takime është diçka shumë pozitive. Besoj se me këtë skuadër do të arrijmë diçka të mirë”, theksoi trajneri Agustin Kola për mikrofonat e FSHF TV.

Grumbullimi në skuadrën Kombëtare është një emicion i madh edhe për lojtaret, të cilat nuk e fshehin se kanë një realizuar një ëndërr. “Futbollin e kam filluar që në moshën 11 vjeçare dhe ka qënë një eksperiencë shumë e mirë. Për mua është një kënaqësi që jam në Kombëtaren e 17 vjeçareve, e kam ëndërruar të jem këtu dhe po e shijoj këtë eksperiencë – është shprehur Denada Avullija, që luan për ekipin e Vllaznisë – Ëndrra juaj futbollistike? Unë dua të bëhem një futbolliste e shkëlqyer dhe të jem një sulmuese e madhe siç është Kristiano Ronaldo në futbollin e meshkujve”.

Pas një eksperience të parë me Kombëtaret e femrave, Antigona Hyska, portierja 15 vjeçare e Apollonisë ka besim se sukseset nuk do të mungojnë. “Unë jam Antigoni Hyska, portiere e Apollonisë, jam 15 vjeç dhe futbollin e kam filluar që në moshën 12 vjeçare. Unë kam luajtur 4 ndeshje më parë me Kombëtaren përpara këtij grumbullimi për turneun në Maltë. Emocionet janë të mëdha dhe shpresojmë që t’ia dalim me sukses këtë rradhë. Ëndrra ime është të vazhdoj të bëj hapa përpara për të pasur një karrierë të mirë dhe dua të bëhem trajnere portieresh për moshat e vogla”