Fitorja e Macron, lajm i mirë për BE, ndërsa Rusia mbështet Marin Le Pen

Bota Kryesore

Politikanët europianë e kanë pritur me çlirim fitoren e Emmanuel Macron në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker ka uruar personalisht kandidatin e pavarur për fitoren e arritur, duke thyer kështu edhe protokollin, pasi Komisioni zakonisht nuk komenton mbi zgjedhjet në zhvillim të një vendi.

Ai e ka vlerësuar Francën si një shtyllë qendrore të BE-së, një vend themelues e komb që mishëron dhe simbolizon vlerat që përforcojnë integrimin europian. Por Juncker nuk ka qenë i vetmi që e ka pritur kështu fitoren e Macron. Edhe të tjerë liderë europianë si ministri i jashtëm gjerman Sigmar Gabriel apo ish-presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, i kanë uruar Macron fat në raundin e dytë të zgjedhjeve. Zgjedhja për të mbështetur Macron, sipas liderëve europianë ishte e qartë, pasi francezët u desh të zgjidhnin mes një kandidati që mbron atë që Europa përfaqëson dhe një kandidati që kërkon të shkatërrojë Europën.

Ndërkohë, Rusia mbështetëse e Le Pen, tha se e respekton rezultatin e raundit të parë, teksa shpreson në marrëdhënie më të mira me cilindo kandidat që do të fitojë raundin e dytë. Asnjë koment zyrtar nuk ka patur as nga Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara. Kandidati i pavarur centrist Emmanuel Macron arriti të fitonte raundin e parë të votimit në zgjedhjet presidenciale franceze me 23.75% të votave, i ndjekur nga liderja e Frontit Kombëtar Marine Le Pen me 21.53% të votave. Rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte një risi për partitë e mëdha të vendit, socialistët e republikanët, të cilët për herë të parë mbetën jashtë pallatit presidencial, teksa kandidatët e tyre respektivë morën vetëm 19% të votave. Macron e Le Pen do të përballen në raundin e dytë të zgjedhjeve më 7 maj.