Mbresa nga libri poetik “Vreshtat e Dionisit”

257

libri i grigorit - VRESHTAT E DIONISIT-

Murat ALIAJ  / Më duhet të them qysh në fillim, se libri poetik “Vreshtat e Dionisit” i Grigor Jovanit është një libër i veçantë, nga ata që rrallë kemi fatin të lexojmë.

I larmishëm në stil e në tematikë, ai bëhet nga ata libra që i lexojmë dhe s’na bëhet t’i lëshojmë nga dora, edhe pasi i kemi mbaruar. Veçanërisht për poezinë, kjo gjë është domosdoshmëri, për faktin se gjithçka jepet nëpërmjet figurave dhe një gjuhe të zgjedhur, çka përbën vlerë, por nuk është e imponueshme për prozën.

Do shënoj këtu disa nga konstatimet e mia, duke patur shpresë të mos jem i gabuar në to. Siç ngrihet një ndërtesë mbi katër kolonat e veta, edhe ky libër është ngritur mbi katër kolona të shëndosha, të cilat janë:

1.Sinqeriteti poetik

2.spontaniteti

3.larmia

4.origjinaliteti.

Kemi të bëjmë me krijimtari dhe akumulim poetik shumëvjeçar, i cili vetëvetiu ka kërkuar prej autorit një formë të veçantë të organizimit të lëndës. Kam përshtypjen se çdo treguesi të librit, autori i ka kushtuar vëmendjen e duhur. Në kapjen e motiveve, nuk sforcohet për të zgjedhur më të bujshmit, kjo s’do të thotë edhe që mbërthehet para çdo motivi që i nxjerr jeta përpara. Me një sqimë të lartë krijuese, ai i kushtohet temës që i jep dorë për meditim, përplasje dhe konkluzion, tre faktorë këta që autori iu kushton rëndësi të madhe. Fakt është që aty ku autori i koordinon dhe harmonizon këta tre faktorë, siguron cilësi të lartë krijuese. Në bazën e stilit të tij poetik qëndron antiteza përmbyllëse, e cila shpesh herë të troket fort në mëndje dhe të ngulet atje për të mos u larguar më.

Shumica e motiveve të poezive përbëjnë momente jetësore apo aludime të largëta historike, që vijnë nga kohët prehistorike e që mbeten motive të përjetshme e të lakmuara prej poetëve. Nën trajtimin dhe përpunimin mjeshtëror që iu bëhet, ato arrijnë me pak fjalë të vizatojnë një tablo, një mbresë.

Janë kaq të larmishëm motivet e poezive, sa do mbushej një listë e gjatë titujsh, po t’i merrja të gjitha me radhë. Në këtë bollëk motivesh, ku ekziston mundësia e përsëritjes dhe monotonisë, autori ka ditur t’i shmangë ato, me një shkathësi për t’u admiruar. Kjo e ka bërë gjithë librin të ngjajë me një mozaik, ku çdo gur ka pamjen e vet të ndryshme nga të tjetrit.

MURATI -GRIGORI (LIBRI)

Duke qënë se ana formale nuk më intereson, nuk dua të ndalem fare në të, por mund të them se në libra të ndryshëm brenda të njëjtit libër, nuk shoh ndonjë ndryshim të madh kohor stilistik apo tematik, i cili të kërkonte prej autorit domosdoshmërisht një formacion të tillë. Ajo ç’ka ka rëndësi në të gjashtë librat brenda këtijn libri, është fakti se ato janë meditime e zhbirime të fabrikës krijuese të Grigor Jovanit, që s’ngjajnë me të askujt tjetër. Çdo aludim përdhosës në këtë drejtim, kërkon domosdoshmërinë e përballjes së teksteve, por me kaq sa njoh unë, libri dëshmon për të kundërtën, për një origjinalitet të admirueshëm, për një sinqeritet prej poeti shumëkaratësh dhe për spontanitet të një atleti të gatshëm për të përballuar çdo sfidë gjatë garës së tij.

Mbase do ishte më e drejtë, që këtë opinion timin ta filloja me librat e mëparshëm poetikë të Grigorit. Por u ndala tek i fundit, me mendimin se ai i përmban brenda edhe të mëparshmit, madje i ka tejkaluar ata. Besnik i stilit të vet të veçantë, në librin e fundit autori shpaloset më i plotë, më i pjekur, më pretendues.

Duke qënë përpara një vërshimi të madh motivesh, do të ishte me vënd edhe seleksionimi më përzgjedhës i disa poezive shumë të pakta në numër, por që s’arrijnë të përçojnë tek lexuesi atë ngarkesë të bukur poetike dhe atë befasi, mbi të cilën mbështetet e gjithë krijimtaria e tij poetike. Sidoqoftë, poezi të tilla, s: Vetja jonë e dikurshme, Ujku, Tuneli, Vjeshtë, Estrada, Mina me sahat, Gjëndje civile, Krimi, Vajzat e bangave të para, Gjethet e rëna, Lumë i zemëruar, Thatësirë, Krokodilët, Shtegu qorr, Kinemaja e vjetër, Korrniza, Fuqia, Lugati, Autobuzi i linjës së mesnatës, Nuk ka problem, Buzëqeshje për kornizë, Ajo që unë kam dashuruar e plot e plot të tjera, dëshmojnë për një kërkim të vazhdueshëm poetik, për vëmendje të veçantë në ndërtimin e seicilës, ç’ka i ka dhënë dorë për të siguruar këtë nivel të kënaqshëm artistik.

Me të gjitha këto, desha të thoshja se Punishtja e Ëndërrave e Grigor Jovanit (titull i goditur i një libri të tij të mëparshëm) vazhdon të prodhojë me kapacitet të plotë e me cilësi të lartë. I uroj që ky prodhim të vazhdojë të kënaqë sa më shumë dashamirës të poezisë.

Këto shenime desha t’i mbyllja me fundin e poezisë “Estrada”:

“More vesh, idiot?

”Star” nuk bëhesh dot!”

Është poezi ku ka triumfuar modestia, sepse Grigor Jovani është bërë një “star” mjaft i këndshëm, një bari e kërkues i përkorë i brishtësisë poetike.