Artur Bibe në Samitin e Diasporës : Shqiptarët në Greqi janë grupimi i emigracionit më i integruar në vend.

387

Zonja dhe zotërinj! Dëshiroj t’ju uroj për organizimin e këtij Samiti. Eshtë një takim, i cili për shumë vite i kishte munguar kombit tone dhe më në fund tashmë është kthyer në tradite, ndaj ju falenderoj për këtë festë të Shqiptarisë.

Eshtë nder për mua që jam i pranishëm dhe është një privilegj, që jam një ndër kandidatët për të marrë pjesë në Këshillin e Diasporës. Ndjehem i emocionuar, pasi pas nje kariere shumë vjeçare të sukseshme, ky është momenti i vlerësimit prej bashkëatdhetarëve të mi. Pikërisht, ky këshill ka një mision historik, atë të koordinimit të punës mes shoqatave të diasporës kudo në botë dhe krijimin e politikave prej shtetit amë, pro diasporës tonë ndër botë.

Zonja dhe zotërinj, unë vij nga komuniteti shqiptar në Greqi, një komunitet që me gjithë vështirësitë që kalon, edhe për specifikën e situatës në Greqi ja ka dalë mbanë mjaftë mirë.

Emigrantët shqiptarë në Greqi, janë grupimi i emigracionit më i integruar në vend.

Më shumë se 600 mijë shqiptarë që jetojnë në Greqi, janë pjesë aktive e shoqërisë atje. Sot shqiptarët konsiderohen si një ndër pjesët më të shëndetshme të emigracionit në Greqi. Janë me mijëra bizneset e drejtuara prej tyre, mijëra nxënës dhe studente shqiptarë janë me rezultate të shkëlqyera në shkollat greke. Punonjësit shqiptarë janë më të kërkuarit në tregun e punës në vend, madje me plot krenari, ju njoftoj se ka ardhur koha që personazhe të spikatura të emigracionit, të jenë edhe kandidatë për deputet në parlamentin vendas, si dhe anetarë të këshillave vendore në shumë zona të vendit, ku më i spikaturi është rasti i mikut të mirë të shqiptareve, Fatos Malaj, djalit të Delvinës, i cili është kandidat në zgjedhjet e ardhëshme politike në Greqi, ndaj zoti minister, zonja dhe zoterinj ju ftoj që të gjithë së bashku të mbeshtesim kandidaturën e Fatosit, duke i dhënë atij mbështetjen tonë të pa kufizuar, me synim realizimin e zgjedhjes së tij në parlamentin grek, pasi do të na bëjë krenar të gjithëve dhe do të sjellë të dy popujt edhe me pranë njeri- tjetrit. Shumë prej nesh kanë krijuar familje në Greqi dhe fëmijët tanë janë po aq krenar që janë shqiptarë, sa edhe grekë. Në fakt është një ndjenjë e bukur të keshë dy atdhe, të jeshë krenar për të dy vendet, për vendin ku jeton dhe prej nga ku ke origjinën.

Zonja dhe zotërinj është nder por edhe përgjegjësi e lartë për mua të jem pjesë e këshillit të diasporës, ndaj dhe mbështetja juaj është e nevojshme dhe e mirëpritur për të ecur përpara në këtë projekt aq të bukur dhe ambicioz te anuncuar prej qeverisë dhe Ministrit të diaspores, zotit Pandeli Majko. Ne jetojmë të integruar në vendin ku jetojmë dhe rrisim brezin e ri krenar për origjinën tonë, krenar për vendin në të cilin jetojmë. I japim vëndeve ku jetojmë më të mirën tonë, por jetojmë me ëndrrën se ne dhe pse jo edhe femijët tanë, një ditë do të kthehen dhe të japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit ku ne prindërit e tyre jemi lindur dhe rritur, pra në atdhe.

Ligji për votën e emigracionit është në drejtimin e duhur edhe pse me vonesë.

Personalisht do të doja që vota e emigracionit të shprehej e barabartë me një qark brenda Shqipërisë , psh, qarkun e 13-të, kjo për të mundesuar numrin maksimal të deputetëve që mund të zgjidhen nga emigracioni. Mendoj se procesi i votës së emigrantëve, nuk duhet të jetë i shkëputur nga një reformë e thellë bashkepunimi, përkrahje dhe mbështetje për përfaqësuesit aktual të diasporës, apo akoma edhe me grupimet e reja që mund të krijohen në të ardhmen. Në këtë kontekst duhet bërë një punë mbështetëse, për krijimin e ambienteve kulturore, arsimore, si dhe kthimin e këtyre ambienteve në vënde të shprehjes së mendimeve të lira dhe progresiste në funksion të përmirësimit të përfaqësimit të diasporës në sistemin politik shqiptar, por edhe për të rritur bashkëpunimin me shoqërinë e vëndeve ku jetojmë.

Unë mendoj se vetëm duke njohur mirë vëndin ku jetojmë, duke u integruar në shoqërinë vendase, mund të bëhemi edhe më të ndërgjegjëshëm për atë që duam për vëndin amë. Ndaj duhet mbështetje dhe ndihmë për të hedhur themelet e një infrastrukture shoqërore në këtë drejtim. Inkurajimi dhe mbështetja e shoqatave të diaspores dhe nxitja e inisiativave për bashkëpunim edhe më të ngushtë mes këtyre shoqatave, nëpërmjet programeve mbështetëse prej ministrisë së diasporës është domosdoshmëri për mbarëvajtjen sa më të mirë dhe përfaqësimin dinjitoz të diasporës në parlament, pamvarësisht forcës politike që e mbështet atë.

Dhe që ta mbyll, dëshiroj të falenderoj ministrin e diasporës, por edhe kryeministrin Rama, që mbështesin idenë e së drejtës votës për shqiptarët e diasporës dhe u bëj thirje kundërshtarëve të kësaj ideje. Ti lënë mënjanë përfitimet mikropolitike dhe të votojnë sapo kjo të mundësohet, me qëllim përfaqësimin e diasporës në parlament, pasi kjo përveç se iu jep shqiptarëve kudo ndodhen akses në vendimarrje, por edhe shërben si mekanizem për të rritur nivelin e përfaqësimit në parlament, me individë të pastër që kanë aq shumë për t’i dhënë politikës shqiptare.