Zgjedhjet pa zgjidhje në Maqedoni

346

Azem PARLLAKU / Rezultati përfundimtar i zgjedhjeve në Maqedoni, e nxori fituese VMRO-DPMNE me 51 deputetë, teksa LSDM do të ketë 49 karrige në Parlament, BDI 10 të tilla, Lëvizja BESA 5, Aleanca për Shqiptarët 3 deputetë dhe në fund PDSH me 2 të tillë. Tashmë, ish-Kryeministrit Gruevski i është dhënë mundësia e formimit të koalicionit qeverisës, pas këtyre zgjedhjeve në shtetin fqinj Maqedoninë. Nisur nga premtimet parazgjedhore, duket që shteti maqedon do të vijojë të mbetet në ngërçin politik të radhës, mbasi fituesit nuk do të mund t’a menaxhojnë fitoren, edhe pse  konstituimi i qeverisë me gjasë ka për të ndodhur.

Sipas rezultatit të shpallur, Gruevski dhe Ali Ahmeti i kanë së bashku 61 vende, aq sa janë të nevojshme për të formuar koalicionin qeverisës. A do të jetë kjo axhenda e ditëve në vijim për Gruevskin dhe Ahmetin, ende nuk dihet, ashtu sikurse nuk përjashtohet.

Kundërshtarët e Gruevskit edhe ata janë optimistë, pas leximit të rezultatit zgjedhor. Kjo për faktin se; pas sundimit dhjetvjeçarë të regjimit, pas okupimit të të gjitha sistemeve të pushtetit dhe organizimit shoqërorë, edhe rritja e opozitës konsiderohet si fitore. Në ditët në vijim pritet çfarë vendimi do të ndërmarrë BDI, e cila ka bashkëqeverisur me partinë maqedonse në pushtet, teksa kjo e fundit përgjatë fushatës elektorale, e ka anatemuar gjithnjë e më shpesh faktorin shqiptarë në Maqedoni. Gruevski u tha maqedonasive se Zaevi dhe LSDM do t’i detyrojnë fëmijët maqedonas të mësojnë shqip në shkollë.

Opozita dhe shqiptarët në Maqedoni, i’a faturojnë BDI dhe Ahmetit uljen e numrit të mandateve për deputetët shqiptarë, pasi siç thonë ata është dëmtuar pesha politike e votuesëve shqiptarë, si rezultat i mosevidentimit në listat zgjedhore. Prej më shumë se një dekade, BDI është thirrur si pronare e shumicës së votave të shqiptarëve, ndaj depërtimi i LSDM-së tek elektorati shqiptar është një tjetër mesazh i fortë për bashkëqeverisjen Gruevsi-Ahmeti.

Dy ditë pas zgjedhjeve qëndrueshmëria në Maqedoni është shumë e brishtë. Po shqiptarët lind pyetja humbën, apo fituan!? Kanë humbur duke votuar. Një numër i madh i votave të tyre u hodh për partitë maqedonase, e arsyetuar si mospajtueshmëri me qëndrimet e dy partive shqiptare BDI dhe PDSH, kurse rezultati i dy projekteve të reja politike, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët, janë motivuese.

Lufta për pushtet dhe aritmetika e fituesit, i qas Maqedonisë statusin e një shteti të kapur prej ngërçit politik. Çfarë shansi ka spektri politik shqiptar atje, është një tjetër sfidë.

A do të bashkohen VMRO dhe BDI, për të qeverisur? Edhe pse varianti më i mundshëm, një gjë është e sigurtë, opozita dhe shqiptarët e zhgënjyer janë gati për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Gruevski mund të mendojë që faktori ndërkombëtar do t’a mbështesë këtë koalicion, mbasi nuk ka nge të merret me Maqedoninë, ndërsa ndikimi i Rusisë në shtetin ballkanik, mardhëniet me vendin fqinj Greqinë, nuk ka gjasë të kalohen në heshtje nga diplomacia Europiane dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

LSDM dhe partitë shqiptare pa BDI, mund të jenë duke negociuar për të marrë në dorë fatet e Maqedonisë, nëse Gruevski dhe Ahmeti nuk do të dakortoheshin. Ndonëse si mundësi, këtij varianti aritmetika e mandateve, thjeshtë vetëm sa ka thyer pamposhtmërinë e mitit të Gruevskit.

Një koalicion midis VMRO-DPMNE dhe LSDM, automatikisht do t’a destabilizonte Maqedoninë, ç’ka do të thotë, lënia jashtë qeverisjes e faktorit shqiptar, nuk përbën tjetër veçse aktin e shpërbërjes së shtetit multnietnik maqedonas, e rrjedhimisht pasojat për momentin mund të jenë të paparashikueshme.

Çfarë martese politike mund të ketë pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit në Maqedoni, një gjë është e sigurtë, shteti fqinj me shumë shqiptarë politikisht është në krizë.