UEFA mblodhi Sekretarët e Përgjithshëm të 55 federatave, për rinisjen e garave kombëtare dhe ndërkombëtare

Futboll Sporti

U zhvillua ditën e sotme video-konferenca me pjesëmarrjen e Sekretarëve të Përgjithshëm të 55 federatave anëtare të UEFA-s. Në këtë mbledhje drejtuesit e federatave u njohën me punën e kryer nga grupet e punës në lidhje me opsionet dhe datat e mundshme të rifillimit të aktiviteteve kombëtare dhe të gjitha ndeshjeve ndërkombëtare nga Ekipet A, U-21, U-19, U-17 femra dhe meshkuj.

Një tjetër çështje e rëndësishme e diskutuar ishte ajo e kontratave të lojtarëve, afatet e periudhave të transferimeve si dhe afatet e Licensimit të klubeve për kompeticionet kombëtare dhe ato europiane.

Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, informoi në lidhje me punën e kryer nga Federata e Futbollit për kalendarët e mundshëm të rifillimit të sezonit dhe opsionet që kanë parashikuar në bazë të vendimeve të marra nga UEFA në mbledhjen e fundit të Komitetit Ekzekutiv.