Kryeministri propozon shkarkimin e Arben Malajt nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë

102

Teksa gjithë vendi është përfshirë në një emergjencë kombëtare për të përballuar dëmet e tërmetit, në Fletoren Zyrtare sapo është publikuar Vendimi për pezullimin nga detyra të një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, konkretisht profesor Arben Malaj.

Propozimi ka ardhur nga kryeministri i vendit. Në vendimin, që mban datën 3 dhjetor, thuhet:

“Në mbështetje  të  nenit  100  të  Kushtetutës  dhe të pikës 1,  të  nenit  47,  të  ligjit nr. 8269,  datë 23.12.1997,  “Për Bankën  e  Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:

  1. Z. Arben Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, pezullohet nga kjo detyrë.
  2. Propozimin Kuvendit të   Republikës   së Shqipërisë për shkarkimin  e z. Arben  Malaj  nga detyra  e  anëtarit  të  Këshillit  Mbikëqyrës  të  Bankës së Shqipërisë. Ky vendim hyn në fuqi  menjëherë”.

I kontaktuar nga Monitor, z.Malaj me ironi falënderoi kryeministrin që me gjithë pasojat e tërmeteve gjeti kohë dhe u mor me tërmetin moral.

Ai shtoi se pret reflektimin e Bankës së Shqipërisë, ndërkohë që mandatin e ka marrë nga Kuvendi dhe vetëm Kuvendi ka të drejtë që ta shkarkojë atë. Sipas procedurave të parshikuara me ligj brenda 30 ditëve kërkesa për shkarkim do të duhet të shqyrtohet nga komisionet përkatëse.

Profesor Arben Malaj, ish ministër i financave, është një nga ekonomistët dhe ekspertët më të mirë në vend dhe që ka qenë gjithnjë një zë kritik në fushën e politikave ekonomike të ndërmarra vitet e fundit. Malaj ka paralajmëruar vazhdimisht për kontratat koncesonare, rreziqet e përkeqësimit të ekonomisë dhe rritjes së varfërisë, në vitet e ardhshme. Ai kërkoi së fundmi dhe një reagim të përgjegjshëm ndaj tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit.

Më herët gjatë verës 28 deputetë të PS-së, pkërkuan ta shkarkonin si anëtar bordi për shkelje të etikës. “Kolegët në PS e dinë shumë mirë që midis lirisë dhe karrigeve, kam zgjedhur dhe do të zgjedh lirinë, sepse pa të nuk i shërbej dot vendit tim”, do të reagonte Malaj në atë kohë. “Vendit tim i kam shërbyer në çdo kohë, me integritet të lartë, profesionalizëm të thellë dhe dashuri të madhe”, tha ai./monitor.al/