Tiranë: Deputetët e pasur të partive të varfëra

102

Studimi i organizatës Open Data Albania u publikua sot në Ditën Botërore të Dhënave të Hapura.

Deputetët e zgjedhur rishtas janë pasanikë, biznesmenë të mëdhenj, pronarë asetesh, aksionesh, pasurish të patundshme, koleksione arti dhe shumë objekte të larmishme luksi.

Open Data Albania thotë se informacioni në këtë fushë është bërë shumë voluminoz.

“Është interesante të shohësh një grup kaq të madh përfaqësuesish të biznesit në parlament. Pyetja vjen qartë: Këta individë, që nuk i përkasin klasës politike dhe nuk kanë angazhime të mëparshme politike, pse janë bërë ligjvënës? Duan të jenë pjesë e një procesi të qeverisjes dhe të përfaqësimit, apo janë thjesht interesat e tyre ekonomike dhe interesat e grupit të tyre të biznesit, që i sjellin në pozicionin e ligjvënësit? Apo vijnë për të forcuar pushtetin, pozitën dhe influencën e tyre? – pyet autorja e studimit, Aranita Brahaj, drejtuese e organizatës OPEN DATA ALBANIA.

Deputetët e rinj janë kryesisht të pasur, tregtarë dhe pronarë tokash, me biznese të suksseshme e disa prej tyre janë trashëgimtarë të pasurive të patundshme.

Por për reporterët e njohur të zhvillimeve politike në Tiranë, si Esiona Konomi e Report TV, studimi nuk ishte surprizë, por konfirmim i fakteve, që shohin vetë përditë në mjediset e partive dhe të institucioneve.

“Ishte një konfirmim i konstatimeve të vazhdueshme, që bëj në parlament gjatë 5 viteve të fundit. Në këtë legjislaturë parlamenti ka pësuar një rinovim pej 40 për qind të ligjvënësve, ku spikatin deputetë me pasuri të konsiderueshme, por që nuk kanë patur më parë profil të spikatur publik. Kjo do të thotë se ata mund të kenë ardhur në parlament për shkak të pasurisë së tyre. Tani që kanë mandat deputeti ata nuk kanë status aktiv si ligjvënës. Kjo do të thotë se ata mund të jenë në parlament të paktën për t’u dhënë siguri bizneseve të familjeve të tyre, ose për të shtuar pasurinë e tyre: kjo ëhstë një gjë që duhet verifikuar në fund të legjislaturës” – thotë Esiona Konomi, gazetare e politikës në REPORT TV.

Nga ana tjetër, partitë politike me këta deputetë të pasur vetëdeklarojnë pak shpenzime dhe pak të ardhura në fushatën zgjedhore, e kështu dalin se janë shumë të varfëra por nuk deklarojnë financimet apo donatorët.

Pjesën dërrmuese të harxhimeve në fushatë, si transportet, shtabet dhe zyrat elektorale anembanë vendit në cdo lagje i deklarojnë në përgjithësi si dhurata nga qytetarët anonimë.

“Tre partitë krysore politike të gjithë shpenzimet që kanë bërë për shtabe dhe zyra elektorale të shpërndara në vend nuk i kanë shpenzime të faturuara dhe të paguara, por i kanë konsideruar dhurime në natyrë. Kjo e bën deri diku të dyshuar këtë proces deklarimi të auditimeve, ndërkohë që edhe emrat e personave që kanë bërë dhurimet pa marrë shpërblim, kanë dhënë hapësirat e tyre private në dispozicion të partive për zyra elektorale nuk publikohen dhe nuk ka informacion për faturat dhe shifra të tjera ekonomike” – thotë drejtuesja e Open Data, Brahaj.

Mungesa e transparencës financiare të sidomos tek 3 partitë e mëdha është një vështirësi e përditshme e korrespondentëve të politikës në Tiranë, që shohin si zhvillohen veprimtari publike gjigande pa u shfaqur asnjë faturë.

“Kemi vënë re, për shembull, që partia kryesore opozitare nuk ka deklaruar asnjë donator, as të ardhura nga anëtarësia, por ka shpenzime elektorale. Kjo vlen edhe për partitë e tjera të mëdha si PS dhe LSI, të cilat në fushatën e vitit 2017 shumë prej shpenzimeve i justifikonin si dhurata, ose marrje në përdorim pa kosto. Ato nuk dhanë emrat e kompanive që kishin bërë këto dhurata për këto parti politike, gjë që të shtyn të dyshosh se këto kompani, persona e subjekte juridike që kanë dhuruar fonde dhe ndihmuar një parti në fushatë mund të kenë interesa që u shpërblehen me tendera apo lënë hapësirë për dyshime të tjera” – tha gazetarja Konomi.

Autorët e studimit vërejnë se edhe ligji nuk është i qartë e i plotë sa i takon transparencës dhe kontrollit financiar të partive politike, ndaj duhet rregulluar gjatë reformës zgjedhore, që duhet të nisë sa më parë.

Një tjetër problem është marrëdhënia detyruese e partive me televizionet për të shfaqur reklama pa pagesë, por tani midis tyre u krijua një ortakëri e detyruar, ku ka fatura, por nuk ka shlyerje.

Sipas vëzhfuesve, të gjithë këto raste lënë dyshime për konflikte interesi, trafik influencash dhe përpjekje për t’u mbrojtur dhe zhvilluar bizneset prapa pushtetit politik në mënyrë të paligjshme.VOA